2015-12-08 14:31:00

Françesku në Engjëllin e Tënzot: nuk kemi frikë, Zoti është shumë i mirë e i fal të gjithë


Pas Meshës dhe hapjes së Portës Shenjte, Françesku u duk në dritaren e Pallatit Apostolik për kremtimin e Engjëllit të Tënzot. Festa e Zojës së Papërlyer, uroi, u bëftë festë e ne të gjithëve, që të dimë ta mirëpresim Zotin e të bëhemi mjeshtra të mëshirës:

“Maria është e para e shpëtuar nga mëshira e pambaruar e Atit”.

Kjo, shpjegoi Papa, është domethënia e Të Zënit pa Mëkat të Marisë, fryt i parë i shëlbimit, që Zoti dëshiron t’ia dhurojë çdo njeriu, në Krishtin.

Edhe pse jetoi në botën e damkosur nga mëkati, ajo nuk u prek: është motra jonë në vuajtje, por jo në të keqe e në mëkat. Madje e keqja në të u mund para se ta çikte, sepse Zoti e mbushi me hir. 

Maria është ikonë sublime e mëshirës hyjnore, që fitoi mbi mëkatin:

“E ne, sot, në fillim të Jubileut të Mëshirës, duam ta sodisim këtë ikonë me dashuri plot besim e ta kundrojmë në gjithë shkëlqimin e  saj, duke i përngjarë në fe”.

Virgjëra Mari, e paprekur kurrë nga mëkati, është Nënë e njerëzimit të ri. Ta kremtojmë këtë festë, do të thotë ta pranojmë plotësisht Zotin e hirin e tij mëshirplotë në jetën tonë e të bëhemi edhe ne mjeshtra të mëshirës, përmes përshkimit të udhës ungjillore:

“Festa e Zojës së Papërlyer bëhet festë e të gjithëve, nëse me ‘po’-në tonë të përditshme fitojmë mbi egoizmin, duke e bërë më të gëzueshme jetën e vëllezërve, duke u ngjallur shpresë, duke tharë ndonjë lot e duke dhënë sadopak gëzim”.

Kjo festë, shtoi Papa, na kujton se në jetën tonë gjithçka është dhuratë, gjithçka është mëshirë, e kjo, edhe fjala që përmbledh gjithë Ungjillin, tipar themelor i fytyrës së Zotit.

Pas kremtimit të Engjëllit të Tënzot, Papa kujtoi se sot pasdite do të shkojë në Sheshin e Spanjës, në zemër të Romës, për t’u lutur tek këmbët e monumentit të Zojës së Papërlyer, duke u kërkuar të gjithëve të bashkohen shpirtërisht me të në këtë shtegtim, akt devocioni bijnor për Marinë, Nënën e Mëshirës.

Asaj Papa ia besoi Kishën edhe mbarë njerëzimin, e, në mënyrë të posaçme, qytetin e Romës.

 

 








All the contents on this site are copyrighted ©.