2015-12-17 11:52:00

Papa Françesku: rritet reagimi pa dhunë ndaj luftrave e terrorizmit


Para shumëfishimit të konflikteve e të terrorizmit, po rritet në botë reagimi pa dhunë, që duhet mbështetur e përkrahur për të arritur paqen: kështu tha sot Papa Françesku, duke pritur ambasadorët e rinj të Guinesë, Letonisë, Indisë dhe Bahreinit, të cilët paraqitën Letrat Kredenciale në Vatikan.

Ndërgjegje më të matura para dhunës

         Viti që po përfundon, pohoi Papa, “karakterizohet nga shumëfishimi i konflikteve të dhunshme, si luftarake, ashtu edhe terroriste”. Por ka edhe një lajm të mirë:

         “Kjo gjendje po shkakton gjithnjë e më shumë ndër njerëzit më të vetëdijshëm, një reagim jo të dhunshëm, por shpirtëror e moral. Këtë duam e këtë duhet ta ushqejmë me mjetet në dispozicionin tonë, sipas përgjegjësive të secilit”.

Indiferenca për Zotin, për të afërmin e për ambientin

         Nga ana e saj, nënvizoi Papa, Kisha Katolike dëshiron të përhapë në botë frymën e faljes e të pajtimit. Pikërisht për këtë, filloi Jubileu i Mëshirës. Duhet të mos dorëzohemi para “globalizimit të indiferencës”, që është një nga prirjet negative të kohës sonë, theksoi Ati i Shenjtë, e të bashkëpunojmë për të përhapur në botë, kulturën e solidaritetit. Shkaku kryesor i kësaj indiference në rritje, vërejti Françesku, është “humanizmi i çekuilibruar, në të cilin njeriu ka zënë vendin e Zotit e, si rrjedhojë, ka mbetur viktimë e formave të ndryshme të idhujtarisë. Edhe kriza e rëndë ekologjike, që po kalojmë, mund të shpjegohet me këtë çekuilibër antropologjik”:

         “Indiferenca ndaj Zotit, ajo ndaj të afërmit dhe ajo ndaj ambientit, janë të lidhura ndërmjet tyre dhe ushqejnë njëra-tjetrën; prandaj, mund të luftohen vetëm me një përgjigje, që i përballon të gjitha së bashku, pra, me një humanizëm të përtërirë, që e vendos njeriun në marrëdhënie të drejta me Krijuesin, me të tjerët e me Krijimin”.

Thirrje për shtetet: mbroni më të brishtët

         Për Papën, një rol vendimtar në këtë sfidë e luajnë edhe mjetet e komunikimit, të cilat, në botën e sotme, ndikojnë mjaft mbi sjelljet personale dhe shoqërore. Gjithashtu, duhet vazhduar investimi për shkollën, e cila duhet konceptuar në marrëdhënie të vazhdueshme me familjet e me kontekstin shoqëror, për të krijuar atë aleancë edukative, që është dobësuar në shumë vende. Papa u kërkon shteteve gjeste konkrete në favor të më të brishtëve, si të burgosurit, emigrantët, të papunët dhe të sëmurët:

         “Në këtë Vit jubilar, dëshiroj të bëj një thirrje të zjarrtë për përgjegjësit e shteteve, që të kryejnë gjeste konkrete në favor të vëllezërve e motrave tona, të cilët vuajnë për mungesën e punës, të tokës e të shtëpisë”.

Liria fetare

         Së fundi, Papa Françesku përshëndeti katolikët e Guinesë, të Letonisë, të Indisë e të Bahreinit, duke i inkurajuar të bashkëpunojnë gjithnjë për të mirën e përbashkët të krejt shoqërisë. Këtë, shtoi, do të mund ta bëjnë më mirë, nëse u njihet plotësisht liria fetare.








All the contents on this site are copyrighted ©.