2015-12-08 15:36:00

Françesku: Lutja drejtuar Zojës së Papërlyer në Sheshin e Spanjës


Pasdite 8 dhjetor, në orën 15.45, Papa Françesku u nis nga Shtëpia e Shën Martës e, në orën 16.00 ishte në Sheshin romak të Spanjës për të nderuar Zojën, i gjunjëzuar në këmbët e shtatores së Virgjërës, ngritur që më 1857, vendosur mbi një shtyllë 30 metra të lartë, që na kujton dogmën e së Papërlyerës, shpallur nga Piu IX, më 1854.

Shtegtimi tradicional i romakëve në Sheshin e Spanjës, filloi që herët në mëngjes. Në orën 7.30, një zjarrfikës i dhuroi Virgjërës Mari kurorën e parë me lule të bardha të festës. Sipas traditës, qenë pikërisht zjarrfikësit e Shtetit Papnor ata që e vendosën shtatoren e Nënës së Papërlyer të Krishtit mbi shtyllën, e cila stolis një nga sheshet më në zë të Qytetit të Amshuar.
Ndërsa lulet e para të bardha te këmbët e kësaj shtatoreje i vuri Papa Piu XII më 1957.

E sot, kur mbushen një mijë ditët e para të papnisë së Tij, edhe Françesku vuri, sipas traditës, tek këmbët e Zojës së Papërlyerës një shportë me lule e i drejtoi lutjen e dalë nga zemra, në emër të popullit shenjt të Zotit, të familjeve, të fëmijëve, të rinjve, të pleqve,  të sëmurëve, të  burgosurve, edhe në emër të atyre, që erdhën nga toka të largëta:

O Virgjëra Mari, 

në këtë ditë feste për të Zënët tënd pa mëkat,

vij e të paraqes nderimin e fesë e të dashurisë

të popullit shenjt të Zotit, që jeton në këtë qytet e në këtë dioqezë.

Vij tek Ti, në emër të familjeve, me gëzimet e mundimet;

të fëmijëve e të rinjve, që i hapin udhën jetës,

të pleqve, ngarkuar me barrën e viteve e të përvojës:

e, në mënyrë të posaçme, vij tek Ti

nga ana e të sëmurëve, të  burgosurve,

njerëzve të lodhur e të këputur nga udha.

Si bari, vij edhe në emër të atyre

që erdhën nga toka të largëta

në kërkim të paqes e të punës.

 

Nën mantelin tënd ka vend për të gjithë,

sepse ti je Nënë e Mëshirës.

Zemra jote është plot me dashuri për bijtë e Tu:

me dashurinë e Zotit, që në Ty u mishërua

e u bë vëllai ynë, Jezusi,

Shëlbuesi i çdo burri e çdo gruaje.

Duke të parë Ty, Nëna jonë e Panjollë,

pranojmë fitoren e Mëshirës Hyjnore

mbi mëkatin e mbi të gjitha pasojat e tij;

e rindizet në shpirtin tonë shpresa për një jetë më të mirë,

të lirë nga skllavëria, nga mllefet, nga frika.

 

Sot, këtu, në zemër të Romës, e dëgjojmë zërin tënd amtar,

që na fton të gjithë të vihemi për udhë

drejt asaj Porte, që përfaqëson Krishtin.

Ti u thua të gjithëve: “Ejani, afrojuni besimplotë:

hyni e merrni dhuratën e Mëshirës:

mos kini frikë, as turp mos kini!

Ati ju pret krahëhapur

Për t’ju dhënë faljen e Tij e për t’ju pritur në shtëpinë e tij.

Ejani të gjithë në gurrën e paqes e të gëzimit.

 

Të falënderojmë, o Nënë e Papërlyer,

sepse në këtë udhë pajtimi

ti nuk na lë të ecim vetëm, na shoqëron,

na rri pranë e na mbështet në vështirësi,

Qofsh e bekuar, sot e përgjithmonë. Amen!








All the contents on this site are copyrighted ©.