2015-12-07 15:55:00

Ndërron jetë imzot Rrok Mirdita, kryeipeshkëv i Tiranë-Durrësit


Kryedioqeza Metropolitane Tiranë-Durrës, me shumë dhimbje, njofton se sot me datë 7 dhjetor 2015, rreth orës 14.30, në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza”, si pasojë e një hemoragjie cerebrale, ka kaluar në shtëpinë e Atit, Bariu i saj, Shkëlqesia i Tij Imzot Rrok Mirdita, kryeipeshkëv metropolit i Kryedioqezës Metropolitane Tiranë – Durrës. Qysh me datë 4 dhjetor 2015, Imzot Mirdita ka pësuar një goditje cerebrale. Menjëherë i është nënshtruar atë ditë një ndërhyrjeje kirurgjikale dhe është ndjekur në repartin e terapisë intensive të Neurokirurgjisë ku ka vazhduar në gjëndje kome. Pavarësisht nga të gjitha përkujdesjet dhe përpjekjet e stafit të Neurokirurgjisë, gjëndja e tij ka ardhur duke u përkeqësuar derisa sot ka ndërruar jetë.

Kush është Imzot Rrok Mirdita?

Imzot Rrok Mirdita lindi në Kllezën të Ulqinit, më 28 shtator 1939. Studimet, deri në shkollën e mesme, i kreu në vendlindje. Studimet e larta filozofike dhe teologjike i kreu në Zarë dhe në Zagreb, ku u diplomua me nota të shkëlqyeshme.

Më 4 korrik 1965 u shugurua meshtar nga Shkëlqesia e Tij, imzot Aleksandër Tokiç, kryeipeshkëv i Tivarit. Një vit më vonë u emërua administrator i kishës së Shën Pjetrit dhe të Shën Palit në Salç, ku shërbeu për mëse tri vjet. Më 1970 u emërua famullitar i kishës së Shën Gjon Pagëzuesit në Kllezën. Nga kryeipeshkvi i Tivarit u dërgua në Nju Jork për t’i shërbyer diasporës shqiptare katolike në Bronx, në qendrën “Zoja e Këshillit të Mirë”.

Në marrëveshje me dioqezën e Tivarit, Eminenca e Tij, kardinali Terence Cooke, kryeipeshkëv i Nju Jorkut, me dekret të veçantë të datës 19 qershor 1981, e pranoi si meshtar me shërbim të përhershëm në këtë kryedioqezë, gjithnjë me detyrë pranë qendrës “Zoja e Këshillit të Mirë”.

Në vitin 1985 themeloi radio-programin fetar “Zëri i Kishës Katolike Zoja e Shkodrës” për Nju Jorkun e rrethinat. Këtë program e vazhdoi për shtatë vjet rresht deri në emërimin e tij si kryeipeshkëv i Durrës-Tiranës.

Më 1 korrik 1986, Eminenca e Tij, kardinali O’Connor, kryeipeshkëv i Nju Jorkut e emëroi famullitar të famullisë së re “Zoja e Shkodrës”, themeluar prej vetë imzot Mirditës. Gjatë viteve në Nju Jork u mor me përkushtim të veçantë me çështjen e emigrantëve nga Shqipëria, me të cilët bashkëndau dramën e dhimbjes e fatkeqësinë e të afërmve të mbetur në atdhe, konsideruar tradhtarë nga regjimi komunist.

Më 25 prill 1993, kur Papa Gjon Pali II vizitoi Shqipërinë dhe shuguroi 4 ipeshkvij, ndërmjet të cilëve edhe imzot Mirditën, ai filloi misionin si kryeipeshkëv i Durrës-Tiranës. Deri më sot, ishte i vetmi ipeshkëv shqiptar akoma gjallë, shuguruar nga shenjti i madh polak. Më vonë, në vitin 1994, mori detyrën e presidentit të Karitasit Shqiptar. I takoi të përballonte, si i tillë, luftën e Kosovës dhe emergjencën e refugjatëve kosovarë në Shqipëri. Më 29 mars 1999 u bëri thirrje institucioneve të ndryshme katolike të Europës për t’i ardhur në ndihmë popullsisë në nevojë të skajshme, thirrje së cilës iu përgjigjën shpejt shumë prej tyre.

Në vitin 1996 u zgjodh kryetar i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, për dy mandate me radhë. Në këtë detyrë është zgjedhur edhe dy herë të tjera, në vitin 2006 dhe në vitin 2009. Gjithashtu, po në vitin 1996 u zgjodh kryetar i parë i Shoqërisë Biblike Ndërkonfensionale në Shqipëri, shoqëri e sapothemeluar.

Në vitin 2000, Sovrani i Maltës i dha titullin Kapelan i Kryqit të Lartë “ad honorem”, duke e vënë në kategorinë e Mësuesit të madh. Në vitin 2002 përfundoi ndërtimin e Kishës Katedrale të Shën Palit në Tiranë, duke i dhuruar bashkësisë katolike një pikë referimi shpirtërore e duke lënë shenjë në zhvillimin shoqëror e shpirtëror të vendit.

Në janar të vitit 2005, Papa Gjon Pali II e lartësoi në rangun e kryeipeshkvit metropolit dhe më 29 qershor të të njëjtit vit mori palion e metropolitit nga Papa Benedikti XVI në Bazilikën e Shën Pjetrit.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës i dha titullin Qytetar Nderi, duke vlerësuar ndihmesën e jashtëzakonshme të kryeipeshkvit për harmoninë fetare, rilindjen e besimit në të gjithë vendin dhe duke vënë në dukje maturinë me të cilën ka ndihmuar në kapërcimin e vështirësive politike. Po të njëjtin titull i dha edhe Kryetari i Bashkisë së Rrëshenit për ndihmesën e shkëlqyer në ndërtimin e strukturave kishtare.

Për mëse 22 vjet, kryeipeshkvi është angazhuar që Kisha Katolike në Shqipëri, në këtë dioqezë të rëndësishme, t’u vijë në ndihmë të gjitha kategorive të popullsisë.

Për këtë arsye, i nxiti gjithnjë misionarët të angazhohen në fushën e arsimit, në atë shëndetësore, në mbrojtjen e fëmijëve, në mbështetjen e familjeve në vështirësi dhe në strehimin e të braktisurve. I ftoi që të jepnin kontributin e tyre përmes hapjes së shkollave fillore e të mesme, azileve, qendrave sociale, shkollave profesionale, qëndrave shëndetësore dhe atyre për fëmijët e braktisur, si dhe të një qendre për reintegrimin në shoqëri të të rinjve të prekur nga droga, pa bërë diskriminime fetare e shoqërore.

Në vitin 2006, Presidenti i Republikës së Shqipërisë Z. Alfred Moisiu i akordoi “Urdhërin Nënë Tereza” me motivacionin: “për kontributin e dhënë në ndërtimin e institucioneve të Kishës Katolike në Shqipëri; për vëmendjen e veçantë në dialogun ndërfetar; për angazhimin në themelimin e institucioneve të ndihmës sociale dhe të ndihmesës së njerëzve në kushte të pafavorshme”.

Në vitin 2010 presidenti i Republikës z. Bamir Topi i akordoi urdhërin Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Në vitin 2011, me kërkesën e tij, u mbajt për herë të parë në Tiranë, mbledhja e Këshillit të Konferencave Ipeshkvnore të Evropës. Më 13 maj 2013 Akademia Ndërkombëtare Bonifaci VIII i dha titullin Akademik Nderi. Homelitë, përshëndetjet e shkrimet e tij të ndryshme janë botuar në tri vëllime, me titull “Për një Shqipëri me Zotin…”.

Me kalimin e Imzot Rrok Mirditës në amshim, humbëm edhe ipeshkvin e fundit të asaj hierarkie, prej katër ipeshkvijsh shqiptarë, emëruar dhe më 25 prill 1993 shugurua nga Papa Shën Gjon Pali II në Shkodër, që shënoi rilindjen e Kishës katolike martire në Shqipëri e të shoqërisë demokratike. Imzot Rrok Mirdita protagonist e kujtesë e historisë bashkëkohore të Kishës katolike në Shqipëri në periudhën e pas diktaturës komuniste.

Edhe ne të programit shqip të Radio Vatikanit, kemi humbur një bashkëpunëtor të jashtëzakonshëm e kurdoherë të gatshëm.

Imzot Rroku qysh si famullitar i shqiptarëve në Nju Jork e, pastaj edhe si kryeipeshkëv i Tiranës, qe një bashkëpunuar i çmueshëm për redaksinë shqipe të Radio Vatikanit. Fjalët e tij qenë përherë të çmueshme, fjalë bariu shpirtëror të Kishës ndër shqiptarë, fjalë atdhetari, fjalë përherë të matura, fjalë domethënëse, të përzemërta, largpamëse e vizionare.

Në emër të programit shqip të RV ngushëllime kryedioqezës së Tiranë-Durrësi, Konferencës Ipeshkëvnore të Shqipërisë e familjes Mirdita.

Pushofsh në paqe, imzot Rroku. I përjetshëm qoftë kujtimi yt në Hyjin e Mëshirshëm, të cilit i shërbeve me përkushtim e dashuri, duke përhapur Lajmin e Mirë të Mëshirës Hyjnore, me jetë e vepra.

Nga arkivi zakon i RV një fragment nga fjala e imzot Rrok Mirditës mbi domethënien e vdekjes e të ringjalljes...

Në mikrofonin e dom David Xhuxhës imzot Rrok Mirdita flet për rilindjen e Kishës katolike në Shqipëri e rimëkëmbjen e shoqërisë shqiptare...








All the contents on this site are copyrighted ©.