2015-12-16 14:27:00

Jubileu në Tokën Shenjte. Atë Pizzaballa: mëshirë, fjalë e harruar!


Të dielën e kaluar u hap Porta Shenjte edhe në Jeruzalem. Ritin, në Bazilikën e Gjetsemanit, e kryesoi patriarku latin i Jeruzalemit, imzot Fouad Twal. Por, si u përgatit Toka e Krishtit për Jubileun e Mëshirës? Na e tregon, në mikrofonin tonë, atë Pierbattista Pizzaballa, Rojtar françeskan i Tokës Shenjte:

Përgjigje: - U përgatit në të gjitha famullitë, në të gjitha shtëpitë rregulltare, në të gjitha qendrat e veprimtarisë së Kishës, posaçërisht me lutje e pastaj, me gjeste dashurie të krishterë, edhe ndërmjet nesh: me hapjen e shtëpive tona për të huajt, për refugjatët që janë këtu, duke mos mundur t’i presim ata, që vijnë nga Siria, për shkak të situatës politike. U përpoqëm, kështu, të hyjmë edhe ne, në atmosferën, që ndjehet në mbarë Kishën.

Pyetje: -  Sa rëndësi ka ky Jubile për Tokën Shenjte?

Përgjigje: - Themelore, mendoj. Toka Shenjte, nga breznia në brezni,  jeton një ndeshje, që të duket e pambaruar dhe e pambarueshme, me sfond politik, por edhe fetar, në të cilin bashkësitë e ndryshme vijojnë t’ia përplasin në fytyrë njëra-tjetrës, ato që mendojnë se janë padrejtësi e paudhësi, të lashta e të reja. Por pa falje, pa mëshirë, si mund të shqiptohet fjala drejtësi, për të cilën kemi aq shumë nevojë? Prandaj mund të themi se Jubileu i Mëshirës është rast për të ndihmuar, në radhë të parë, vetveten tonë, por edhe bashkësitë, që jetojnë rreth nesh, që të kenë një vështrim të ndryshëm, më të lirë, e ta shikojnë me sy më të mëshirshëm njëri-tjetrin.

Pyetje: -  Në Tokën Shenjte, u hap Porta e Gjetsemanit, pastaj e Haifës, në Katedralen melkite e në atë maronite. Por portat shenjte hapen edhe në Jordani, në Qipro, në Irak, në Siri. Ç’vlera ka mëshira për Lindjen e Mesme?

Përgjigje: - Mëshira duket sikur është harruar fare, si në Hebraizëm, ashtu edhe në Islam e, në mënyrë të veçantë, në kristianizëm. Mëshira është një nga virtytet e rëndësishme e themelore e megjithatë, të duket se është harruar. Mjafton të shikosh luftërat e tmerrshme, që na rrethojnë.  Bashkësia jonë e vogël e krishterë, dëshiron të kujtojë posaçërisht mëshirën  që pati Zoti për ne: na bëri prani e mëshirës, e faljes, e pajtimit, atje ku situatat duken pa shpresë e pa kthim. Mëshirë! E vetmja fjalë pozitive, që mund të themi, në këto rrethana kaq të pamëshira!








All the contents on this site are copyrighted ©.