2015-12-15 11:00:00

Portat e Shenjta: ka nga ato, që s’mund të hapen


Të hapen Portat Shenjte në të gjitha dioqezat, që Jubileu i Mëshirës të jetohet plotësisht në çdo Kishë lokale: kjo është dëshira e Papës Françesku, i cili jo më larg se të dielën, hapi Portën Shenjte në Bazilikën e Shën Gjonit në Lateran, bazilika tradicionale e ipeshkvit të Romës. Duke filluar nga e shtuna, Portat Shenjte janë hapur në shumë dioqeza të botës e, edhe në trevat shqiptare. E megjithatë, ka vende ku kjo nuk mund të ndodhë për një sërë arsyesh. Në dioqezën e Malakalit, në Sudanin e Jugut, Porta Shenjte nuk u hap, sepse që nga dhjetori 2013, vendi është zhytur në një konflikt të përgjakshëm civil, me luftime të vazhdueshme ndërmjet trupave qeveritare të presidentit Salva Kiir dhe rebelëve të ish-zv.presidentit Riek Machar. Flet për ne motër Elena Balatti, misionare komboniane, e cila jeton që prej 20 vjetësh në zonë, në Renk, në veriun e skajshëm të vendit, pasi është detyruar të ikë nga Malakali:

         Për shkak të luftës, ka zona në të cilat nuk është e mundur të mbahen zyrtarisht këto ceremoni të rëndësishme. Dioqeza e Malakalit, territori i së cilës është përfshirë krejtësisht nga lufta civile, nuk ka mundësi ta hapë Portën Shenjte, sepse selia e dioqezës së qytetit akoma nuk është hapur. Famullia e katedrales është hapur e mbyllur disa herë gjatë kësaj lufte civile e tani për tani, është akoma e mbyllur, pasi territori nuk është i qetë. Vetëm javën e kaluar, 20 km nga Malakali, forcat rebele u ndeshën me forcat qeveritare. E gjithë kjo ndodh, pasi në gushtin e kaluar u nënshkrua një traktat paqeje ndërmjet opozitës së armatosur të Riek Machar dhe qeverisë së presidentit Salva Kiir. Por vazhdojnë luftime sporadike e nuk i lejojnë besimtarët, që do të kishin shumë dëshirë, të fillojnë paqësisht Vitin Shenjt.

         Si mund të jetohet Jubileu i Mëshirës në një territor të tillë, plot dhunë?

         Që kur është shpallur Jubileu, predikimi, katekizmi, ushtrimet shpirtërore, nismat baritore po orientohen vazhdimisht drejt pajtimit. Nënvizohet koncepti themelor se lufta është fryt i dhunës, prandaj kemi nevojë për faljen e Zotit, për mëshirën e Atij të Lumit. Që të ndryshojë kjo situatë, kemi nevojë edhe për mëshirën e njeriut për njeriun, të vëllait për vëllain, të motrës për motrën: kemi nevojë ta kërkojmë me sinqeritet pajtimin, tepër i vështirë në kohë lufte. Kjo është linja baritore e krejt Kishës në Sudanin e Jugut. Për shembull, të rinjtë e famullisë së Krishtit Mbret në Renk, ku ndodhem aktualisht, kanë zgjedhur si moto për Vitin e Mëshirës: “Kini mëshirë, që të tregohet mëshirë edhe për ju”. E kanë zgjedhur për të nënvizuar si ndërhyrjen e Hyjit të Mëshirshëm, ashtu edhe nevojën për t’u përpjekur për këtë: askush nuk mund ta zgjidhë problemin e luftës në Sudanin e Jugut, përveçse banorët e tij. Të gjithë luten të kthehet një farë qëndrueshmërie relative, në mënyrë që të mund t’i afrohen Mëshirës Hyjnore paqësisht. Në zonat me tension të lartë, njerëzit nuk mund të mblidhen, ashtu siç e parashikon kremtimi liturgjik; besimtarët nuk mund të mblidhen, sepse është tepër e rrezikshme.

         Papa hapi Portën e parë të Mëshirës në Republikën e Afrikës Qendrore. Cilat janë shpresat tuaja për Sudanin e Jugut?

         Në një popullsi të munduar nga dhuna e çdo lloji e nga vite të tëra lufte, arritja e paqes do të interpretohej pa dyshim si shenjë e mëshirës së Zotit për popullin e vet. Përparësia jonë është dialogu ndërmjet fiseve të Sudanit Jugor, që u përkasin feve të ndryshme: kemi konfesione të ndryshme të krishtera, fe afrikane tradicionale, ose fe myslimane. Megjithatë, ajo që i ndan sudanojugorët nuk është feja, por ndryshimet kulturore e sidomos ambicia për pushtet e disa politikanëve, të cilët shfyrtëzojnë dallimet etnike. Në këtë kuadër konfliktual, mesazhi i mëshirës mbetet qëndror: duhet të arrijmë ta shohim tjetrin si një qenie tjetër njerëzore, ndaj të cilit duhet treguar mëshirë e, njëkohësisht, secili duhet ta shohë vetveten si njeri, që ka nevojë për mëshirë e falje, si nga ana e Zotit, ashtu edhe nga ana e të tjerëve.








All the contents on this site are copyrighted ©.