2015-12-07 18:52:00

Audiencë e re në Vatikan për daljen e dokumenteve të rezervuara


Sot paradite, në orën 9.30, në Gjykatën e Shtetit të Vatikanit, u mbajt audienca e re e procesit penal për përhapjen e lajmeve dhe të dokumenteve të rezervuara. Ishin të pranishëm të gjithë të akuzuarit, të shoqëruar nga avokatët (të gjithë të zgjedhur nga të akuzuarit: E. Bellardini për imzot L. A. Vallejo Balda, L. Sgrò për zonjën F. I. Chaouqui, R. C. Baffioni për N. Maio, L. Musso për E. Fittipaldi, R. Palombi për G. Nuzzi).

         Kolegji gjykues (kryetar, prof. Giuseppe Dalla Torre; anëtarë, prof. Piero Antonio Bonnet, prof. Paolo Papanti-Pelletier, prof. Venerando Marano) dëgjoi paraqitjen orale të avokatëve mbrojtës, përsa u përket përjashtimeve dhe kërkesave, që ata kanë paraqitur edhe me shkrim brenda afatit të caktuar, më 5 dhjetor.

         Për secilën prej përjashtimeve të paraqitura, ose të kërkesave, u dëgjua mendimi i Promotorit të Drejtësisë, përfaqësuar nga prof. Gian Piero Milano dhe nga prof. Roberto Zannotti. Kolegji u tërhoq më pas për një orë në dhomën e këshillimit, pak para orës 10.30. Së fundi, komunikoi vendimet e tij, të motivuara në detaj. Audienca përfundoi para orës 12.00.

         U refuzua përjashtimi i paraqitur nga avokatja e zonjës Chaouqui për shkak se Gjykata e Vatikanit nuk ka jurisdiksion për faktet e ndodhura në Itali. Zonja në fjalë është deklaruar “refugjate politike” në Itali. Kolegji sqaroi se ligjet në fuqi ia atribuojnë pa pikën e dyshimit çështjen e gjykimit të zonjës Chaouqui, Gjykatës së Shtetit të Vatikanit. Gjithashtu, u vu në dukje se vetë zonja është paraqitur dhe është dorëzuar në duart e hetuesve vatikanas dhe të Gjykatës së Vatikanit, duke e njohur atë edhe konkretisht (de facto).

         U refuzua edhe kërkesa për një ekspertizë psikologjike të imzot Vallejo Balda. Promotori i Drejtësisë shpjegoi se ligji i Vatikanit pranon kërkesa për “ekspertizë psikiatrike”, por jo për “ekspertizë psikologjike”, pasi aspektet e rëndësishme të personalitetit dhe të sjelljes së të akuzuarit mund të dalin mirë në dukje gjatë debatit.

         Të gjitha kërkesat e tjera janë pranuar e, në veçanti:

- Një ekspertizë informatike e kërkuar nga avoktja mbrojtëse e zonjës Chaouqui përsa i përket dokumentacionit të gjetur në kompiuter dhe në celular. Kjo ekspertizë do të kryhet nga një ekspert zyrtar, i shoqëruar nga një ekspert i zgjedhur nga pala. Promotori i Drejtësisë deklaroi se është në favor të saj.

- Njohja me elemente të tjera dokumentimi e prove, kërkuar nga disa avokatë mbrojtës (tekste email-i që kanë të bëjnë me çështjen, tekste sms, artikuj të publikuar nga gazeta të ndryshme, një ‘espertizë psikiatrike” për imzot Vallejo Balda bërë më parë e ruajtur në shtëpinë e tij…). Edhe në këtë rast, Promotori i Drejtësisë është dakord.

- Kolegji e pa të arsyeshme të pranojë të gjitha kërkesat për dëshmitarë të mëtejshëm, paraqitur nga disa avokatë, për arsye të ndryshme (ndër të cilët, disa njerëz të Kishës si kardinajtë Abril y Castellò e Parolin, imzot Krajewski, imzot Abbondi e personalitete të botës së komunikimit si Mario Benotti, Paolo Mieli, Paolo Mondani, Paola Brazzale, Marco Bernardi), megjithëse, në disa raste, Promotori i Drejtësisë shprehu mendim të kundërt.








All the contents on this site are copyrighted ©.