2015-12-06 14:32:00

Papa në Engjëllin e Tënzot: Viti i Mëshirës, për të vijuar kthesën kah Zoti


“Nuk duhet të pushojmë kurrë së bëri kthesë. Kësaj kthese të përhershme i shërben Viti Shenjt i Mëshirës, që i nxit të gjithë të ecin përpara në rrugën e shëlbimit”. Me këto fjalë iu drejtua Papa besimtarëve, mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit, ku tashmë Shpella e Betlehemit dhe Bredhi i Krishtlindjes janë stolisur për festë. Papa Françesku bëri, pastaj, edhe një thirrje për Konferencën mbi ndryshimet klimaterike në Paris, kujtoi 50-vjetorin e shfuqizimit të shkishërimeve reciproke të ortodoksëve dhe katolikëve si dhe Lumnimin në Perù.

Në të Dielën II të Kohës së Ardhjes jehon fjala e Ungjillit, në të cilin Shën Gjon Pagëzuesi predikon “pagëzimin e pendesës për faljen e mëkateve” (Lk. 3,3). Papa Françesku kujtoi se pendesa nuk lidhet vetëm me ateistët, por me të gjithë ata, që e mbajnë prej kohe veten të krishterë. Askush  nuk mund të thotë, me gojë plot: unë jam në rregull! Nuk është e vërtetë, do të ishte fodullëk, sepse të gjithë duhet të pendohemi e të bëjmë vazhdimisht kthesë. Më pas Ati i Shenjtë i ftoi besimtarët t’i drejtojnë vetes disa pyetje:

“Vërtet ndjejmë, si ndjen Jezusi? Për shembull, kur na bëhet ndonjë padrejtësi ose ndonjë fyerje, a i gjegjemi pa dashaligësi, duke e falur me gjithë zemër, atë që na kërkon ndjesë? Sa gjë e vështirë është të falësh, eh?  E kur duhet të marrim pjesë në gëzime a dhimbje, dimë të qajmë sinqerisht, me atë që qan e të gëzojmë me të njëjtin sinqeritet, me atë që gëzon? Kur duhet ta shprehim fenë tonë, a dimë ta bëjmë me guxim e thjeshtësi, pa u turpëruar nga Ungjilli?”.

Zëri i Gjonit – pohoi Papa –  dëgjohet akoma mes nesh. Pagëzuesi vijon të bërtasë në kupë të qiellit e zëri i tij jehon fort në shkretëtirat e sotme të njerëzimit, që janë mendjet e mbyllura e zemrat e gurta, gjë që na shtyn ta pyesim veten: “A jemi duke ecur vërtet në rrugë të drejtë, duke e jetuar  jetën sipas Ungjllit? Është ftesë e ngushtme ta hapim zemrën për të pritur shëlbimin, që Zoti na e ofron pambarimisht, gati-gati me kryeneçësi, sepse dëshiron të na shohë të çliruar nga skllavëria e mëkatit. Por teksti i Profetit e përhap këtë zë, duke paralajmëruar se “çdo njeri do ta shikojë shëlbimin e  Zotit”:

“Shëlbimi i ofrohet çdo njeriu, çdo populli, pa përjashtuar askënd. Shëlbimi na përket ne, të gjithëve. E asnjë nga ne nuk mund të thotë: ‘Unë jam shenjt, jam i përkryer, unë tashmë jam i shpëtuar!’. Jo! Këtë ofertë shëlbimi duhet ta pranojmë e ta  marrim gjithnjë. Prandaj kremtohet Viti i Mëshirës, për të ecur edhe më përpara në udhën e shëlbimit, udhë, që na e mësoi Jezusi, sepse Ati qiellor dëshiron t’i shpëtojë të gjithë njerëzit përmes Jezu Krishtit, të vetmit ndërmjetës” (cfr 1 Tim 2,4-6).

Prandaj duhet ta bëjmë të njohur Jezusin, atje ku nuk njihet akoma. E kjo, shtoi Papa, nuk do të thotë të bësh prozelitizëm. Jo! Kjo do të thotë të hapësh një portë. Nga ana tjetër, nënvizoi, nëse Jezusi na e ndryshoi jetën, nuk mund të mos e ndjejmë pasionin për ta njohur me Zotin tonë, këdo që takojmë:  

“Nëse shikojmë përreth, gjejmë njerëz që do të ishin gati të nisnin udhën e fesë, po të takonin të krishterë të dashuruar me Jezusin. A nuk duhet e a nuk mund të jemi ne këta të krishterë?  Por po ju bëj edhe një pyetje tjetër: ‘Unë vetë, a jam vërtet i dashuruar me Jezusin? A jam i bindur se Jezusi ma premton e edhe ma jep shëlbimin?’. E, nëse jam i dashuruar, duhet ta bëj të njohur kudo! Po duhet të jemi guximtarë: duhet t’i ulim malet e krenarisë e të rivalitetit, t’i mbushim honet e hapura nga indiferenca e nga dremitja, t’i drejtojmë shtigjet e përtacisë sonë e të kompromiseve tona”.

Pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa kujtoi se i ndjek me vëmendje të madhe punimet e Konferencës mbi klimën, që vijon në Paris e se i ka ftuar të gjithë t’i bëjnë vetes një pyetje: “Çfarë tip bote duam t’u  lëmë atyre, që do të vijnë pas nesh, fëmijëve që po rriten sot?!”:

“Për të mirën e shtëpisë së përbashkët të të gjithëve e të breznive të ardhshme, në Paris duhet të bëhet çdo përpjekje për t’i pakësuar ndikimet  e ndryshimeve klimaterike e, njëkohësisht,  për t’iu kundërvënë varfërisë, duke krijuar kushtet e lulëzimit të dinjitetit njerëzor. Të dyja rrugët puqen:  t’i frenosh ndryshimet klimaterike e t’i kundërvihesh varfërisë, që të lulëzojë dinjiteti njerëzor. Të lutemi që Shpirti Shenjt  t’i shndrisë ata, që janë të thirrur  të marrin vendime kaq të rëndësishme e t’u japë guxim  të kenë gjithnjë si kriter kryesor ç’është më e mirë për mbarë familjen njerëzore”.

Françesku kujtoi, në vijim, se nesër mbushen 50 vjet nga përfundimi i një ngjarjeje të paharrueshme, si për katolikët, ashtu edhe për ortodoksët: më 7 dhjetor 1965, në prag të përfundimit të Koncilit II të Vatikanit, me një deklaratë të përbashkët të Papës Pali VI dhe Patrikut Ekumenik Atenagora, shlyheshin nga kujtesa vendimet me të cilat Kisha e Romës dhe ajo e Kostandinopojës e shkishëronin njëra-tjetrën, në vitin e largët 1054. Sa shumë vjet kanë kaluar, që asokohe…:

“Është vërtet provideciale, që ky gjest historik pajtimi, i cili krijoi kushtet për një dialog të ri, në dashuri dhe vërtetësi, ndërmjet katolikëve dhe ortodoksëve, do të kujtohet pikërisht në fillim të Jubileut të Mëshirës. Nuk ka ecje të vërtetë drejt bashkimit, pa i kërkuar ndjesë Zotit e njëri-tjetrit për mëkatin e ndarjes. T’i kujtojmë në lutjen tonë Patrikun e dashur Ekumenik Bartolomeu dhe krerët e tjerë të Kishave Ortodokse e t’i lutemi Zotit që marrëdhëniet ndërmjet katolikëve e ortodoksëve të frymëzohen gjithnjë e më shumë nga dashuria vëllazërore”.

Papa kujtoi edhe se dje, në Chimbote të Perusë, u shpallën të Lumë tre martirë: dy etër françeskanë polakë, Michele Tomaszek e Zbigniew Strzalkowski, të Urdhërit të Fretëve të Vegjël Konventualë dhe Don Alessandro Dordi, meshtar fidei donum, misionarë në Andet peruviane, vrarë nga urrejtja për fenë në vitin 1991:

“Besnikëria e këtyre martirëve në ndjekje të Krishtit na dhëntë forcë të gjithëve, por posaçërisht, të krishterëve të persekutuar në të katër anët e botës, ta dëshmojmë me guxim Ungjillin”.

Së fundi, duke u uruar të gjithëve të diel të gëzuar, Papa i nxiti të përgatiten  mirë për  fillimin e Vitit të Mëshirës.








All the contents on this site are copyrighted ©.