2015-12-04 16:12:00

Të Lumë, tre misionarë, vrarë në Perù


U shpallën të Lumë dje, në Chimabote të Perusë, tre misionarë të vrarë nga urrejtja për fenë, nga luftëtarët maoistë të Sendero Luminoso, në vitin 1991. Ritin e lumnimit e kryesoi kardinali Angelo Amato, prefekt i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve.

Ishin tre, martirët. Dy etër françeskanë polakë, Michele Tomaszek e Zbigniew Strzalkowski, të Urdhërit të Fretëve të Vegjël Konventualë, që sapo i kishin mbushur të tridhjetë vjetët, dhe Don Alessandro Dordi, bergamask, 60 vjeç, meshtar fidei donum, misionarë në Andet peruviane. Njerëz që jetuan pranë të varfërve, pa i lëshuar kurrë zemra, edhe pse pa dritë elektrike e të kërcënuar vazhdimisht nga vdekja prej kolerës. Po do të ishte në kolerë tjetër, që do t’ua merrte jetën. Ideologjia maoiste. Për përfaqësuesit e kësaj ideologjie, prania e tyre ndërmjet të varfërve e frenonte tërbimin e popullit dhe e ngadalësonte revolucionin. Por, të dëgjojmë kardinalin Angelo Amato, që flet për të Lumët, në mikrofonin tonë:

Përgjigje: - Gjatë periudhës së terrorit revolucinar– nga maji 1980, në nëntor 1992 - ideologjia marksiste e Sendero Luminoso-s u bë shkaktare e një mori atentatesh, posaçërisht kundër Kishës dhe meshtarëve. Nisi të digjte e të piqte, të dhunonte e të rrënonte, të shpifte e të vriste. Për t’i vënë pritë këtij sulmi djallëzor, ipeshvi guximtar i Chimabote, imzot Luis Armando Bambarén, së bashku me meshtarët, misionarët e laikët e dioqezës, nisi një fushatë të vazhdueshme lutjesh, duke përhapur me forcë të veçantë lajmin ungjillor në favor të paqes, të jetës, të dinjitetit të njeriut, të vëllazërisë e të faljes e duke iu kundërvënë, kështu, çdo forme të urrejtjes e të dhunës. 27. 000 të rinj ndërtuan Cruz de la Paz, si simbol i paqes dhe i mbrojtjes së jetës, për të dëshmuar se feja e krishterë nuk është opium për popujt, nuk i vë në gjumë, por promovon vlerat më të vërteta njerëzore, duke luftuar me armën e Kryqit, për drejtësi e harmoni shoqërore.

Pyetje: - Cilat ishin rrethanat e martirizimit?

Përgjigje: - Martirizimi i dy françeskanëve ndodhi më 9 gusht 1991. Pas Meshës, rreth orës 20,00, një grup terroristësh të armatosur, me fytyra të mbuluara, i kapi meshtarët  e i ngarkoi mbi një makinë. U dëgjua një zë i fortë, që shqiptonte fjalët: “Michael, zemër! Ji i fortë!”. Ishte zëri i atë Zbunievit. Ata shkuan drejt vdekjes duke u lutur e duke medituar fjalën e Zotit për kokrrën grurit, që  duhet të vdesë, për të mbirë e për t’u rritur përsëri, në stinët e ngrohta.  Duke dhënë një fryt tejet të begatë! Pak më vonë i vranë me plumba të kalibrit të madh, që ua copëtuan kafkat. I mbytën pa gjyq, si qengjat në thertore. Në funeralin e tyre, kremtuar nga ipeshkvi, populli i mbuloi trupat me lule e lot, ndërsa fëmijët këndonin, duke qarë, këngët që ua kishte mësuar atë Migueli. Gurët e lagur nga gjakun e tyre, sot nderohen si relike!   








All the contents on this site are copyrighted ©.