2015-12-08 13:38:00

Zoja e Papërlyer, Nëna e Krishtit e Nëna jonë


Sot më 8 dhjetor Kisha na fton të kundrojmë misterin e Virgjërës Mari zënë pa mëkat të rrjedhshëm! Zoja e Papërlyer është Nëna e Krishtit e Nëna jonë!

Nënë krejt e veçantë, Zoja e Zënë pa Mëkat, u zgjodh nga Hyji për një mision të pashembullt e misterioz, për të lindur në jetën tokësore, Fjalën e amshuar të Atit, që erdhi në botë për shpëtimin e të gjithë njerëzve.

E Maria, e papërlyer në zënien e saj virgjërore, e përshkoi shtegtimin tokësor e mbështetur mbi një fe guximtare, mbi një shpresë të palëkundshme, mbi një dashuri të përvujtë e të pakufishme, duke ecur në gjurmët e të Birit, Jezusit. Ishte pranë tij me dashuri amtare nga lindja, deri në Kalvar, ku e pa duke u kryqëzuar e bërë gur nga dhimbja, por pa e humbur për asnjë çast shpresën.

Zoja e Papërlyer është Nëna e Zotit, por edhe Nëna jonë. Nga lartësia e Kryqit Jezusi, para se ta kryente plotësisht flijimin e tij, na e dhuroi si Nënë e na lëshoi në duart e Saj si bijtë e Tij. E ajo na fton gjithnjë të largohemi nga e keqja e të bëjmë të mirën, duke ndjekur me bindje ligjin hyjnor, të shkruar në zemrën e çdo të krishteri.

Ajo, që nuk e humbi shpresën edhe në kulmin e provës, na kërkon të mos dëshpërohemi, edhe atëherë kur vuajtja e vdekja trokasin në portat e shtëpive tona. Na kërkon të shikojmë plot besim drejt së ardhmes, na nxit të jemi vëllezër njëri për tjetrin, të bashkuar në impenjimin për të ndërtuar së bashku një botë më të drejtë, më solidare e më paqësore.

Zoja e Papërlyer na kumton përsëri një mesazh drite e shprese, me urimin që ta pranojnë njerëzit e të gjitha kombeve e të gjitha kulturave. Edhe një herë, në këtë ditë solemne, Kisha i tregon botës Marinë si shenjë e sigurtë e shpresës dhe e fitores përfundimtare të së mirës mbi të keqen.

Ajo, që e quajmë ‘Hirëplote’, na kujton se jemi të gjithë vëllezër e se Hyji është Krijuesi ynë e Ati ynë. Pa Të, e aq më keq kundër Tij, ne njerëzit nuk mund ta gjejmë kurrë rrugën, që të çon në dashuri, nuk mund ta mposhtim kurrë pushtetin e urrejtjes e të dhunës, nuk mund të sigurojmë kurrë një paqe të qëndrueshme.

Nëse jeta është shtegtim, e nëse ky shtegtim bëhet shpesh i errët, i vështirë e i mundimshëm, cili yll mund ta ndriçojë?

Në fillim të Kohës së Ardhjes, së bashku me Kishën, ia ngulim sytë Marisë dhe i lutemi si ‘yll i shpresës’. Gjatë lundrimit tonë të përbashkët në detin e trazuar të historisë, kemi nevojë për ‘drita shprese’, për njerëz që e marrin dritën nga Krishti e na japin, kështu, drejtimin për shtegtimin tonë.

E kush më mirë se Maria mund të jetë për ne “Yll i shpresës”?

Duke iu përgjigjur ‘po’ ftesës së Krijuesit, Maria krijoi kushtet që shpresa e mijëravjeçarëve të bëhej realitet, të hynte në botë e në histori. Përmes Saj Hyji u mishërua, u bë një nga ne, e nguli banesën mes nesh.

Prandaj, përplot me besim bijnor, t’i themi: “Na mëso, o Mari, të besojmë, të shpresojmë e të duam së bashku me ty; na e trego rrugën që çon drejt paqes, rrugën drejt mbretërisë së Jezusit. Ti, Yll i shpresës, që na pret zemërdridhur në dritën e paperëndueshme të atdheut të amshuar, shkëlqe mbi ne e na prij në të përditshmen tonë, sot e përgjithmonë e jetës. Amen!”.








All the contents on this site are copyrighted ©.