2015-12-04 17:00:00

Mëkatet që zgjidhen vetëm nga Papa


Mëkatet që nuk mund të zgjidhen jo vetëm nga meshtari, por as nga ipeshkvi, janë pesë. Sipas Kodit të së drejtës kanonike të vitit 1917, i vlefshëm edhe sot, ato i rezervohen Selisë së Shenjtë e për zgjidhjen e tyre duhet shkuar drejtpërdrejt tek Papa. Këto mëkate janë:

- Profanimi i Eukaristisë. Neni 1367 parashikon se “kush hedh lëndët e shuguruara, ose i vjedh, ose i mban për sakrilegj, çkishërohet ‘latae sententae’ nga Selia Apostolike”. Formula “latae sententiae” do të thotë se nuk ka nevojë për ndonjë deklaratë të veçantë për këtë dënim të rreptë, por mjafton të kryesh aktin për të cilin është parashikuar.

- Dhuna fizike kundër Papës: “Kush përdor dhunë fizike kundër Papës së Romës, çkishërohet ‘latae sententae’ nga Selia Apostolike” (Neni 1370, § 1).

- Zgjidhja e bashkëfajtorit në mëkatin kundër urdhërimit të gjashtë, pra, kush kryen akte seksuale me një meshtar nuk mund ta marrë zgjidhjen e mëkatit prej tij. Nëse meshtari e bën këtë, zgjidhja nuk është e vlefshme, përveçse para vdekjes, siç parashikohet në Nenin 977. Kështu meshtari çkishërohet, siç thotë neni 1378, § 1, e zgjidhja e mëkatit i rezervohet Selisë së Shenjtë.

- Shugurimi ipeshkvnor nga ana e një ipeshkvi, që nuk e ka mandatin e Papës. “Ipeshkvi që shuguron pa mandatin papnor dhe, njëlloj, ai që e merr shugurimin nga duart e tij, çkishërohen ‘latae sententae’ nga Selia Apostolike” (Neni 1382).

- Dhunimi i vulës sakramentore (Neni 1388, §1), pra kur një meshtar zbulon përmbajtjen e rrëfimit. Vula apo sekreti sakramentor është i padhunueshëm, prandaj meshtarit nuk i lejohet ta tradhtojë të penduarin, edhe pjesërisht, me fjalë, ose me mënyra të tjera e për çfarëdolloj arsyeje. Detyrimit për ta ruajtur sekretin e rrëfimit i nënshtrohet edhe përkthyesi e të gjithë ata, që rastësisht, e kanë dëgjuar rrëfimin, ose u kanë ardhur lajme prej tij (Neni 983).

 Para vdekjes, nëse ndokush rrëfehet tek një meshtar i pezulluar “a divinis”, merr gjithnjë një zgjidhje të vlefshme të mëkateve. Me publikimin e Normave të reja mbi “gravioribus delictis”, në vitin 2010, janë shtuar edhe mëkate të tjera të rezervuara për Selinë e Shenjtë, si përpjekja për të shuguruar gra. Gjithashtu janë saktësuar normat për pesë mëkatet e para, si regjistrimi dhe botimi i qëllimshëm i mëkateve të rrefyera, për të cilët pati edhe një dekret të vitit 1988.








All the contents on this site are copyrighted ©.