2015-12-08 10:16:00

Zoja e Papërlyer: të përsëris edhe unë atë ‘po' thënë Zotit


Festa e Zojës së Papërlyer
Ajo ‘po’ e Marisë, vashës së Nazaretit, dhënë kumtit, që i solli engjëlli nga qielli, më mbush me besim.
Në një histori, që për sytë njerëzorë duket krejt pa rrugëdalje, shohim rikthimin e amshuar në horizontin e historisë. Një ‘po’ hap portat e qiellit.
Rilind, atëhere, shpresa e fortë, falë një Vashe të përvuajtur e të thjeshtë.
Gatishmëria e të varfërve bëhet udhë mbretërore, konkretizim i hyjnores, përmbysje horizonti: qielli bëhet tokë, që toka të takohet me qiellin.
Nuk më mjafton vetëm të mendoj për misterin e pashqyrtueshëm, që përvujtëria e saj të më mahnisë: duhet të përsëris edhe unë atë ‘po’, sot, përmes hirit të saj, për t’u përfshirë në krijimin e ri, që e ka zanafillën këtu, në të sotmen, në vendin ku banoj, ndërmjet njerëzve, që i njoh e për ata, që do t’i takoj në të ardhmen…
“Me pritë: paskajore e foljes me dashtë! Madje, në fjalorin e Marisë, me dashtë të paskajshmen!

Shenjtja Mari, vashë gjithnjë për udhë, sa dëshirojmë të të përngjajmë në vrapin tonë dihatës. Jemi shtegtarë, si ti, e nganjëherë, në çantën e shtegtarit, na mungon harta e udhës, për të na e shtjelluar shtegun.
Shijen e jetës sonë të përditshme, jepnae neve sot! E shtigjet tona qofshin si tuajat, mjet komunikimi me njerëzit e jo izolantë, që sigurojnë vetminë tonë, të patrazuar nga britmat e botës. Merrna për dore e, në se shikon se lëkundemi buzë honit, ndalnae hapin, o e ëmbla Samaritane, për të na i lyer plagët me vajin e ngushëllimit e verën e shpresës. E pastaj, përcillna rishtas për udhë. Nga mjegullat e këtij shekulli plot me lot, ku mëkatnojmë tash e në fill të mortjes sonë, premto t’i lartojmë sytë kah malet, prej nga na vjen shpëtimi. E atëherë, në shtigjet tona, do të jehojë ngazëllimi i Magnificat. E zemrat tona do të madhërojnë Zotin, si në atë ditë të largët pranvere, kur ti shkelje, duke kënduar, mbi shtigjet malore të Judesë.

(Don Tonino Bello)








All the contents on this site are copyrighted ©.