2015-12-14 16:55:00

Jeta rregulltare: në qendër, vëllazërimi, dhuratë e Zotit për botën


“Identiteti e misioni i vëllait rregulltar në Kishë”: ky është titulli i dokumentit, që u paraqit sot paradite në Sallën e Shtypit të Vatikanit, gati në mbyllje të Vitit kushtuar Jetës së Shuguruar, që idealisht ia kalon stafetën Jubileut të Mëshirës. Të pranishëm, prefekti i Kongregatës për Institutet e jetës rregulltare dhe Shoqëritë e jetës apostolike, kardinali Joao Braz de Avis, së bashku me sekretarin e dikasterit, imzot José Rodrìguez Carballo.

         Jo vetëm vëllezërit rregulltarë, të cilëve u kushtohet ky dokument, por edhe rregulltaret, meshtarët, laikët e gjithë Kisha duhet ta njohë dokumentin, për të vlerësuar secili thirrjen e vet, që është rrugë në gjurmët e Krishtit, nënvizoi prefekti, kardinali Joao Braz de Aviz:

         “Krishti është kaq i pasur sa çdo i krishterë e jeton thirrjen e tij, duke nxjerrë në pah disa karakteristika të veçanta. Disa identifikohen me Krishtin, duke iu kushtuar punës materiale për ndërtimin e botës e për ta bërë atë më të banueshme, në mënyrë që njerëzit të jetojnë në kushte dinjitoze; të tjerë, duke kumtuar Lajmin e Mirë; duke ushtruar shërbimin meshtarak; të tjerë akoma, duke iu kushtuar mësimdhënies ose kujdesit për të sëmurët. Disa të tjerë identifikohen me Krishtin e varfër, të virtytshëm e të bindur”.

         Por ka një tipar dallues të Krishtit, që e cilëson misionin dhe identitetin e rregulltarit e ky është “vëllazërimi”:

         “Duhet të themi se ndoshta, kjo përvojë e vëllazërimit është diçka, që duhet ta theksojmë më shumë tani, në këtë çast kulturor, kishtar e rregulltar, që po kalojmë sot”.

         Vëllazërimi, vijoi më tej kardinali, nuk është thjesht fryt i përpjekjeve personale:

         “Nuk arrijmë të jemi vëllezër, sipas Ungjillit, vetëm për dëshirën që të jemi ashtu, ose për ndonjë impuls individual. Vëllazërimi është para së gjithash, dhuratë, që vjen prej Zotit”.

         Vëllazërim, që duhet krijuar e mbajtur gjallë ndërmjet rregulltarëve të së njëjtës bashkësi. Kjo, nënvizoi prefekti i Kongregatës për Jetën e Shuguruar, do të thotë:

         “Marrëdhënie të harmonishme ndërmjet vëllezërve, njohje e ndërsjelltë, pranim e dashuri, dialog, vlerësim i ndërsjelltë, mbështetje për njëri-tjetrin, bashkëndarje të talenteve, vetëmohim, falje, shoshitje e përbashkët e vullnetit të Zotit, bashkëpunim në misionin kishtar, kujdes për nevojat e Kishës e të botës, sidomos, për më nevojtarët”.

         Ky vëllazërim i duhet dhuruar botës:

         “Vëllazërimi i rregulltarëve nuk është i mbyllur në vetvete. Është vëllazërim për misionin, në përkim të përsosur – siç thotë Papa Françesku – me Kishën në eksod, në dalje drejt periferive të kësaj bote, me Kishën që ndërton ura, që ua hap dyert njerëzve bashkëkohorë të çdo race, kulture e besimi”.

         Së fundi, imzot José Rodrìguez Carballo citoi një letër, shkruar në maj 1986 nga kardinali i atëhershëm argjentinas Bergoglio, ku Papa i sotëm Françesku dëshmon forcën e lutjes, duke iu referuar krizës së thirrjeve, nga e cila vuante Shoqëria e Jezusit në gjysmën e viteve ’70:

         “Thirrjet janë sidomos çështje lutjeje. Kështu na ka thënë Zoti, prandaj, duhet të lutemi”.

        Imzot Carballo lajmëroi se gjatë javës përfundimtare të Vitit kushtuar Jetës së Shuguruar, nga 28 janari deri më 2 shkurtin e vitit 2016, në Romë do të vijnë rreth 6 mijë rregulltarë nga e gjithë bota.








All the contents on this site are copyrighted ©.