2015-12-08 14:43:00

Mesila Doda: Imzot Rrok Mirdita ishe rruga e dashurisë dhe mençurisë së Zotit për popullin tënd, për grigjën e Hyjit.


Mesila Doda kujton figuren e kryeipeshkvit Imzot Rrok Mirdita. 

Dy fjalë për Imzot Rrok Mirditën
Unë nuk di të shkruaj nekrologji e as është e domosdoshme të mësoj a të bëj një zhanër të tillë sot. Më mungon ajo ftohtësia e domosdoshme në kësi rastesh për të treguar qartë dhe pa emocione të mirat dhe arritjet e një qenie njerëzorë përgjatë jetës mbi tokë dhe besoj se akti i largimit nuk është fundi, por thjesht kthimi i shpirtit ne shtëpinë e Atit.

Imzot Mirdita është pa dyshim një pjesë e historisë së këtij vendi dhe unë besoj se shumë autoritete të Kishës katolike e të jetës laike, mund ta bëjnë këtë përshkrim fantastik të jetës së një njeriu që erdhi në një tokë djerrë nga vuajtjet dhe ligësia e një diktature dhe mbolli përditë farën e besimit, duke dhënë pa u lodhur shembullin e njeriut të Zotit që i shpalos dyert e Kishës, për të pranuar brenda grigjën e Hyjit.

U ula të shkruaj këto dy fjalë thjesht si një besimtare që sot humb ipeshkvin që e pagëzoi, kungoi, krezmoi, tek i cili morri Sakramentin e shenjtë të martesës, klerikun që pagëzoi fëmijët e mi, i pa të rriteshin brenda mureve të katedrales së Shën Palit.

U ula të shkruaj dy fjalë si një njeri që humb një mik të madh e të mirë që nuk zhgënjente kurrë në besimin e pafund që na jepte, në dashurinë e tij për miqtë, për besimtarët, për çdo qenie njerëzore që e rrethonte. Kjo ishte shkolla e madhe e dashurisë dhe përunjësisë së Monsinjor Mirditës.

Është e vështirë për ne shqiptarët, ndoshta sfida më e vështirë për ne, të dimë të mundim mëkatin e krenarisë dhe lavdisë dhe të jemi në mënyrë konstante e të përmbajtur, të përunjur, duke e konsideruar këtë virtyt. Imzot Mirdita ishte njeriu që të mësonte se përunjësia është e bukur, është e fuqishme, më fort se çdo krenari e lavd, a rrëmbim momenti. 

Tash që sjell ndër mend portretin e ndritur e miqësor të imzot Mirditës, më kujtohet shprehja e Nënë Terezës që ai parapëlqente ta citonte…jam thjesht një laps i vogël në duart e Zotit…
Në të vërtetë prania e Imzot Mirditës ishte një laps i fuqishëm në Dorën e Hyjit, një laps me të cilin Ai na shkruajti një letër dashurie të gjithë ne shqiptarëve. Prania e tij ishte shkëmb, shkëmbi mbi të cilin Hyji ringriti edhe njëherë Kishën e tij të shenjtë, katolike, apostolike.

Lamtumirë Shkëlqesi! Nëse ti nuk do ishe në vendin tim, në vendin tonë, unë nuk e di nëse sot do isha pjesë e këtij komuniteti të jashtëzakonshëm katolik shqiptar. Nëse ti do mungoje në vendin tim, në vendin tonë, Hyji do kish gjetur 100 rrugë të tjera për tek ne, por ti ishe rruga e tij e dashurisë dhe mençurisë për popullin tënd, për grigjën e Hyjit. Thoshe shpesh që ishe me fat, sepse fillimin e rrugës tënde në Shqipëri e nisi Papa Gjon Pali II dhe e përmbylli një Papë tjetër, Papa Françesku. Të gjithë ne ishim me fat, që Ti ishe mes nesh, që besimin tonë e shoqërove dhe rrite në emër te Hyjit dhe dashurisë tij…tash do kemi një tjetër zë pranë Atit që lutet për ne.

Mesila Doda

 








All the contents on this site are copyrighted ©.