2015-12-02 12:13:00

Nesër nis shfaqja e një filmi të pazakontë. Titullohet “Më thirrni Françesk”


Nesër, në kinematë italiane nis shfaqja e filmit të Daniele Luchettit: “Më thirrni Françesk”, që përshkon etapat kryesore të jetës së Jorge Mario Bergoglios, nga çasti kur vendosi të bëhet prift, tek thirrja për t’u ulur në fronin e të parit të Apostujve.  

Thjeshtësia dhe emocioni e përshkojnë tej e ndanë filmin e ri, prodhuar nga Pietro Valsecchi. Pas përshtypjes së parë, që të shtyn të mendosh për rrëmimin në një jetë të jashtëzakonshme, shtjellohet rrëfimi i një shpirti të cilit, që në rininë e parë, iu desh të ballafaqohej me thirrrjen për rrugën e meshtarisë. “Nuk m’u desh ta kërkoj”, thotë në skenat e filmit djaloshi Bergoglio, duke pasur parasysh Krishtin. “Ishte Ai, që po më priste. Më shtriu dorën, siç bën një atë me fëmijën e vet e nisëm udhën së bashku”. I gjithë filmi i ngjet si dy pika uji udhës, që përshkoi Bergoglio. E shikojmë skenë pas skene duke përshkuar me hap pakëz të lodhur, me barrën e rëndë të mjerimit të të tjerëve mbi shpirt, rrugët e Argjentinës, viktimë e diktaturës gjakatare ushtarake të Videlës. E ndjekim njeriun me zemër të madhe, plot dashuri, në kisha e kasolle, në shtigjet plot pluhur, në korridoret vetëtitëse, që çojnë ndër dhomat e pushtetit, duke mbartur mbi vete  mjerimin e grigjës së vet. Ja si shprehet regjisori, Daniele Luchetti për filmin:

“Ndoshta, çelësi i këtij filmi ishte rrëmimi në të djeshmen, për të kuptuar pse Françesku është ai, që është sot. E përmes skëterrave nëpër të cilat iu desh të përshkohej, të kuptosh sesi njeriu arrin pjekurinë, si bëhet i madh, si i krijohet, në një çast krejt të papritur, në fund të jetës, mundësia e pabesueshme për të prekur atë pikë të lartë, të cilën ndoshta e ëndërronte që fëmijë: të ndihmonte të tjerët, ta përdorte thirrjen e tij, për të arritur në jetë, atë që kishte kujtuar se ishte vetëm kulmi i një ëndrre”.

Në sfond të filmit, historia jashtëzakonisht e dhimbshme e një vendi të torturuar, në të cilin shpaloset udha e jetës së Bergoglios.

Pyetjes, që iu bë regjisorit nëse xhirimi i filmit ndikoi mbi jetën e tij, ai iu përgjigj:

“Kur nisa ta xhiroj filmin, nuk besoja, tani besoj shumë në njerëzit, që besojnë. Mendoj se kjo është çështje personale, por një gjë mund ta them me plot gojën: ‘Kisha, që takova, m’u duk e jashtëzakonshme’”.

Filmi bazohet mbi një skenar, që i shmanget plotësisht kurtheve të hagjiografisë e të didaskalikës, në të cilat bien shumë nga filmat biografikë dhe interpretohet nga aktorë me talent të jashtëzakonshëm, të aftë për të shprehur me një lëvizje syri, emocionin e një çasti e historinë e një jete. 








All the contents on this site are copyrighted ©.