2015-12-09 14:34:00

Papa Françesku: mëshira mund ta ndryshojë botën


I përqendruar plotësisht mbi temën e mëshirës së Zotit, katekizmi i  audiencës së sotme të përgjithshme, mbajtur nga Françesku në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan. Papa foli për kuptimin e këtij Viti Shenjt, duke  pohuar se të besosh në mëshirën e edhe ta jetosh së bashku me vëllezërit, do të thotë të hysh në zemër të fesë së krishterë, sepse është pikërisht kjo, që i pëlqen më shumë Zotit.

Kisha ka nevojë për Jubileun e mëshirës

Sot dëshiroj të reflektoj, së bashku me ju, mbi kuptimin e këtij Viti Shenjt, duke iu përgjigjur pyetjes: “Po pse ky Jubile i mëshirës?".  Kështu e nisi Papa reflektimin e sotëm:

 “Kisha ka nevojë për këtë çast të jashtëzakonshëm. Nuk po them se është i mirë për Kishën ky çast i jashtëzakonshëm…Jo, jo! Po them: Kisha ka nevojë për këtë çast të jashtëzakonshëm”.

Çka i pëlqen më shumë Zotit, është të falë

Ka nevojë Kisha. Sepse duhet t’i bëjë të dukshme shenjat  e pranisë  e të afërsisë së Zotit, nënvizoi Françesku. Ky është kontributi i veçantë, që duhet të japë sot Kisha. E Jubileu është kohë e favorshme për të gjithë ne, që të bëhemi dëshmitarë më të bindur e më të zellshëm.

Ta shikosh mëshirën e Zotit, pohoi Papa, e t’i shikosh edhe vëllezërit që kanë vërtet nevojë për këtë mëshirë, do të thotë ta përqendrosh vëmendjen mbi përmbajtjen themelore të Ungjillit, gjë që është veçanti e fesë së krishterë.

Ky Jubile është çast i posaçëm, që i krijon Kishës mundësinë të mësohet për të zgjedhur vetëm “atë, që i pëlqen më shumë Zotit”. E kjo do të thotë “t’i falë bijtë e vet, të ketë mëshirë për ta, që pastaj edhe ata të mund t’i falin vëllezërit e tyre”:

“Pse Zoti ishte aq i kënaqur pas krijimit të burrit e të gruas? Sepse në fund të fundit, tani kishte kë të falte. E bukur, kjo, eh? Zoti gëzohet kur fal, Zoti është mëshirë. Prandaj në këtë vit  duhet t’i hapim zemrat, që kjo dashuri, ky gëzim i Zotit të na mbushë të gjithë me  mëshirë”.

Mëshira  e bën botën më njerëzore

Edhe përtëritja e institucioneve dhe e strukturave të Kishës, nënvizoi Françesku, është mjet, që duhet të na ndihmojë për të fituar përvojën e gjallë e gjallëruese të mëshirës së Zotit. E vetëm kjo mund t’i krijojë Kishës mundësinë të jetë “qytet i vendosur mbi mal, që nuk mund të rrijë i fshehur”.

 Ta ndjejmë fort në shpirtin tonë gëzimin që provohet kur Jezusi na gjen rishtas. E ky është edhe synimi i Kishës në këtë Vit Shenjt:

“Kështu do të forcojmë në shpirtin tonë sigurinë se mëshira mund të kontribuojë realisht në ndërtimin e një bote më njerëzore. Posaçërisht në kohët tona, kur falja është mysafir i rrallë në mjediset e jetës,    kujtimi i mëshirës bëhet edhe më i ngushtëm, e kjo duhet të ndjehet fort në çdo  vend: në shoqëri, në institucione, në punë e edhe në familje”.

Të pranojmë se jemi mëkatarë

Përballë ndokujt që, duke pasur parasysh nevojat urgjente të njerëzimit, i duket tepër pak për Kishën kundrimi i mëshirës gjatë këtij viti, Papa pranon se duhet bërë vërtet shumë. Por, çfarë i mbetet njeriut, pa mëshirën? I mbetet gjithnjë vetëm dashuria për vetveten. E kjo lloj dashurie s’është tjetër, veçse përpjekje  për të mbrojtur interesat vetjake, për të shijuar kënaqësi, për të pasur nderime, për të përvetësuar pasuri, ku të gjejë e ku të mundet. Ndërsa në jetën e të krishterëve, mëshira përdoret shpesh si maskë, për të fshehur pas saj hipokrizinë dhe mendësinë e botës. Ja pse, përfundoi Ati i Shenjtë, është e nevojshme ta pranojmë se jemi mëkatarë:

“O Zot, jam mëkatar; Zot, jam mëkatare: eja tek unë me mëshirën tënde! Kjo është lutje shumë e bukur. Edhe e lehtë, eh? Lutje e lehtë për t’u thënë ditë për ditë: ‘Zot, jam mëkatar: Zot, jam mëkatare: eja tek unë me mëshirën tënde!”.

Të besojmë se mëshira mund ta ndryshojë botën

Thua është foshnjarake të besosh se lutja mund t’ia ndryshojë faqen botës? Po, sipas mendimit njerëzor, kjo është me të vërtetë marrëzi e madhe, por të mos harrojmë se “çka në Hyjin duket marri, është më e dijshme se njerëzit, e çka në Hyjin duket ligështi, është më e fuqishme se njerëzit”. 

Në Sheshin e Shën Pjetrit, sot larë me rreze dielli, ndërmjet besimtarëve ishte edhe një grup gajdexhinjsh, që krijuan atmosferë festive me tingujt e instrumenteve të tyre. Luajtën gjatë, të ndjekur me entuziazëm nga besimtarët e pranishëm, këngë tipike popullore Krishtlindjeje, duke u kujtuar të gjthëve se Festa  tashmë është fare pranë.








All the contents on this site are copyrighted ©.