2015-12-11 18:58:00

Jubileu: hapen Portat e Mëshirës nëpër botë…


Pas Portës Shenjte të Bangui, në të dielën e parë e Ardhjes, që Papa e kremtoi në  Afrikën e largët Qendrore, atë ditë kryeqytet shpirtëror i botës, hapen edhe Porta të tjera Shenjte të Jubileut të Mëshirës. Kujtojmë fjalët e Françeskut në sa hapte Portën e parë Jubilare dioqezane:

“Zoti u priu hapave të mi deri tek ju, në këtë tokë, ndërsa Kisha  universale përgatitet të përurojë Vitin Jubilar të Mëshirës. E jam posaçërisht i gëzuar që vizita ime baritore përkon me hapjen, në vendin tuaj, të këtij Viti Jubilar”.

 Papa ofronte, kështu, forcën dhe pushtetin e Zotit, që e shërojnë njeriun, e ngrenë përsëri në këmbë, e bëjnë të aftë të nisë një jetë të re.

Në solemnitetin e Zojës së Papërlyer, të martën e kaluar, u hap Porta e parë Shenjte e Kishës universale: nisi Jubileu i mëshirës së Zotit

Papa Françesku përuroi solemnisht Vitin Shenjt të jashtëzakonshëm të Mëshirës, duke hapur e duke kapërcyer, pak para orës 11.00, Portën Shenjte të Bazilikës së Vatikanit. Ishte gjest, që pritej nga mbarë bota. Ati i Shenjtë mbështeti duart mbi bronzin e Portës së madhe, ndonëse privilegjin e hapjes së Portës së parë Shenjte e ruajti për zemrën e Afrikës, për drurin e një porte shumë më pak madhështore, por, për Papën e periferive, jo më pak shenjte:

“O Zot, ti që e dëfton gjithëpushtetin tënd posaçërisht me mëshirën ndaj njerëzve, bëj që të jetojmë një vit hiri, kohë e përshtatshme për të të dashur Ty e vëllezërit, në gëzimin e Ungjillit. M’i hapni portat e drejtësisë…”.

Kjo, thirrja e Papës, që jehoi në mbarë Kishën Universale përhapur deri në skajet më të harruara të botës.

E, pas Portës Shenjte të Bazilikës së Vatikanit, nisin të hapen edhe Porta të tjera Shenjte, njëra pas tjetrës….

Në Armeni u hap dje Porta Shenjte e katedrales armene katolike të Martirëve, në Gyumri. Kremtimin e kryesoi imzot Rafael Monassian kryeipeshkëv i armenëve katolikë të Armenisë dhe Gjeorgjisë, Rusisë dhe Evropës Lindore.  

E po dje u hap edhe Porta Shenjte e Katedrales së Manilës, në Filipine. Ishte kremtim krejt i veçantë, thellësisht prekës. Kardinali Luis Antonio Tagle, kryeipeshkëv i qytetit, ishte i rrethuar nga  një grup të varfërish, që e ndihmuan t’i hapte kanatat e Portës. Gjest simbolik, për t’i treguar botës mbarë se njerëzit më të preferuar për Kishën, janë pikërisht  të përjashtuarit, ata, që bota mund t’i shikojë si hedhurina, ndërsa Kisha, si thesarin e saj më të çmuar.

Dje, në Campobasso të Italisë, u hap Porta Shenjte e Katedrales së Qytetit. Ndërsa sot, Porta Shenjte e  Bazilikës në Castelpetroso të Bojanos, kushtuar Zojës së Dhimbshme, Pajtore e Moliseve.

Amman të Jordanisë, Porta Shenjte e Kishës famullitare të Shën Gjon Pagëzuesit della Salle u hap dje, me një kremtim plot gjallëri.

 Në Sofie të Bullgarisë, po dje, Nunci apostolik, imzot Anselmo Guido Pecorari dhe hekzarku apostolik, imzot Hristo Proykov, hapën Portën Shenjte në katedralen e Hekzarkatit Apostolik, kushtuar Përgjumjes së Zojës.

Edhe në Mauritius-Port-Louis Jubileu nisi dje. Me këtë rast u botua Letra baritore e ipeshkvit, imzot Maurice Piat, me temë “Falas  morët, falas jepni”.

Portat e mëshirës u hapen edhe në Kinën e madhe, pas një përgatitjeje të gjatë shpirtërore të bashkësive katolike. Nisi Jubileu në dioqezën e Zhou Zhi, ku 5 mijë besimtarë morën pjesë në hapjen e Vitit të Mëshirës,  kryesuar nga ipeshkvi Wu Qin Jing; u hapën edhe Portat Shenjte të dioqezaves San Yan, Wen Zhou, Zheng Zhou, Jinag Xi.

Në dioqezën Hai men të provincës Jiang Su, tema e zgjedhur për kremtimin dioqezan të Vitit Shenjt është ajo e inkulturimit. Në këtë dioqezë hapja e Vitit Shenjt të jashtëzakonshëm po kremtohet njëkohësisht me jubileun e 200-vjetorit të ugjillëzimit të zonës dhe 90-vjetorin e themelimit të dioqezës. E sot u hap edhe Porta e mëshirës e katedrales dhe e shenjtërores mariane.   

Në Ha er bin, në qendër të vëmendjes së Vitit  Shenjt është dashuria për të varfërit.

E sot, e Diela III e Kohës së Ardhjes, arrijmë në një kulm tjetër të kremtimeve me rastin e fillimit të Jubileut: në orën 9.30, Papa Françesku kremtoi Meshën dhe hapi Portën Shenjte të Bazilikës së Shën Gjonit në Lateran, seli e tij, si ipeshkëv i Romës.

Njëkohësisht kardinali kryeprift James Harvey, hapi Portën Shenjte të Bazilikës së Shën Palit jashtë Mureve.

Në trevat shqiptare, veprimtaritë e Vitit Jubilar filluan që dje.

E para, u hap Porta e Mëshirës në shenjtëroren e Zojës së Letnicës, në Kosovë, ku sot u hap edhe Porta në katedralen Nënë Tereza në Prishtinë e, më 19 dhjetor, do të hapet në shenjtëroren e Shna’Ndout në Gjakovë.  

Në Shqipëri, sot i hapi dyert katedralja e shën Shtjefnit në Shkodër,  më pas edhe Shenjtërorja e Zojës në rrëzë Kështjellës Rozafa;

në dioqezën e Sapës, katedralja e së Lumes Nënë Terezë në Vaun e Dejës e më vonë kisha e motrave karmelitane të klauzurës;

pas saj, katedralja e shën N’kollit në Lezhë dhe ajo e “Jezusit, Shëlbuesit të vetëm të Botës”, në Rrëshen.  

Konferenca ipeshkvnore e Shqipërisë ka caktuar një zyrë të veçantë për Jubileun e Mëshirës.

Veprimtaria më e rëndësishme e përbashkët e të gjitha dioqezave do të jetë takimi i meshtarëve, që do të mblidhen për të kremtuar së bashku më 3 qershor 2016, Solemnitetin e Zemrës së Krishtit, së cilës i kanë kushtuar jetën.

Së fundi, më 1 janar, do të hapet edhe Porta Shenjte e Bazilikës romake të Shën Marisë së Madhe. E ngjarja  e parë e madhe jubilare, do të jetë, Jubileu i familjeve, më 27 dhjetor.








All the contents on this site are copyrighted ©.