2015-12-15 12:00:00

Mesazhi i Papës Françesku për Ditën e Paqes 2016: “Munde indiferencën e fito paqen”


Sot paradite, në Sallën e Shtypit të Selisë së Shenjtë, u paraqit Mesazhi i Papës Françesku për Ditën e 49-të Botërore të Paqes, që kremtohet më 1 janar 2016. Tema e tij është: “Munde indiferencën e fito paqen”.

         Një konferencë shtypi e pasur jo vetëm me shpjegimet për përmbajtjen e mesazhit, por edhe me dëshmi nga protagonistë të botës së krishterë, që punojnë e veprojnë në fushën e drejtësisë e të paqes, si don Luigi Ciotti, themelues i Grupit Abele dhe i Shoqatës “Libera”, i impenjuar në ndihmën për të droguarit dhe në luftën kundër mafies. Letra e tij dhe e imzot Michele Pennisi-it, kryeipeshkëv i Monrealit, u lexuan para gazetarëve, pasi ata vetë nuk ishin të pranishëm. Ndërkaq, ndodheshin në sallë, disa refugjatë të Qendrës së jezuitëve “Astalli” në Romë.

Ishte kryetari i Këshillit Papnor për Drejtësinë e Paqen, kardinali Peter Kodëo Appiah Turkson ai, që shpjegoi më së miri ç’përmbahet në mesazhin e Atit të Shenjtë për Ditën e Paqes 2016. Papa përvijon disa forma të indiferencës, që karakterizojnë kohën tonë. Së pari, indiferenca ndaj Zotit, nga e cila rrjedh edhe indiferenca ndaj të afërmit e ndaj Gjithësisë së krijuar nga Hyji. “Kjo është – nënvizon Papa në mesazh – një nga pasojat e rënda të humanizmit të rremë e të materializmit praktik, të kombinuar me mendimin relativist dhe nihilist. Njeriu mendon se është autori i vetvetes, i jetës së vet dhe i shoqërisë; atij i mjafton vetvetja dhe synon jo vetëm të zëvendësojë Zotin, por të bëjë krejtësisht pa Të; për pasojë, mendon se nuk i detyrohet askujt për asgjë, përveçse vetvetes dhe pretendon të ketë vetëm të drejta”(n.3).

Pasi tregon se paqja kërcënohet nga indiferenca në të gjitha nivelet, Mesazhi ofron një reflektim bibliko/teologjik, që na lejon të kuptojmë nevojën për kapërcimin e indiferencës, për t’ia hapur zemrën mëshirës, impenjimit e solidaritetit.

Pikërisht solidaritetin, Papa e quan virtyt moral e sjellje për t’u kultivuar nga ata, që kanë përgjegjësi edukative e formuese, si familjet, edukatorët, veprimtarët kulturorë dhe mjetet e komunikimit shoqëror, secili sipas rolit dhe përgjegjësisë që i takon.

Duke besuar se njeriu e ka aftësinë të fitojë mbi të keqen duke përdorur të mirën, Mesazhi vë në dukje forma të ndryshme solidariteti e impenjimi në shoqërinë bashkëkohore, në favor të njerëzve në vështirësi si viktimat e konflikteve të armatosura dhe të fatkeqësive natyrore, të varfërit dhe emigrantët. Papa i falënderon dhe i inkurajon të gjithë të impenjohen në këto veprimtari, edhe pse nuk u bëhet reklamë. Falënderon sidomos të gjitha ato familje, famulli, bashkësi, kuvende e shenjtërore, që i janë përgjigjur kërkesës për të strehuar një familje refugjatësh.

Mesazhi përfundon me thirrjen e Papës Françesku që secili, në frymën e Jubileut të Mëshirës, të impenjohet konkretisht për të përmirësuar realitetin në të cilin jeton, duke filluar nga familja, nga fqinjët e nga ambienti i punës.

Të njëjtën thirrje u drejton Ati i Shenjtë edhe përgjegjësve të kombeve, që të bëjnë gjeste konkrete e, madje, edhe akte të vërteta guximi, në favor të njerëzve më të brishtë, si të burgosurit, emigrantët, të papunët e të sëmurët. Papa i fton në veçanti: të mos i tërheqin popujt e tjerë në konflikte e luftra; të falin borxhin ndërkombëtar të vendeve më të varfëra e të favorizojnë qëndrueshmërinë e tyre; të miratojnë politika bashkëpunimi, që respektojnë vlerat e popullsive lokale dhe nuk cënojnë të drejtat e fëmijëve në bark të nënës.

Nuk është vetëm indiferenca në qendër të Mesazhit për Paqen 2016, por edhe shpresa në aftësitë e njeriut, që me hirin e Tënzont, di të kapërcejë të keqen e të mos dorëzohet, duke e lëshuar veten në duart e indiferencës. Papa përmend disa ngjarje të vitit 2015, që e dëshmojnë më së miri këtë besim, si për shembull, marrëveshja për klimën, mbledhja e Adis Abebës për fondet që ndihmojnë zhvillimin e qëndrueshëm, miratimi i Agjendës 2030 dhe 50-vjetori i dy dokumenteve të Koncilit II të Vatikanit, “Nostra Aetate” dhe “Gaudium et spes”, që hapën portat e dialogut me fetë jo të krishtera e me krejt familjen njerëzore.

Për ta ruajtur këtë shpresë, Papa u bën thirrje të gjithëve ta orientojnë jetën kah dashuria, mëshira, solidariteti, duke i kthyer në program jete, në stil sjelljeje në marrëdhëniet me të tjerët, pra, duke u bërë të mëshirshëm si Ati, siç është tema e Jubileut të Mëshirës, që sapo ka filluar.

 








All the contents on this site are copyrighted ©.