2015-12-11 17:08:00

Reskript i Papës për zbatimin e ligjit të ri martesor


Pasditen e 7 dhjetorit Ati i Shenjtë nënshkroi reskriptin e mëposhtëm ex audientia për  përfundimin  dhe  zbatimin e ligjit të ri të procesit martesor.

Hyrja në fuqi, në përkim me hapjen e Jubileut të Mëshirës – të Letrave apostolike në formë Motu proprio “Mitis Iudex Dominus Iesus” dhe “Mitis et Misericors Iesus”, të 15 gushtit 2015, të shkruara për të vënë në jetë drejtësinë dhe mëshirën mbi të vërtetën e lidhjes së atyre, që kanë provuar dështimin martesor, thekson, ndërmjet tjerash, kërkesën për të harmonizuar  procedurën e  re  në proceset martesore me Normat e  gjykatës Rota Romake, në pritje të reformimit të tyre.

Sinodi i ipeshkvijve, që përfundoi kohët e fundit, e nxiti fort Kishën të përkulet kah bijtë e saj më të brishtë, që vuajnë për shkak të dashurisë së plagosur a të humbur (Relatio finalis, n 55), të cilëve u duhet rikthyer besimi e shpresa.

Ligjet që hyjnë tani në fuqi, duhet të dëshmojnë pikërisht afërsinë e Kishës ndaj familjeve të plagosura, duke dëshiruar që shumica e atyre, të cilat jetojnë dramën e dështimit bashkëshortor, të provojnë veprën shëruese  të Krishtit, përmes strukturave kishtare, me shpresë se ata do mund të bëhen misionarë të ri të mëshirës së Zotit për vëllezërit e tyre, në dobi të institutit familjar.

Duke i njohur Rotës Romake, përveç  funksionit të Apelimit të zakonshëm të Selisë Apostolike, edhe atë të ruajtjes së unitetit të jurisprudencës (neni 126 Pastor Bonus), si dhe të formimit të vazhdueshëm të punonjësve baritorë në Gjykatat e Kishave lokale, vendosa, pohon Ati i Shenjtë, sa më poshtë vijon:

1. Ligjet e procesit martesor të reformuar, cituar më poshtë, shfuqizojnë ose kufizojnë çdo ligj ose normë të kundërt, deri tani në fuqi, të përgjithshme, të veçantë ose speciale,  edhe nëse është e miratuar në formë të posaçme (si për shembull Motu Proprio Qua cura, dhënë nga paraardhësi im, Piu XI, në kohë krejt të ndryshme nga të sotmet).

II 1) Në çështjet e shfuqizimit të martesës para Rotës Romake, dyshimi të fiksohet sipas formulës së lashtë: An constet de matrimonii nullitate, in casu

2) Nuk mund të bëhet apelim kundër vendimeve rotale në lëndën e anullimit të vendimeve dhe dekreteve.

3) Përballë Rotës Romake, nuk lejohet kërkesa lidhur me prishjen e vendimit për  hapjen e një çështjeje tjetër (N.C.P - Nova Causae Propositio), pasi njëra palë ka lidhur një martesë të re kanonike, nëse nuk konstatohet haptazi se është marrë një vendim i  padrejtë.

4) Dekani i Rotës Romake ka të drejtë të bëjë përjashtime nga normat rotale në drejtësinë procesuale, për shkak të rrethanave të rënda. 

5) Siç këshilluan Patrikët e Kishave Lindore, u rikthehet gjykatave territoriale kompetenca mbi çështjet gjyqësore lidhur me proceset martesore  nënshtruar gjykimit të Rotës Romake në rastin e apelimit.

6) Rota Romake t’i gjykojë çështjet sipas gjykimit ungjillor, domethënë me patrocinio ex officio, apo pa pagesë, përveç detyrimit moral për besimtarët, që të japin një lëmoshë drejtësie në favor të të varfërve.

Dokumenti Papnor përfundon me urimin që besimtarët, posaçërisht të plagosurit e të  palumturit, ta shikojnë Jeruzalemin e Ri, që është Kisha, si “paqe, drejtësi e lumni të mëshirës”(Baruku 5,4) e të munden, duke rigjetur krahët e hapur të Korpit të Krishtit, të intonojnë “Psalmin e mërgimtarëve” (126, 1-2): “Kur Zoti i riktheu të burgosurit  e Sionit, na u duk si të ishim në ëndërr. Atëherë vumë buzën në gaz, e gjuha jonë këndoi këngë gëzimi”.








All the contents on this site are copyrighted ©.