2015-12-15 11:19:00

Arabia Saudite shpall një koalicion islamik kundër terrorizmit


Arabia Saudite lajmëroi krijimin e një koalicioni të vendeve myslimane kundër terrorizmit. Vendimi u shpall menjëherë pasi presidenti amerikan, Barak Obama, kërkoi impenjim më të madh në luftën kundër Shtetit Islamik (Isis), e cila duhet të ecë përpara me hapa më të shpejta. Në këtë koalicion bëjnë pjesë 34 shtete, ndër të cilat, Egjipti, Turqia, Pakistani dhe disa vende afrikane, por jo Irani. Objektivi i Riadit, në krye të tyre, nuk është vetëm Isis, por “çdo grup terrorist, që do të hasim”, siç nënvizoi ministri saudit i mbrojtjes. Shumë prej anëtarëve të koalicionit bëjnë pjesë edhe në atë ndërkombëtar, të udhëhequr nga SHBA-të.

         Obama iu drejtua dje me ashpërsi të ashtuquajturit Kalifat: “nuk mund të fshiheni – u tha terroristëve. Ju ka ardhur radha të goditeni”. Presidenti amerikan kujtoi se Isis është detyruar të tërhiqet nga 40% e territorit, që zotëronte në Irak, duke u kërkuar aleatëve më shumë përpjekje, në linjën e impenjimit të Gjermanisë, Francës, Britanisë së Madhe dhe Italisë.

Ndërkaq, vijojnë përpjekjet diplomatike për zgjidhjen e krizës siriane. Sot, Sekretari amerikan i shtetit, John Kerry ndodhet në Moskë, ku takohet me kolegun e tij Lavrov dhe me presidentin rus Putin për të diskutuar mbi periudhën e tranzicionit në Siri. Të premten, në Nju Jork, do të mbahet një mbledhje për këtë qëllim, në të cilën do të marrë pjesë edhe Irani.








All the contents on this site are copyrighted ©.