2015-12-02 16:16:00

Kardinali Filoni: edhe myslimanët le të hapin Portën e Shenjtë të mëshirës


Një shpresë e re për paqen, dialogun e drejtësinë: kështu kardinali Fernando Filoni, prefekt i Kongregatës së Vatikanit për Ungjillëzimin e Popujve, e ka përcaktuar udhëtimin e Papa Françeskut në Kenia, Ugandë e Afrikën Qendrore. Ta dëgjojmë kardinalin Filoni, që e ka përjetuar këtë mision papnor duke shoqëruar Atin e Shenjtë, në mikrofonin e Radio Vatikanit...

Kjo prani e Atit të Shenjtë ka sjell një gëzim të veçantë në të gjithë dhe në të tria vendet që kemi vizituar. Ndoshta entuziazmi në Republikën e Afrikës Qendrore ka bërë më shumë përshtypje, sepse vendi ende është duke kaluar një fazë të paqëndrueshme në aspektin politik, shoqëror, civil e fetar. Jam i bindur, pra, se pikërisht prania e Papës, përmes momenteve - si vizita e të krishterëve dhe hapja e Portës Shenjte në katedralen e Bangui-t, e cila për një çast u bë qendër e katolicizmit; vizita në komunitetin ungjillor, prania e të cilit është jashtëzakonisht e çmueshme në shumë aspekte; vizita e Papës në komunitetet myslimane, pra mënyra plot gëzim me të cilën edhe myslimanët e pritën Papën – është një faqe e jashtëzakonshme që do të hapë një periudhë të re. Unë shpresoj që të tjerë të mos fryjnë kundër paqes që kumtoi Papa, kundër bashkëjetesës paqësore. Papa tha një gjë shumë domethënëse: “Nuk më pëlqen të flas për tolerancë”. E as mua nuk më pëlqen të flas për tolerancë e, kudo që jam, e pohoj këtë gjithmonë. Toleranca, vërtet, tregon vetëm një konçesion që bëj nga ana ime, që jam shumicë, ndaj të tjerëve që janë pakicë. Nuk është kështu, nuk duhet të jetë kështu. Ekziston e drejta e paqes, ekziston e drejta e bashkëjetesës, që nuk duhet të ndikohet nga elementet e mazhorancës, të pakicës, fetarë apo jo fetarë, sepse – siç tha Papa – nga pikëpamja ekzistenciale, të gjithë jemi bij të Zotit, jemi besimtarë.

Por, edhe nëse nuk duam ta besojmë këtë, të mos harrojmë se të gjithë jemi bij të së njëjtës Tokë, të gjithë jemi bij të të njëjtit realitet. Atëherë, pse nuk mund të ecim e të jetojmë së bashku? Kështu, jo më tolerancë, që ndoshta është shkalla e parë për të mos bërë luftë, dhunë e kështu me radhë, por e drejtë e të gjithëve për të jetuar, e drejta për të punuar, për të qëndruar së bashku, e drejta për të gjithë për të bashkëjetuar në paqe, duke dëshmuar secili të mirën, e përmes punës së mirë të dëshmohet besimi personal në Hyjin. Jam i bindur se si të krishterët, ashtu edhe myslimanët, mund të japin dëshminë e tyre të fesë paqësisht. Mua më duket gjë e bukur, përsëris – ai realitet pozitiv që Papa pa këtu, ekziston edhe në shumë vise tjera të botës, ku të krishterët jetojnë si pakicë e në mënyrë paqësore – si në shkollat tona katolike nuk bëjmë dallime fetare. E më duhet të them se shpesh janë pikërisht liderët myslimanë ata që thonë: “Ne jemi ish nxënës të shkollave të krishtera”. Tani, nëse kjo bashkëjetesë paqësore është e mundshme në shumë vende, pse mos ta përhapim këtë eksperiencë edhe më tej? Besoj se vizita e Papës do të japë fryte edhe në këtë drejtim: për bashkëjetesën paqësore të të gjithëve, për respektin dhe të drejtat e të gjithëve.

Cila është domethënia e hapjes së Portës Shenjte në Bangui?

Duke hapur Portën Shenjte Papa, edhe nga pikëpamja teologjike e kishtare, bëri një gjest të jashtëzakonshëm. Papa e hapi Portën Shenjte aty ku deri dje kishte akoma vështirësi e ndeshje. E pikërisht aty ka nevojë të rilindë pajtimi e falja, këto dy elemente që duhen ripërtërirë përsëri. E kjo pse? Sepse zemra e krishterimit është mëshira. Por edhe në zemrën e islamit nuk ka tjetër Zot përveç Hyjit të mëshirshëm; edhe në zemër të islamit ekziston mëshira, së cilës nganjëherë i priten krahët – nga disa harrohet, vihet anash – por e dimë se njëri prej 99 emrave, me të cilin thirrjet Hyji, është emri Allah. Pra, ne të krishterët kemi hapur një Portë të Shenjtë që është ajo e mëshirës e, tani presim, që edhe vëllezërit tanë myslimanë, të cilët besojnë në një Zot të mëshirshëm, ta hapin, edhe ata, një Portë të Shenjtë, edhe për ata, portën e mëshirës së Zotit, e cila duhet zbatuar, jetuar, duke flakur larg armët.








All the contents on this site are copyrighted ©.