2015-12-03 13:17:00

Papa: të rinjve, lexojeni Biblën, në të na flet Zoti


“Sot, akoma më shumë se në fillimet e Kishës, të krishterët janë të persekutuar; cila është arsyeja? Janë të persekutuar sepse bartin një kryq dhe dëshmojnë Krishtin; dënohen sepse kanë një Bibël. Shihet qartë se Bibla është një libër jashtëzakonisht i rrezikshëm, kaq i rrezikshëm sa që në disa vende, kush e ka Biblën, trajtohet si një person që fsheh bombën e dorës në dollap!”. Kështu shkruan Papa Françesku në paradhënien e një versioni të ri të Biblës për të rinjtë, botuar nga Civiltà Cattolica. Bibla – nënvizon Papa Françesku – nuk është “kryevepër letrare” e as “përmbledhje e lashtë me histori të bukura”. “Në atë rast, do të duhej t’u themi shumë të krishterëve që pranojnë të shkojnë në burg e të torturohen për Biblën: ‘Vërtetë jeni të marrë e pak të shkathët: është vetëm një vepër letrare!””.

“Bibla”, pohon Papa Françesku, është “libër i zjarrtë, një libër në të cilin Zoti flet. Prandaj mos harroni: Bibla nuk është për t’u vendosur në një raft, por është shkruar për t’u mbajtur në dorë, për t’u lexuar shpesh, çdo ditë, si vetëm e po kështu edhe bashkë me të tjerët”. Kjo pra, thirrja që Papa Bergoglio bënë në parathënien e botimit të ri të Biblës, në gjuhën italiane, për të rinjtë.

“Gjithsesi, ju në shoqëri bëni sport së bashku me të tjerët, së bashku shkoni për të bërë shopping; pse atëherë mos ta lexoni së bashku, dy, tre apo katër vetë, Biblën? Madje edhe në hapësirë, jashtë, të zhytur në natyrë, në pyll, buzë detit, në mbrëmje në dritën e një kandili... do të bënit një eksperiencë të fuqishme e tronditëse. Apo mos ndoshta keni frikë të dukeni para të tjerëve qesharak?”.

“Lexojeni me vëmendje Biblën. Mos rrini në sipërfaqe, siç bëhet me një libër vizatimor!”, nënvizon Papa në  paradhënien e Biblës për të rinjtë, botuar nga Civiltà Cattolica.

“Dua të ju rrëfej si e lexoj Biblën time të vjetër: shpesh e marr, e lexoj për pak kohë, pastaj e vë anash e lëshohem në vështrimin e Zotit. Nuk jam unë që e shikoj Atë – shpjegon Papa -, por Ai më vështron mua: Zoti është vërtetë aty, i pranishëm. Kështu lëshohem para vështrimit të Tij dhe e ndjej – e nuk është sentimentalizëm -, e perceptoj në thellësinë time atë që Zoti më thotë. Nganjëherë nuk flet: e atëherë nuk ndjej asgjë, vetëm zbrazëti, zbrazëti, zbrazëti.... Mirëpo, plot durim, qëndroj aty e kështu pres, duke lexuar e duke u lutur”.

Papa Françesku u kujton të rinjve, se kanë “ në duar diçka hyjnore: një libër të zjarrtë, një libër në të cilin Zoti flet. Prandaj mos harroni: Bibla është bërë  për t’u mbajtur në dorë, për t’u lexuar shpesh, çdo ditë, si vetëm e po kështu në shoqëri”. E Papa Bergoglio na fton të pyesim: “Çka i thotë ky tekst zemrës sime? Përmes këtyre fjalëve, Zoti është duke më folur? Mos ndoshta është duke nxitur në mua dëshirën, etjen time të thellë për Të? çka duhet të bëj?”.

Teksti i Papa Françeskut, të cilin Civiltà Cattolica u ofron sot lexuesve të vetë, është shkruar si parathënie e një versioni të ri të Biblës për të rinjtë, të cilët kanë bashkëpunuar në diskutimin dhe përpilimin e komenteve (Bibel. Jugendbibel der Katholischen Kirche).








All the contents on this site are copyrighted ©.