2015-12-13 15:47:00

Marrëveshje historike për klimën: inkurajimi i Papës


Përfundoi, me një marrëveshje historike ndërmjet 195 vendeve, Konferenca e Parisit mbi klimën. Papa, në Engjëllin e Tënzot, duke nënvizuar se “vënia e saj në jetë do të kërkojë angazhim të njëzëshëm dhe përkushtim bujar nga ana e të gjithëve”, e inkurajoi mbarë bashkësinë ndërkombëtare të vijojë me zell udhën e nisur. Uroi gjithashtu, t’u kushtohet vëmendje e veçantë popullsive më të ligshta. Dokumenti, disa  nga pjesët e të cilit duhen zbatuar me detyrim, u prit me entuziazëm nga bashkësia ndërkombëtare, ndonëse nuk mungojnë edhe kritikat.

I zoti i shtëpisë, presidenti francez Hollande, është entuziast për marrëveshjen e parë universale, arritur në historinë e bisedimeve të pafund e të parezultat, kushtuar klimës. Në pesë vjetët e ardhshme rritja e temperaturës mesatare globale duhet të jetë 2 gradë më e ulët, në krahasim me nivelet para-industriale, në pritje të përmirësimeve të mëtejshme, ndërsa çlirimi i gazeve përgjegjëse për efektin serrë, për të cilat mendohet se ndikojnë në rritjen e temperaturave globale, do të pakësohet deri në thithjen  e tyre të natyrshme, aty nga fundi i shekullit. Rezultat ky, që shumë vende e quajtën historik. Ndërmjet tyre, edhe SHBA-të, të cilat nuk e patën nënshkruar protokollin e mëparshëm të Kyoto-s mbi klimën, më 1997.

Barack Obama e cilësoi marrëveshjen “Kontribut të lidershipit amerikan që, në shtatë vjetët e fundit, u bë vend udhëheqës në luftën kundër ndryshimeve negative klimaterike”.

Ndërmjet masave jo të detyrueshme, është edhe krijimi i një fondi prej 100 miliard dollarësh në vit, për t’i nxitur vendet më të varfëra në zhvillimin e energjive të padëmshme për mjedisin.

Për disa OJQ, si Oxfam, këto janë burime të pagarantuara edhe të pamjaftueshme për t’i dhënë fund rritjes së temperaturave, ndonëse duhet pranuar se marrëveshja është një hap domethënës përpara. Për Action Aid, rezultati është pak ambicioz, ndërsa shkrimtarja no-global, Naomi Klein, e shikon me sy kritik marrëveshjen, në të cilën lëndëve djegëse fosile, si qymyrguri, nafta dhe gazi natyror nuk u kushtohet vëmendja e duhur.   








All the contents on this site are copyrighted ©.