2015-12-10 12:27:00

Françesku në Shën Martë: ta lëmë mëshirën të na ledhatojë


Zoti është i dashuruar me vogëlsinë tonë, mëshira e tij është e pambaruar. Ky, pohimi kryesor i Papës në Meshën e mëngjesit, kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës, në të cilën morën pjesë edhe kardinajtë e Këshillit të të Nëntëve, që nisën, pastaj, takimin e 12-të të punës me Atin e Shenjtë.

Në homeli Françesku nënvizoi se mëshira është si ledhatimi, si përqafimi i prindit, që i jep ngushëllim e siguri fëmijës së vet.

“Zoti është i mëshirshëmn dhe i madh në dashuri”. Papa Françesku e shtjelloi homelinë e mëngjesit duke u frymëzuar kryesisht nga Leximi i parë, shkëputur nga Libri i Izaisë, atje ku, përmes një monologu të Zotit, kuptohet se Ati qiellor e zgjodhi popullin e Tij jo pse ishte i  madh e i fuqishëm, por sepse ishte më i vogli nga të gjithë, më mjerani nga të gjithë".

Zoti dashurohet me vogëlsinë tonë

Zoti, shtoi, është i dashuruar me këtë mjerim, është i dashuruar me këtë vogëlsi. Është i dashuruar me hiçgjënë tonë. E, në këtë monolog të Zotit me popullin e Tij, pohohet: “Kjo dashuri shihet. Preket. I ngjet asaj të atit a të nënës, kur flet me fëmijën e vet,  që zgjohet trembshëm në pikë të natës, pas një ëndrre të keqe. Dhe e siguron, duke i kujtuar ‘Unë jam në të djathtën tënde, qetësohu e mos ki frikë!’”:

“Të gjithë i kemi parë ledhatimet e baballarëve e të mëmave, kur fëmijët janë të shqetë e të trembur. Ashtu janë edhe ledhatimet e Zotit. Ai na thotë: ‘Mos ki frikë. Unë jam këtu, të dua fort, vocrraku im; jam i dashuruar me vogëlsinë tënde, me asgjënë tënde’. E edhe ‘Mos të trembin mëkatet tua. Unë të dua me gjithë zemër; jam këtu për të të falur’. Kjo është mëshira e Zotit”.

Zoti merr mbi vete ligështitë tona

Françesku kujtoi, më pas, një shenjt që bënte shumë pendesë, por Zoti i kërkonte e i kërkonte, derisa ai arriti t’i thoshte  se nuk kishte më asgjë për t’i dhuruar. E Zoti i gjegji: “Më jep mëkatet tua!”:

“Zoti dëshiron të marrë mbi vete ligështitë tona, mëkatet tona, lodhjet tona. Jezusi, sa herë dëgjonte ankimet e njerëzve të lodhur e të këputur, thoshte: ‘Ejani tek unë të gjithë ju, që jeni të lodhur prej barrës së rëndë e unë do t’ju çlodh. Merrni mbi vete zgjedhën time e pranoni t’ju mësoj unë, që jam zemërbutë e i përvuajtur. Kështu do të gjeni pushim për shpirtrat tuaj’”. Unë jam Zoti yt, që  të mbështet në të djathën tënde, mos u tremb, vocrrak, mos ki frikë. Unë do të të jap forcë. Më jep gjithçka ke, e unë do të të fal e do të të jap paqe.

Mëshira e Zotit na bëftë më të mëshirshëm me të tjerët

Këto, shtoi Papa, janë ledhatimet e Zotit, janë përkëdheljet e Atit tonë, kur  na drejton fjalën e mëshirës:

“Ne, që na ngrihen nervat, kur ndonjë gjë shkon për së mbrapshti, që bëjmë potere, që jemi të padurueshëm… Ai na thotë: ‘Mos u shqetëso,  bërë ç’bëre, qetësohu: mos ki frikë, unë po të fal. Jepma… Këtë kuptim  kanë fjalët e Psalmit, që sapo i përsëritëm: ‘Zoti është i mëshirshëm e i madh në dashuri’. Ne jemi të vegjël, Ai na dha gjithçka. Na kërkon vetëm mjerimet tona, vogëlsitë tona, mëkatet tona, për të na përqafuar, për të na ledhatuar”.

T’i lypim Zotit – përfundoi Françesku – të rizgjojë në shpirtin e secilit nga ne e në shpirtin e popullit të vet, besimin në këtë atësi, në këtë mëshirë, në zemrën e Tij. E t’i lutemi që ky besim në atësinë e në mëshirën e Tij, të na bëjë edhe ne pakëz të mëshirshëm ndaj të tjerëve.








All the contents on this site are copyrighted ©.