2015-12-08 10:01:00

Më 8 dhjetor Kisha na fton të kundrojmë misterin e Virgjërës Mari zënë pa mëkat të rrjedhshëm


Në fillim të Kohës shpirtërore të Ardhjes, gjatë përgatitjes sonë për Krishtlindje, Kisha na fton të kundrojmë misterin e Marisë së zënë pa mëkat të rrjedhshëm. Për disa minuta do të reflektojmë së bashku mbi rolin e Virgjërës Mari në rrugën e shëlbimit, ditën e solemnitetit të festës së Zojës së Papërlyer.

Siç dihet, Festa e Zojës së Papërplyer Festa e Zojës së Papërplyer është ndër festat më të bukura e popullore kushtuar nderimit të Nënës Qiellore, të së Lumes Virgjërës Mari. Në këtë festë të të Zënurit të Pafaj të Virgjërës Mari, besimtarët e krishterë me mirënjohje të veçantë kanë pse t’i këndojnë Zotit për mrekullitë e bëra dhe për dëftimin e planit Hyjnor të shëlbimit për mbarë njerëzimin që Ai na dhuroi në personin e Virgjëres Mari, Zojës së Papërlyer, festën e së cilës Kisha e kremon sot më 8 dhjetor. Po cila është domethëia e porosia e kësaj feste për besimtarë të krishterë?

Sigurisht Maria është rruga historike që ndoqi Zoti për të hyrë në botë. Në se kujtojmë tregimin mbi Lajmërimin e Zojës, na çudit një fakt: Shën Luka ungjilltar me saktësi të plotë e me përpikmëri të jashtzakonshme, thotë: “Engjëlli Gabriel u dërgua nga Hyji”. Ky plotës vepruesi është vërtetë si një bubullimë, e kush thotë se mariologjia është shpikje e mëvonshme e Kishës katolike, përgenjeshtrohet menjëherë nga Ungjilli.

Mariologjia lind njëherësh me Ungjillin e lind sepse Hyji kërkon bashkëpunim; e Maria është bashkëpunimi më i bukur që Zoti ka mundur të gjejë ndonjëherë në historinë e njerëzimit. Engjëlli Gabriel u dërgua nga Hyji: Kisha kujton se rruga historike që ndoqi Hyji për të hyrë në botë, është rruga e Marisë, atëherë e rijeton këtë rrugë, e rimendon, e rimediton, për të mësuar nga Maria stilin e pohimit të saj, të bashkëpunimit të saj me Zotin.

Maria është krijesë e jashtzakonshme, sepse liria e saj nuk dështon, si dështojnë shumë liri; liria e saj ia hap plotësisht portat Hyjit në nënshtrimin që çliron, në dëgjesën që të bën të pjekur, në bindjen që të bën të lumtur, prandaj Maria thotë: “Ja shërbëtorja e Zotit, u bëftë mbi mua si është fjala jote”. E kjo ‘Ja shërbëtorja e Tënzot” është pika qëndrore e mbarë historisë së njerëzimit e me të lidhemi të gjithë e të gjithë kemi nevojë të rikthehemi tek kjo “Ja shërbëtorja Tënzot”, për ta përsëritur edhe ne këtë shprehje, për të thënë edhe ne ‘po’. E këtë mund të na e mësojë më mirë se kushdo Maria, që është mësuese feje.

 Kisha pra, të nderuar dëgjues e besimtarë, në këtë kohë pritjeje, na ofron shembullin e Marisë si të përgatitemi për Lindjen e Krishtit, si të veprojmë që zemra jonë të jetë e gatshme për të pranuar Zotin që vjen. E Kisha në festën e sotme na thotë se duhet ta përshkojmë, së bashku me Marinë, rrugën e Betlehemit.

Kur Maria vihet për udhë, sigurisht lëshohet plotësisht në dorë të Zotit. Ndoshta mund t’i ketë bërë vetes pyetjet: ç’më duhet ky udhëtim? E si mund ta nxjerr në dritë foshnjen larg nga shtëpia? Ç’ mund të më ndodhë e, sidomos, ç’ mund t’i ndodhë foshnjes? Por sigurisht Maria i është përgjigjur menjëherë këtyre pyetjeve bërë vetvetes me të njëjtat fjalë, që ia tha Engjëllit i Zotit: “Ja, shërbëtorja e Tënzot, jam gati të shkoj ku të duash e të bëjë ashtu si të duash”.

Ne pra, duhet të ulemi në bankat e shkollës së Marisë, për ta përshkuar përsëri rrugën e Betelehemit. E kemi shumë nevojë ta bëjmë këtë udhë shpirtërore, sepse sot, posaçërisht në shoqërinë tonë bashkëkohore, perëndimore, vlejnë vetëm dy pushtete: pushteti i parasë e pushteti i suksesit, dy demonë në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, dy gënjeshtra, dy mashtrime kolosale, sepse këto nuk mund të japin lumturinë e vërtetë e në këto nuk mund ta gjejmë kučtimin e jetës. Për këtë e dimë se vlen vetëm Zoti: ky është mësimi i Krishtlindjes.

E për ta përvetësuar këtë mësim të Foshnjes së Betlehemit, Maria është mësuesja më e mirë; derisa rruga që përshkuan Maria me Jozefin është ajo që Kisha na e propozon edhe neve në Kohën e Ardhjes, në mënyrë që nga viti në vit, t’i afrohemi sa më pranë misterit të Betlehemit dhe të mbushemi plot me dritën e tij Hyjnore, aq sa ta dëgjojmë edhe ne këngën e Engjëjve: “Lumturi i qoftë Zotit në lartësitë qiellore e paqe në tokë njerëzve që ai i do”.








All the contents on this site are copyrighted ©.