2015-12-08 18:06:00

Sapë: Panairi i Personave me Aftësi të Kufizuar


Në kuadër të aktiviteteve të Kohës së Ardhjes, Caritasi Dioqezan Sapa në Vau-Dejës nëpërmjet Qendrës së Këshillimit dhe Kujdesit Ditor, organizoi panairin me punime artistike dhe artizanale të realizuara nga fëmijët dhe personat me aftësi të kufizuar, të cilët janë pjesë përfituese e shërbimit ditor që ofron kjo qendër.

Në këtë hapje të panairit ishin të pranishëm protagonistët e këtij evenimenti, personat me aftësi të kufizuar, familjarë, pjesëmarrës të arsimit dhe shëndetësisë, kryetari i bashkisë Vau-Dejës dhe Shk. Tij Imzot Lucjan Avgustini etj.

Drejtori i Caritasit Dioqezan z. Nikolin Lekaj foli rreth jetës dhe veprimtarisë së kësaj qendre, e cila tashmë gëzon të drejtat e plota duke ofruar mbështetjen dhe përkujdesjen e duhur sociale të kësaj kategorie.

Ipeshkvi i Sapës, Imzot Lucjan Avgustini shprehi mirënjohjen ndaj Caritasit Dioqezan, i cili me vite angazhohet dhe punon në favor të personave me aftësi të kufizuar. Mjerisht tha ai, në Shqipëri, duke qenë një person me aftësi të kufizuar, do të thotë të jesh pothuajse në një gjendje të pashpresë. Paragjykimet kundër personave të tillë janë ende të forta dhe diskriminuese. Ndaj, është detyrë dhe përgjegjësi e jona, e shoqërisë, e qeverisë apo organizatave të ndryshme, e mbi të gjitha e secilit prej nesh që të angazhohemi në favor dhe të mirën e tyre. Duke shprehur falenderimet e përzemërta, ipeshkvi përfundoi fjalën e rastit me fjalët e Nënë Terezes, e cila thotë: “Njerëzit janë të krijuar për gjëra të mëdha: për të dashur dhe për të qenë të dashur”.

Edhe kryetari i Bashkisë Z. Zef Hila duke folur për pjesëmarrjen në këtë aktivitet falenderoi Caritasin dhe të gjithë personat e angazhuar për këtë panair, dhe shprehi bindjen se tashmë realiteti i personave me aftësi të kufizuar është drejt përmirësimit falë strategjisë së ndjekur nga ky institucion.

Të pranishmit vizituan më pas panairin ku u shfaqën rreth 100 punime të ndryshme të punuar nga 16 fëmijë që janë pjesë e qendrës. Punimet e tilla treguan dhe dhanë një rezultat që njerëz të tillë edhe pse në kushte të vështira fizike, mund t’ia dalin dhe japin shpresë për të jetuar si gjithë të tjerët. Përmes këtyre punimeve me krijime të vetë personave shprehin botën dhe imagjinatën e tyre duke dhënë edhe mesazhe sensibilizuese si dhe duke promovuar aftësitë dhe talentet e tyre. Gjithashtu theksojmë se Caritasi Dioqezan në të ardhmen do të krijojë strategji të plota për t’iu ofruar shërbimet dhe për të forcuar dinjitetin e këtyre personave duke respektuar të drejtat e tyre dhe për të përmirësuar mirëqënien e tyre. 

Panairi do qëndrojë i hapur gjatë gjithë kësaj jave, ku pritet të vizitohet nga grupe të ndryshme qofshin ato të shkollave apo edhe famullive të dioqezës së Sapës.








All the contents on this site are copyrighted ©.