2015-12-06 15:11:00

Benedikti XVI do të jetë i pranishëm në hapjen e Portës Shenjte


Papa i nderit Benedikti XVI e pranoi ftesën e Papës Françesku për kremtimin e hapjes së Portës Shenjte. Do të jetë, prandaj, i pranishëm në tremen e Bazilikës së Shën Pjetrit me rastin e ritit të hapjes, paraditen e 8 dhjetorit, Solemnitet i Zojës së Papërlyer dhe fillim i Vitit Shenjt të Mëshirës.

Javët e fundit Papa Françesku e ka cituar disa herë Benediktin XVI, duke folur për lidhjen ndërmjet mëshirës e së vërtetës. Posaçërisht në hapjen e Sinodit kushtuar familjes kujtoi, me fjalët e Papës së nderit, se “Kisha është e thirrur ta jetojë misionin e saj me vërtetësi, e cila nuk ndryshon sipas modave kalimtare ose opinioneve sunduese. Vërtetësi, që e mbron njeriun dhe njerëzimin nga tundimet e vetëvlerësimit e nga rreziku i shndërrimit të  dashurisë pjellore, në egoizëm shterpë dhe bashkimit besnik, në lidhje të përkohshme”. Benediktin XVI Françesku e citoi edhe me një fragment nga Caritas in veritate, e pikërisht atje, ku pohon: “Pa vërtetësi, dashuria e krishterë shket në sentimentalizëm. Dashuria bëhet guaskë e zbrazur, për t’u mbushur, pastaj, në mënyrë të padrejtë. Është rreziku fatal i dashurisë, në një kulturë pa vërtetësi”.








All the contents on this site are copyrighted ©.