2015-12-16 14:06:00

Papa: ta kërkojmë faljen e Zotit përmes Rrëfimit


Në katekizmin e audiencës së përgjithshme, Papa Françesku foli përsëri për Vitin Shenjt, që sapo filloi, duke u kujtuar besimtarëve të shumtë, mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit, dy shenjat kryesore të Jubileut: Portën Shenjte dhe Rrëfimin. Françesku nënvizoi se shpesh është tepër e vështirë të falësh, por, shtoi, nëse ia hapim zemrën mëshirës së Zotit, që na fal, edhe ne fitojmë aftësinë, aspak të lehtë, për t’i falur fajtorët tanë.

Jubileu kremtohet në mbarë botën, jo vetëm në Romë, ndonëse Roma është shenjë e dukshme e bashkimit universal. E ky bashkim duhet thelluar gjithnjë më shumë, që Kisha të jetë në botë shenjë e dashurisë dhe e mëshirës së Atit. Papa Françesku kujtoi edhe se në të gjitha dioqezat, në shenjtëroret e katedralet, është hapur një Portë Shenjte, duke nisur nga ajo, që e hapi ai vetë në të dyja kanatat, në Bangui, në zemër të Afrikës:

“Desha që kjo shenjë e Portës Shenjte të hapej në çdo Kishë të veçantë, për ta bërë Jubileun e Mëshirës  përvojë e jetuar nga të gjithë njerëzit”.

Pa harruar se Mëshira dhe falja nuk duhet të mbeten vetëm fjalë të bukura, vijoi Françesku, por të realizohen në jetën e përditshme:

“Të duash e të falësh, ashtu si do e si fal vetë Zoti! Ky është program jete, që nuk duhet të ketë ndërprerje, as përjashtime, por duhet të na shtyjë të shkojmë gjithnjë përtej, pa u lodhur kurrë, me sigurinë se jemi të mbështetur nga prania atërore e Zotit”.

Portat e ndryshme Shenjte janë Porta të vërteta Mëshire, pohoi në vijim Papa, e vetë Porta, është simbol i Jezusit. Ta kapërcesh Portën Shenjte është shenjë e besimit tonë në Zotin Jezus, që nuk erdhi për të na gjykuar, por për të na shpëtuar:

“Kini mendjen, eh? Mos ia vini veshin ndokujt, që është tepër i shkathët ose tepër velet e vjen e ju thotë se duhet të paguani: jo! Shëlbimi nuk paguhet, nuk blihet me para. Porta është Jezusi. E Jezusi nuk shitet, dhurohet. Është falas. E Portën, domethënë vetë Krishtin, e kemi dëgjuar të flasë për ata,  që hyjnë ashtu si nuk duhet hyrë, e Ai i quan hajdutë ose banditë. Edhe një herë po jua kujtoj: shëlbimi është falas!”.

Kur kapërcejmë Portën Shenjte, vijoi Françesku, bëjmë mirë të kujtojmë se duhet ta lëmë të hapur në dyja kanatat edhe portën e zemrës sonë, për të mos përjashtuar askënd. As atë, që na bezdis. E, para Portës Shenjte, duhet të lutemi e të kërkojmë: "O Zot, më ndihmo ta hap Portën e zemrës sime!”.

Shenjë e rëndësishme e Jubileut është edhe Rrëfimi, kujtoi Papa. Ta marrësh këtë Sakrament, do të thotë të gjesh Atin, që fal e kupton gjithçka. Aq sa të bëjë festë në qiell, kur ne pranojmë se jemi mëkatarë. Pa harruar se të falësh, nuk është aspak e lehtë, pranoi Françesku: të falësh të afërmin, shokun e punës, fqinjin, vjehrrën, nusen, kunatën…. Jo! Nuk mundem. Nuk mund ta fal, thotë ndokush. Natyrisht që me forcat tona nuk mund ta bëjmë, por nëse e hapim zemrën për mëshirën e Zotit, edhe ne bëhemi njerëz të mëshirës e të faljes:

“Shumë herë dëgjoj të thuhet: ‘Nuk mund ta shikoja me sy atë njeri, e urreja. Por një ditë prej ditësh iu afrova Zotit e i lypa të falur për mëkatet e mia. E Ai më fali e edhe unë e fala atë njeri’. Këto janë gjëra të përditshme. E ne e kemi fare pranë këtë mundësi”.

Në përfundim të katekizmit, Papa Françesku i përshëndeti besimtarët e pranishëm në gjuhë të ndryshme të botës. Duke iu drejtuar shtegtarëve sllovenë, theksoi se dëshiron t’i përcjellë, përmes tyre, vlerësimin e tij mbarë Kishës sllovene për impenjimin në favor të familjes, duke i inkurajuar të gjithë, posaçërisht ata, që kanë përgjegjësi publike, për ta mbështetur familjen, parë si pikë themelore mbi të cilën mbështetet e gjithë jeta shoqërore.








All the contents on this site are copyrighted ©.