2015-12-11 17:16:00

Atë Cantalamessa: shenjtëria është nder, jo peshë që të tremb


Sot, në Vatikan u mbajt predikimi i dytë i Kohës së Ardhjes,  në praninë e Kuries Romake e të Papës. Predikatari i Shtëpisë Papnore, atë Raniero Cantalamessa, u përqendrua mbi temën: “Thirrja universale e të krishterëve për shenjtëri”, shprehje e shkëputur nga “Lumen gentium” (kapitulli V).

Hymë prej disa ditësh në 50-vjetorin e mbylljes së Koncilit II të Vatikanit  dhe në Vitin Jubilar të Mëshirës, kujtoi predikatari, i cili, në vijim, u ndal pikërisht tek lidhja ndërmjet temës së mëshirës dhe Koncilit II të Vatikanit, Në fjalën e hapjes së Koncilit, mbajtur më 11 tetor 1962, vijoi atë Cantalamessa, Shën Gjoni XXIII e theksoi me forcë mëshirën, duke e parë si risi e stil të Koncilit:

“Gjithnjë, shkruante, Kisha u është kundërvënë gabimeve; shpesh edhe i ka dënuar me ashpërsinë më të madhe. Tani, gjithsesi, Nuses së Krishtit i pëlqen të përdorë ilaçin e mëshirës, më shumë sesa atë të rreptësisë!”.

E, një gjysëm shekulli më pas, Viti i Mëshirës kremton pikërisht besnikërinë e Kishës ndaj këtij premtimi, pa harruar se Zoti nuk është vetëm mëshirë. Është edhe drejtësi. Por drejtësia e Zotit  nuk i kundërvihet mëshirës së Tij, sepse Zoti bën drejtësinë, duke bërë mëshirën. Zoti është dashuri, prandaj edhe i drejtë e i mëshirshëm.

Të jeni shenjtorë, sepse unë, Zoti juaj, jam shenjt!

 Në kapitullin V të “Lumen gentium”, titulluar “Thirrja universale për shenjtëri në Kishë”, kjo thirrje formulohet me këto fjalë:

“Të gjithë në Kishë, si ata, që i përkasin hierarkisë, ashtu edhe ata që drejtohen prej saj, janë të thirrur për shenjtëri, sipas thënies së Apostullit: ‘Ky është vullneti i Zotit, shenjtërimi juaj’” (1 Sel, 4,3).

E kjo, thirrja më e nevojshme e më urgjente e Koncilit. Pa të, të gjitha të tjerat janë të pamundura e të panevojshme! 

Nënë Tereza, model shenjtërie

Predikatari i Shtëpisë papnore e kujtoi edhe një herë Nënë Terezën, si model shenjtërie edhe për njerëzit e shekullit XXI, të cilët nuk e kanë aspak të lehtë ta kuptojnë shprehjen “nëse ne jemi të thirrur për të qenë shenjtorë”, nëse jemi shenjtorë për thirrje, atëherë është e qartë se do të jemi njerëz të vërtetë, të realizuar plotësisht, në atë masë, që jemi shenjtorë. Përndryshe, do të jemi dështakë. E kundërta e shenjtit nuk është mëkatari. Është dështaku. E në jetë mund të dështohet në njëmijë mënyra, mund të kemi një mori dështimesh relative, që gjithsesi nuk e rrezikojnë themeloren; por kur dështohet në atë, që është themelore për jetën,  dështimi është i plotë. Sepse njeriu dështon në atë që është, jo në atë që bën. Kishte të drejtë Nënë Tereza nësa, duke iu përgjigjur një gazetari, që  e pyeti çfarë ndjente, kur gjithë bota e thërriste shenjte, kujtoi: “Shenjtëria nuk është luks, është  nevojë”. 








All the contents on this site are copyrighted ©.