2015-12-10 13:21:00

Ambasada shqiptare pranë Selisë së Shenjtë: kurorë në nderim të imzot Mirditës


“Ju dërgoj nderimet tona dhe dhembjen tonë per kalimin në shtëpinë e Atit, të Imzot Rrok Mirditës. Ngushëllime për bashkëpunëtorin Tuaj e Mikun tonë të madh”. Këto dy rreshta janë shkruar nga I ngarkuari me punë i ambasadës së Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë, z. Visar Zhiti, i cili na dërgon një notë, apo “një kurorë me nderim”, siç e quan ai, për kryeipeshkvin e ndjerë të Tiranë-Durrësit. Por ja letra:

"Ambasada e Shqipërisë në Vatikan dërgon një kurorë me lule në Atdhe në nderim të Shkëlqesisë Tij, Imzot Rrok Mirdita, kryeipeshkv metropolit i Kryedioqezës Metropolitane Tiranë-Durrës, i cili ndërroi jetë në 7 dhjetor 2015 duke kaluar në shtëpinë e amëshuar të Atit.

Kurora është në emër të të Ngarkuarit me Punë pranë Selisë së Shenjtë dhe Urdhërit të Maltës, Visar Zhiti si dhe Zonjës së Tij, shoqëruar me ngushëllime Kryedioqezës Tiranë Durrës, Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, familjes Mirdita, bashkëpunëtorëve të tij, besimtarëve, me dhimbjen se iku një rilindas i palodhur i rimëkëmbjes së Kishës Katolike Shqiptare, vizionar e dinjitoz, i përzemërt dhe mik...

Kujtojmë takimet dhe pritjet e imzot Rrok Mirditës, bisedat me të dhe mirësinë e tij, qetësinë e shenjtë dhe bëmat.
Jeta e Tij është një përkushtim Hyut. E shfletojmë për ta patur shembull shelbimi dhe si mirënjohje për ato që arriti të bëjë për ne:

Lindi në Kllezën të Ulqinit në 28 Shtator 1939, ku kreu dhe studimet fillestare e ato të mesme, kurse studimet e larta filozofike dhe teologjike i kreu në Zagreb.
Imzot Rrok Mirdita e nisi si meshtar në vitin1965, kur u shugurua si i tillë nga kryeipeshkvi i Tivarit në Mal të Zi dhe më pas administrator i Kishës së Shën Pjetrit dhe Shën Palit në Salç dhe më 1970 famullitar i Kishës së Shën Gjon Pagëzorit në Klezë.
Dërgohet në Nju Jork për t’i shërbyer diasporës shqiptare katolike në Bronx në Qëndrën “Zoja e Këshillit të Mirë”, ku do të jetë dhe si meshtar i përhershëm në këtë Kryedioqezë, ku dhe themelon Radion “Zëri i Kishës Katolike Zoja e Shkodrës” për Nju Jorkun dhe rrethinat.
U njoh me emigracionin shqiptar, ndarjen e dhimbshme dhe persekutimin e familjeve të tyre në Shqipërinë diktatoriale, iu bashkua atyre, në shërbim të tyre, duke u dhënë shujtën e shpirtërore...

Në 25 prill 1993 shugurohet nga Papa Gjon Pali II për të filluar misionin si Kryeipeshkv i Durrës-Tiranës. Një vit më vonë do të jetë dhe President i Karitasit shqiptar
Në vitin 1996 zgjidhet kryetar i parë i Shoqërisë Biblike Ndërkonfesionale në Shqipëri si dhe kryetar Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë për dy mandate me radhë si dhe në vitet 2006 e 2009.
Në janar 2005 Papa Gjon Pali II e lartësoi në rangun e Kryeipeshkvit metropolit dhe po atë vit merr palion e metropolitit nga Papa Benedikti XVI në Bazilikën e Shën Pjetrit.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës i dha titullin “Qyetar Nderi”, po kështu dhe ai i qytetit të Rrëshenit

Në vitin 2006 Presidenti i Republikës së Shqipërise e dekoron me urdhërin “Nënë Tereza” dhe në vitin 2010 me Urdhërin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”.
Me nismën e tij dhe ideimin e tij mbahet në Tiranë për herë të parë në 2011 mbledhja e Këshillit të Konferencave Ipeshkvnore të Europës.
Në 13 maj 2013 Akademia Bonifaci VIII i dha titullin Akademik Nderi.

22 vjet në Shqipëri, Imzot Rrok Mirdita punoi me vetmohim për rilindjen e besimit në të gjithë vendin, nxiti arsimin, shëndetësinë kujdesin ndaj fëmijëve, familjes, qendrave sociale për fëmijët e braktisur, rehabilitimin e të rinjve të prekur nga droga, pa dallime fetare, iu desh të përballojë me përkushtim hallet dhe vështirësitë e Luftës së Kosovës, dyndjen si në bibël të refugjatëve nga Kosova dhe në vitin 1999 u bën thirrje institucioneve të ndryshme katolike të Europës për ndihmë, ku autoriteti i tij gjeti përkrahje dhe mbështetje.

Imzot Rrok Mirdita donte një Shqipëri euroantlantike me besim te Zoti, si një katolik i madh rizgjoi dhe risolli vlera humane e shpirtërore, punoi në forcimin e mëtejshëm të harmonisë fetare në Shqipëri, aq proverbiale në botë. Ai pati fatin të presë dhe dy papë në Tiranë, në vizitat e tyre apostolike dhe historike.

Së fundmi Papa Françesku i dërgoi Imzot Rrok Mirditës një letër me rastin e 50 vjetorit të gëzueshëm të meshtarisë së tij, që u kremtua në 4 korrik 2015 në Kishën Katedrale të Shën Palit Apostull në Tiranë, e cila dhe ajo u ngrit dhe me nismë të Imzot Rrok Mirditës.
“Vëlla i Nderuar” e quan me dashuri Papa Françesku.

Ai dinte t’i takonte njëlloj të gjithë. Shkonim në Katedralen tonë dhe bisedonim me Imzot Rrok Mirditën, shkëmbenim ide dhe libra, i kam dhënë përkthimin tim me lutje të Nënë Terezës, kam Biblën me autografin e tij, ndërkaq homelitë e Imzot Rrok Mirditës, shkrimet, përshëndetjet, fjala e tij, janë botuar në tri vëllime “Për një Shqipëri me Zotin...”, duke e pasuruar kështu këtë lloj literature në gjuhën amtare.
Imzot Rrok Mirdita interesohej dhe përkujdesej për mbarëvajtjen e Ambasadës tonë pranë Selisë së Shenjtë dhe, sa herë vinte në Romë, premtonte vizita duke qenë kështu mysafiri i nderuar i saj.

Bëmat e tij për Hyun dhe dritën e Tij do të jenë përgjithmonë në kujtesën apostolike të Kishës shqiptare dhe të gjithë shqiptarëve kudo në botë".








All the contents on this site are copyrighted ©.