2015-12-08 10:50:00

Rubrika jubilare: Shtegtim shpirtëror përmes Portës Shenjte të Bazilikës së Shën Pjetrit


Filloi Viti  Shenjt i Mëshirës e Porta Shenjte u hap. Po pse u hap?

Shën Marku Ungjilltar, duke folur për fillimet e predikimit të Jezusit, kujton këto fjalë: “Koha u përmbush. Pendojuni!”.

Po pse thotë kështu?

Përgjigjja është Lajmi i Mirë, që ne të krishterët e përhapim nëpër botë. Është ky: “Koha nuk është e zbrazët, koha nuk është ikje pa kthim e pa kuptim  ditësh e vitesh”.

Jo! Nuk është kështu. Koha mbushet nga Zoti, nga prania e Tij. Ati dërgoi të Birin brenda kohës sonë, për ta ngulur çadrën e  tij  ndër ne.

Atëhere, Zoti mund të takohet! Madje diçka më shumë! Zoti u bë bari, për të kërkuar delen e humbur, për të na kërkuar ne! Zoti e hapi portën e zemrës së tij e na pret në udhët e ditëve tona.

Të kapërcesh Portën, do të thotë: “Dua ta takoj Zotin! Dëshiroj të bëj një hap drejt Tij”.   

Po cili është hapi i parë?

Hapi i parë i domosdoshëm është të pranojmë se jemi mëkatarë. Se kemi shumë gabime, jemi të dhënë pas idhujve, zotave të rremë, sigurive të rreme, që heret a vonë na zhgënjejnë, duke na lënë një shije të hidhur në gojë. Të gjithë e kemi ndonjë zot të rremë në sirtaret e fshehta të zemrës.

Zot i rremë është krenia, që na depërton kudo e na bën arrogantë e të mbyllur, si kasafortat, të mbyllur për Zotin e për vëllezërit.

Zot i rremë është egoizimi, që na shtyn t’i shikojmë të gjithë e gjithçka në shërbim të vetes, duke na bërë të pakëndshëm e të paaftë për vëllazëri.

Zot i rremë, paraja, që na krijon iluzionin se jemi të pasur, ndërsa vërtet i pasur është kush jep gjithçka, për të grumbulluar thesare në Mbretërinë e Qiejve.

Zot i rremë, zilia, që na bën të vuajmë kur e shikojmë mirë tjetrin, na bën sherrxhinj e të papajtueshëm. E sytë tanë, ta shikojnë të deformuar fytyrën e të afërmit tonë.

Duhet t’i flakim tutje këta idhuj e të themi me përvujtëri e sinqeritet të dalë nga zemra: “Mëkatova. Gabova. U gënjeva nga idhujt". Si ta kemi thënë këtë, mund t’i lartojmë menjëherë sytë e të shikojmë Fytyrën e mëshirshme të Zotit e t’i ndjejmë krahët tij, që na shtrëngojnë e gojën e tij, që na thotë:

“Të prita shumë! Por ndërro jetë! Flaki tutje idhujt e më ndiq në udhën e urdhërimit të dashurisë. Jetoje urdhërimin gjithë ditën e lume e me gjithë të afërmit, që do të të vë pranë, pa përjashtuar asnjë!”.

Të themi së bashku “Ashtu qoftë!”.

Zoja,  e Papërlyera, na jep sigurinë ngushëlluese: “Mëshira e Zotit shtrihet nga breznia në brezni!”. E kjo do të thotë se mëshira është gjithnjë e re, gjithnjë e freskët, gjithnjë aktuale, gjithnjë e pranishme.

 Ta  kapim këtë orë të bekuar e të përfitojmë nga Zoti, që kalon. T’ia tregojmë përvujtërisht plagët e hapura nga ligësitë tona e ta lëmë të na i shërojë.

Është Viti Shenjt i Mëshirës. Të përfitojmë prej tij!

Në Portën Shenjte të Bazilikës së Shën Pjetrit paraqiten 16 skena, që fotografojnë gjithë historinë e mëshirës së Zotit, i cili vjen vazhdimisht të na takojë. Të hyjmë së bashku mbrenda kornizës së tyre!

 

1 Rubrika mbështetet tek libri “Shtegtim shpirtëror përmes Portës Shenjte të Bazilikës së Shën Pjetrit”, shkruar nga kardinali Angelo Komastri, botuar në Vatikan, në prag të Jubileut. 








All the contents on this site are copyrighted ©.