2015-12-18 14:27:00

Françesku: Zoti e ndryshon botën, duke u bërë i vogël si fëmijë


Para Betlehemit, kundroni Mëshirën Hyjnore. Papa Françesku mori shkas nga audienca me italianët dhe gjermanët, që sivjet dhuruan Shpellën e Betlehemit dhe Pemën e Krishtlindjes së Sheshit të Shën Pjetrit, për të kujtuar se Zoti nuk i do revolucionet e të pushtetshmëve dhe i prek zemrat e njerëzve me mirësinë e Tij të përvuajtur. Duke ndjekur shën Françeskun - që i pari pati rikrijuar atmosferën e vendit të lindjes së Krishtit - në këtë Shpellë, nënvizoi Ati i Shenjtë, mund të shohim dhembshurinë e Zotit, që përkulet drejt nevojtarëve. Pema e këtij viti është dhuruar nga Baviera e Gjermanisë, ndërsa Shpella e Betlehemit, nga Provinca autonome dhe nga kryedioqeza e Trentos në Itali. Zbukurimet janë përgatitur nga Fondacioni “Lene Thun”. Dritat e Pemës dhe të Shpellës u ndezën sot pasdite, ndërsa Papa përgatitej të shkonte për të hapur Portën Shenjte në Strehën e Karitasit “Don Luigji Di Liegro” në Romë.

Forca e Zotit është butësia

         “Betlehemi – nënvizoi Papa, duke u folur të pranishmëve – na thotë se Zoti nuk imponohet kurrë me forcë. Për të na shpëtuar, nuk e ndryshoi historinë me ndonjë mrekulli madhështore. Erdhi ndër ne me thjeshtësi, përvuajtëri, butësi”:

         “Zoti nuk i do revolucionet imponuese të pushtetarëve të historisë e nuk përdor shkopin magjik për të ndryshuar situatat. Bëhet i vogël, bëhet fëmijë, për të na joshur me dashuri; për të na prekur zemrat me mirësinë e Tij të përvuajtur; për të tronditur, me varfërinë e Tij, të gjithë ata që nxitojnë të mbledhin vetëm thesare të rreme në këtë botë”.

         Ky ishte edhe synimi i Shën Françeskut, kur rikrijoi Shpellën e Betlehemit, vuri në dukje Papa. I Vobekti i Asizit dëshironte të kujtohej lindja e Fëmijës së Betlehemit, vështirësitë me të cilat u përball, që në fillim, ky i sapolindur.

Në Betlehem shohim mëshirën e Zotit, që përkulet drejt nesh

         Ati i Shenjtë i ftoi të gjithë të qëndrojnë para Betlehemit, sepse përmes tij, na flet ëmbëlsia e Hyjit. Aty kundrojmë Mëshirën Hyjnore bërë njeri, e vetmja, që mund të na e zbusë vështrimin. Zoti dëshiron të na trondisë zemrat. E duke komentuar figurat e sivjetme në Betlehemin e Sheshit të Shën Pjetrit, Papa Françesku vërejti:

         “Është bukur që në Shpellë ndodhet një figurë, e cila e personifikon mirë misterin e Krishtlindjes. Është ai personazh, që bën një vepër të mirë, duke u përkulur për të ndihmuar një të moshuar. Ai, jo vetëm e sheh Zotin, por edhe e imiton, sepse, ashtu si Hyji, përkulet me mëshirë kah nevojtari”.

Fëmijëve, që zbukuruan Pemën: edhe Mikelanxhelo kështu filloi

         Së fundi, Papa nuk mungoi t’u drejtohej, në mënyrë të veçantë, fëmijëve që zbukuruan Pemën, të cilët i quajti “artistë të vegjël”:

         “Jeni akoma shumë të rinj, por që tani, i ekspozoni veprat tuaja në Sheshin e Shën Pjetrit. E kjo është gjë e bukur, eh! Guxim, përpara! Edhe Mikelanxhelo kështu ka filluar, eh!”.








All the contents on this site are copyrighted ©.