2015-12-04 14:23:00

Atë Kantalamessa: Kisha pranohet për dashuri të Krishtit


 Sot  në Vatikan, filluan predikimet e Kohës së Ardhjes, mbajtur nga  predikatari i Shtëpisë Papnore, atë Cantalamessa. Gjatë meditimit, kapuçini theksoi: “Nuk pranohet Krishti për dashuri të Kishës, po Kisha për dashuri të Krishtit. Edhe Kisha e shpërfytyruar nga mëkatet e shumë përfaqësueve të saj!”.

 Nisi kështu, një rilexim kristologjik të njërës nga katër kushtetutat, që Koncili II i Vatikanit ia kushtoi Kishës (Lumen gentium), për të vijuar, më pas me atë kushtuar liturgjisë (Sacrosantum Cocilium), Fjalës së Zotit (Dei Verbum) dhe Kishës në botë (Gaudim et Spes), duke u përpjekur për të parë çfarë kanë ende për të na thënë tekstet e Koncilit, si tekste përshpirtërie, të nevojshme për përfocimin e  fesë.

Kisha, Korpi e Nusja e Krishtit, tema e meditimit të predikimit të parë, mbajtur sot paradite në Vatikan.

Shtytjen për këtë meditim të parë kushtuar Kishës, kujtoi predikatari kapuçin, e mora duke rilexuar, rastësisht, fillimin e kushtetutës, në latinisht. Shkruhet “Duke qenë Krishti drita e popujve….”. Shkrimi latin bëri të tingëllojë mrekullisht në veshët e mi titulli, që i jep Krishtit, Simeoni plak, duke e përshëndetur Mesinë, që Maria e Jozefi e kishin sjellë në Tempull: “Drita e popujve e lumnia e popullit të vet, Izraelit”. E kjo frazë, shtoi predikatari, është kyç për të interpretuar gjithë ekleziologjinë e Koncilit II të Vatikanit. Duhet rivënë në plan të parë pikërisht kjo përmasë, ekleziologjia kristologjike, edhe në shërbim të ugjillëzimit.

E, duke folur për ekleziologjinë kristologjike, predikatari papnor nuk mund të mos ndalej tek Eukaristia. Foli për të,  duke cituar një herë Shën Palin, i cili thotë: “Nuk jam më unë, që jetoj, është Krishti, që jeton në mua”.

E më pas, një fragment nga përmbledhja e poezive eukaristike, titulluar “Kënga e Zotit të fshehur”, ku Papa i ardhshëm Wojtyla e quan këtë subjekt të ri, jeta e të cilit bëhet jetë e vetë Krishtit, “uni Eukaristik”:

“Do të ndodhë atëhere,

mrekullia e shndërrimit:

'Ja , ti do të bëhesh unë.

Un-i eukaristik'”.

Kështu, shpjegoi predikatari i meditimeve të Kohës së Ardhjes, në Vatikan, nuk ka më asgjë nga jeta ime, që nuk i përket Krishtit. Askush nuk duhet të mendojë: “Ah, Jezusi nuk e di ç’do të thotë të jesh i martuar, të jesh grua, të kesh mbi shpinë barrën e një fëmije, të jesh i sëmurë,  i moshuar, zezak…!’. ‘Nëse e di ti, e di edhe Ai, falë teje e në ty!’”.








All the contents on this site are copyrighted ©.