2015-12-03 15:42:00

Çelësi i fjalëve të Kishës: Viti Jubilar në Mesjetë


Viti Jubilar në Mesjetë. Të dashur dëgjues vijojmë edhe sot rubrikën tonë të së enjtes me ciklin e emisioneve kushtuar Jubileut. Sot, do t’ju flasim për Vitin Jubilar në Mesjetë.

Viti jubilar duket në Kishën Katolike aty nga Mesjeta. Qe Papa Bonifaci VIII ai, që shpalli një Vit të Shenjtë më 1300. Shtegtarët që do të vizitonin me përkushtim bazilikën e Shën Pjetrit dhe atë të Shën Palit do të fitonin ndjesën e plotë, pra do t’u faleshin mëkatet dhe fajet. Një lloj faljeje borxhesh… shpirtërore dhe çlirimi nga skllavëria, që është mëkati.

Ideja u pëlqeu shumë vetëve: Dante Alighieri na thotë se iu desh ta ndanin në dy kahe urën para Kështjellës së Shën Engjëllit, kaq shumë ishin shtegtarët (Ferri XVIII, 28-33)! Papa Klementi VI vendosi që Jubileu të kremtohej njëlloj si për hebrenjtë, çdo 50 vjet. Më pas, Papa Urbani VI e caktoi çdo 33 vjet, për nder të Krishtit, por së fundi, u fiksua çdo 50 vjet.

Ai që do të përjetojmë, duke filluar nga 8 dhjetori, është Jubile i jashtëzakonshëm, që nuk ndjek një datë të veçantë. Vetë Papa Françesku e shpjegon këtë në letrën, me të cilën e shpalli (Misericordie Vultus):

 “Ka çaste, në të cilat, edhe më fort, jemi të thirrur ta mbajmë të ngulur vështrimin mbi Mëshirën Hyjnore, që të bëhemi ne vetë shenjë e frytshme e veprimit të Atit Qiellor. Për këtë arsye, shpalla një Jubile të Jashtëzakonshëm të Mëshirës, si kohë e favorshme për Kishën që ta bëjë më të fortë e më të frytshme dëshminë e besimtarëve”.

Papa Françesku e sheh si rrezik të madh idenë e gabuar, që është përhapur për Zotin, sikur Hyji të ishte një gjykatës i rreptë, njëlloj si polici që vë gjoba, ose si ndokush, që na e ka inatin dhe na pengon të jemi të lumtur. Fatkeqësisht, shumë njerëz, edhe ndër të krishterët, kanë një ide të shëmtuar për Zotin!

Prandaj, gjatë Vitit të Mëshirës, duhet të meditojmë e të reflektojmë kush është në të vërtetë Zoti, që Jezusi erdhi të na e zbulojë. Të rriturit, për të ndryshuar idetë e këqia që kemi për Të; të rinjtë, për të besuar në Zotin e vërtetë. Ne të krishterët bësojmë në atë Zot, që dëshmoi Jezusi; në atë Zot, që e kishte zbuluar vetveten në historinë e Izraelit, por që Jezusi erdhi të na e tregojë përfundimisht.








All the contents on this site are copyrighted ©.