2015-12-15 14:58:00

Shtegtim shpirtëror përmes Portës Shenjte të Bazilikës së Shën Pjetrit, emisioni VI: Skena IV:


U dërgua Engjëlli Gabriel…

Hyjmë sot në kornizën e skenës së katërt të Portës Shenjte të Bazilikës së  Shën Pjetrit. Gjëja e parë, që shikojmë, është një Engjëll. Kryeengjëlli Gabriel. Na bën me shenjë që ta shoqërojmë në shtëpinë e vogël të Marisë. Po kjo nuk është aspak e lehtë. Për të ecur pas Engjëllit, duhet  që më parë të çlirohemi nga frika e Napoleonit të madh, nga e cila nuk shpëton lehtë as njeriu i vogël. Po e shpjegojmë pse. Napoleon Bonaparti lindi  në Ajaccio të Korsikës, më 15 gusht 1769; lindi pra, pikërisht në ditën, kur Kisha prej shekujsh kujtonte, e vijon të kujtojë edhe sot e kësaj dite,  Të Ngjiturit e Marisë në Qiell. Napoleoni duhet të ishte i lum, për shkak të këtij përkimi që, përkundrazi, e pezmatoi pa masë. A e dini pse?

Më 15 gusht, gjatë kremtimit të Meshës Shenjte, Kisha lexon Ungjillin e Magnificat, në të cilin Vasha e vogël e Nazaretit, duke kujtuar mirësinë e pambaruar të Zotit, merr guximin të thotë: “... i humbi madhështorët në dëshira të zemrave të tyre; përmbysi të pushtetshmit nga fronet, lartoi t’përvuajturit”(Lk 1,51-52.

Ishte tepër! Napoleoni nuk mund të duronte që pikërisht në ditëlindjen e tij, do kush do të merrte guximin t’i kujtonte se fronet e njerëzve të pushtetshëm të kësaj bote janë të gjithë të brerë nga tenja e, heret o vonë, shemben!

Prandaj, kur u bë perandor, e ndaloi kremtimin e Festës së Zojës së Ngjitur në Qiell në Francë e në të gjitha trojet e pushtuara nga armatat e tij të tmerrshme. E bëri këtë me dekretin perandorak të 19 shkurtit, në vitin 1806. Por kishin kaluar vetëm pak vjet, e, pas disfatës së Napoleonit në Waterloo, kënga e madhërimit të Zotit, që po e dëgjojmë edhe tani, duke dalë nga korniza e Portës Shenjte të Shën Pjetrit, u lartua përsëri madhërishëm drejt qiellit. Nisi të lexohej prap në të gjitha kishat e Francës. Për të na kujtuar edhe ne, që po e rijetojmë simbolikisht ngjarjen, se Zoti nuk është rival i njeriut. Përkundrazi, është i vetmi mik i vërtetë i tij.

Maria, vasha e re e Nazaretit, kah e cila drejtohet sot, së bashku me ne, kryeengjëlli Gabriel, e dinte këtë. E, sidomos, e besonte. E sot na e kujton përsëri ne, që dalim, të prekur thellë, nga korniza e kësaj ngjarjeje vendimtare për njerëzimin, duke u përgatitur shpirtërisht për skenën tjetër, të pestën. Që na kujton Pagëzimin. Dalim, duke u lutur me fjalët e Engjëllit: “Gëzoju, o Mari, hirplote, Zoti është me ty....”.








All the contents on this site are copyrighted ©.