2015-12-07 13:36:00

Nesër nis Jubileu i Mëshirës: Hapet Porta Shenjte e Bazilikës së Shën Pjetrit në Vatikan


Më 8 dhjetor, Solemniteti i Zojës së Papërlyer, nis Jubileu: do të jetë   ngjarje e madhe fetare, kohë hiri për faljen e mëkateve dhe bashkimin vëllazëror. Ky është horizonti kohor e shpirtëror i Jubileut, periudhë e posaçme për pajtim, pendesë, kthim kah Zoti.

Kujtojmë se Viti Shenjt mund të jetë i zakonshëm, siç ka qenë 26 herë deri më sot, ose i jashtëzakonshëm, 90 herë.

Përvojë e mëshirës, do t’u krijojë të gjithëve mundësinë ta ndjejnë më fort dashurinë e Zotit.

Kremtimi do të nisë në orën 09.15 në Kapelën e Zojës së Dhimbshme, ku Papa do të përshëndesë kryetarët e delegacioneve.

Në orën 09.30,  Mesha  e hapjes së Portës Shenjte në Bazilikën e Shën Pjetrit, në Vatikan, kryesuar nga Papa Françesku në Sheshin e Shën Pjetrit.  I pranishëm në treme, në ritin e hapjes së Portës Shenjte, edhe Papa Benedikti XVI. Në orën 12.00, Papa do të thotë lutjen e parë të Engjëllit të Tënzot të Jubileut.

Pasdite, në orën 15.45, Papa do të niset nga Shtëpia e Shën Martës e, në orën 16.00 do të jetë në Sheshin romak të Spanjës për të nderuar Zojën e Papërlyer duke u lutur e duke  vënë, sipas traditës, tek këmbët e saj, një shportë me lule. Pikërisht sot, kur mbushen një mijë ditët e para të papnisë së Françeskut.

Fillon, kështu, Viti Shenjt i Mëshirës, Jubile i jashtëzakonshëm, i shpallur nga Papa më 13 marsin e kaluar. Bula e shpalljes “Misericordiae vultus” me temë “Jini të mëshirshëm si Ati Qiellor” (Lk 6,36), u botua më 11 prill, në prag të së Dielës së Mëshirës Hyjnore.

Do t’i prijë ky verset i shkëputur nga Ungjilli i Lukës, Jubileut të jashtëzakonshëm të mëshirës, shpallur nga Papa në vitin e dytë të fillimit të papnisë së tij. Mëshira e bën botën më të drejtë, na kujton Françesku në Jubileun e  tretë të jashtëzakonshëm, që nga shekulli i kaluar.   

Për herë të parë në historinë e Jubileut, të diel, më 13 dhjetor, do të hapen Portat Shenjte në të gjitha katedralet e dioqezave të botës, pas asaj të Bangui, hapur nga Françesku gjatë shtegtimit në Afrikën Qendrore.

Ndërsa nesër do të hapet e para Portë Shenjte e Kishës Universale, ajo e Bazilikës së Shën Pjetrit, me një kremtim shumë të thjeshtë, në një datë që na kujton edhe 50-vjetorin e përfundimit të Koncilit II të Vatikanit.

Leximet

Do të lexohen disa fragmente nga katër Kushtetutat konciliare: “Lumen gentium”, kushtuar Kishës; “Sacrosanctum Concilium”, kushtuar liturgjisë; “Dei Verbum”, Fjalës së Zotit dhe “Gaudium et Spes”,  Kishës në botën e sotme. Do të lexohen, pastaj, edhe dy fragmente shkëputur nga dekreti mbi ekumenizmin “Unitatis Redintegratio” dhe mbi lirinë fetare, “Dignitatis Humanae”.

Ungjilli i Jubileut

Kremtimit eukaristik do t’i prijë Ungjilli i realizuar enkas për këtë ngjarje  e i mbartur me procesion. E pasur me simbolizëm, ikonografia e realizuar me teknikën e mozaikut, që paraqet Krishtin meshtar, Krishtin e kryqëzuar me krahë hapur, shenjë e mëshirës, gati për t’i pranuar të gjithë. Ungjilli do të vendoset mbi të njëjtin fron që, gjatë seancave të Koncilit  qe vendosur mbi elterin e Bazilikës së Shën Pjetrit për ta bërë të dukshme për të gjithë praninë e Fjalës së Zotit. Pra, edhe me këtë shenjë të vogël, do të kujtohet 50-vjetori i Koncilit.

Hapja e Portës Shenjte

Kremtimi do të transmetohet i tëri në Mondovizion. Ati i Shenjtë do të kërkojë,  sipas ritit, hapjen e Portës Shenjte, me fjalët e Psalmit, që mbeten gjithnjë të njëjta: “Aprite mihi Porta Iustitiae!”, “Ma hapni Portën e Drejtësisë!”. Pas Papës do ta kapërcejnë Portën kardinajtë, ipeshkvijtë, priftërinjtë, rregulltarët, rregulltaret e laikët. Procesioni do të arrijë tek Varri i Shën Pjetrit, ku do të kremtohet riti përfundimtar i Eukaristisë Shenjte. Papa Françesku, pastaj, do të thotë lutjen e Engjëllit të Tënzot nga dritarja e Pallatit Apostolik. Të gjithë besimtarët mund ta kapërcejnë, më pas, Portën Shenjte. E, që nga data 8 dhjetor, çdo ditë, para shtatores së Shën Pjetrit, do të thuhet Rruzarja Shenjte, e gjallëruar nga realitete të ndryshme.

Projektimi i fotografive 

Në orën 19.00 do të mund të ndiqet një ngjarje e pashembullt dhe sugjestive. Është fjala për projektimin e fotografive mbi fasadën e Bazilikës së Shën Pjetrit dhe mbi Kupolën.

Kjo ngjarje frymëzohet nga Enciklika e fundit e Papës Françesku ‘Lëvduar qofsh’. Propozon bukurinë e krijimit, edhe me rastin e Konferencës së 21-të të OKB-së mbi klimën, që filloi në Paris më 30 nëntorin e kaluar e do të përfundojë më 11 dhjetorin e ardhshëm.

Hapja e të gjitha Portave Shenjte të botës

Për herë të parë në historinë e Jubileve, të diel, më 13 dhjetor, do të hapen Portat Shenjte në të gjitha katedralet e botës.

Në të gjithë botën do të jetë një shfaqje e jashtëzakonshme, me Porta që hapen në dy kanatat për t’i kumtuar njerëzimit se “ky është Viti i Mëshirës”.

Më 13 dhjetor edhe Papa do të hapë Portën Shenjte të katedrales së tij të Romës, asaj të Shën Gjonit në Lateran. Kremtimi do të nisë në orën 09.30.

Papa Françesku deshi që Jubileu i Mëshirës të kremtohej sidomos në kishat e veçanta. E prandaj deshi ta hapte të parën, Portën Shenjte të katedrales së Bangui, në Republikën Qendrafrikane, të dielën e kaluar, më 29 nëntor, duke e bërë  kryeqytet botëror të paqes e të mëshirës.

Një të premte për çdo muaj, shenjat e mëshirës së Papës

Më 18 dhjetor Françesku do të bëjë një gjest simbolik, duke hapur Portën e Mëshirës në strehën e Karitasit romak Don Luigi di Liegro, në rrugën Marsala. Ky do të jetë gjesti i parë, me të cilin Papa do të nisë shenjat, që dëshiron të japë një të premte në muaj, si shprehje konkrete e veprave të mëshirës.

 Saktësojmë se çdo takim do të ketë karakterin e një vizite private, për të shprehur afërsinë dhe solidaritetin. Vizita do të jetë edhe dëshmi për të nënvizuar format e përjashtimit, të varfërisë e të mjerimit,  të pranishme në shoqëri, duke nënvizuar, ndërkaq, edhe solidaritetin që shprehin konkretisht një mori njerëzish.

Ekumenizmi dhe audienca e përgjithshme

Duke kujtuar rëndësinë që ka Jubileu për fetë e tjera dhe për ekumenizmin, kujtojmë se më 25 janar Papa do të jetë në Bazilikën e Shën Palit jashtë Mureve të Romës, për kremtimin Jubilar pikërisht në nivel ekumenik. Françesku do të jetë i pranishëm, një të shtunde të muajit, në audiencën e përgjithshme, që i shtohet asaj të së mërkurës.

Misionarët e mëshirës

Kujtojmë edhe se janë mbyllur regjistrimet për të qenë ndërmjet 800 misionarëve të Mëshirës, sipas këshillave të ipeshkvijve të mbarë botës. Të Mërkurën e Përhime misionarët do të marrin nga Papa mandatin për të qenë predikatarë e rrëfyes të mëshirës, me të drejtën të zgjidhin pesë mëkatet, të cilat mund t’i zgjidhë vetëm Selia Apostolike. Do të jenë shenjë e afërsisë dhe e faljes së Zotit ndaj të gjithëve.

Papa u krijon të gjithë ipeshkvijve të botës, kujtojmë akoma, mundësinë të bekojnë në emër të tij në Meshën e hapjes dhe të mbylljes së Portës Shenjte.

Ndihma ndaj shtegtarëve

 Do të ketë shumë shtegtarë të pranishëm në Romë, por numri i tyre nuk është e mundur të përcaktohet, sepse regjistrimet do të jenë të vazhdueshme. Ndërkaq kujtojmë edhe se do të ketë një rrjet të dendur ndihme mjekësore, falë edhe planit të bashkëpunimit me Zonën e  Lazio-s”. Janë siguruar edhe shërbimet për njerëzit, që nuk shikojnë e nuk dëgjojnë, për t’u krijuar edhe atyre kushtet ta kapërcejnë Portën Shenjte  e janë realizuar edhe rrëfyestore pa pengesa arkitektonike.

Vullnetarët dhe Kishat jubilare

E rëndësishme, ndihma e vullnetarëve. Të gjithë do të jenë të pranishëm në Via della Conciliazione dhe në Sheshin e Shën Pjetrit, në bazilikat e në kishat e tjera jubilare, si në Kishën e Shën Shëlbuesit në Lauro; në Shën Marinë e Valiçelës, Kisha e re, dhe në atë të Shën Gjon Pagëzuesit të fiorentinëve. Shumë iu përgjigjen thirrjes drejtuar gjatë muajve të kaluar. E vijojnë edhe sot, kur dihet se do të jenë më se 100 vullnetarë në ditë në shërbim të Vitit Shenjt, numër që ka shumë mundësi të vijë duke u rritur ndërmjet 800 e 1000 vetëve, në rastet e ngjarjeve të mëdha.

Siguria dhe veprat

Lidhur me temën sigurisë, falë marrëveshjes dypalëshe ndërmjet Italisë dhe Selisë së Shenjtë, ka garanci të plotë për sigurinë e të gjithë shtegtarëve, ndonëse është e nevojshme edhe vigjilenca e duhur. Përsa u përket veprave për Jubileun, duhet lëvduar puna e komisarit të jashtëzakonshëm, por, megjithatë, për shkak të paqartësisë së administrimit, u humb shumë kohë, e cila duhet rifituar sa më shpejt.

Informacioni  e çertifikatat

Faqja zyrtare e internetit, përkthyer në 7 gjuhë, ku mund të merren të gjitha informacionet, është: www.im.va. Ndërkaq në Via di Conciliazione n. 7,  ka nisur nga puna qendra  informative për shtegtarët. Kujtojmë edhe se Këshilli Papnor për Nxitjen e Ungjillëzimit të Ri, është i vetmi autoritet, që mund të lëshojë çertifikata për ata, që kapërcejnë Portën Shenjte ose që marrin pjesë në Jubile e, tashmë janë gati të gjitha materialet ndihmëse për Jubileun, përgatitur nga Shtëpia Botuese e Shën Palit në dhjetë gjuhë, ndërmjet të cilave, edhe gjuha ukrainase e ajo koreane. 








All the contents on this site are copyrighted ©.