2015-12-02 15:05:00

Arrestohen për terrorizëm tre kosovarë: “Ky, Papa i fundit”


Kundër Papës Françesku, mesazhe si “nuk do të ketë më Papë pas këtij, ky është i fundit”. E s’pyet njeri se Ati i Shenjtë s’pushon së quajturi myslimanët “vëllezër” e së kërkuari dialog me botën islamike, duke dhënë vetë shembullin i pari, siç bëri me imamin e xhamisë së Banguit, në Afrikën Qendrore. Mesazhi në Facebook është vetëm një pjesë e propagandës xhihadiste të kosovarëve, që u arrestuan dje, njëri në Kosovë e dy të tjerë në Brescia e në Savona të Italisë. Këta dy të fundit u dëbuan më pas nga territori italian. Për herë të parë, policia merr masa për mbikqyrjen e veçantë të një personi në Vicenza dhe bën dy kontrolle në Perugia.

Por, jo vetëm Papa Françesku, në shënjestrën e xhihadistëve. Pas atentateve të 13 nëntorit në Francë, komenti në rrjet: “Zoti e shkatërroftë Francën, o Allah, sepse deri dje avionët e saj në Siri nuk kanë hedhur karamele…”. Kësaj radhe, terroristët kapen para se të vënë në jetë ndonjë plan konkret. I rëndësishëm bashkëpunimi i policisë kosovare me atë breshiane. “Ndërhymë në një fazë propagande dhe apologjie, para se të kishim probleme në territor”, deklaroi drejtuesi i Digos (Divizioni i hetimeve të përgjithshme dhe i operacioneve speciale)  së Brescia-s, i bindur se grupi do të kishte kaluar në veprime të dhunshme.

Operacioni policor u quajt Van Damme, me emrin e njëri prej aktorëve më të njohur të filmave të aksionit, pasi kosovarët shkruanin në internet se nuk ishin si Van Damme apo Rambo, “ne bëjmë fakte”, thoshin. Deri tani, fatmirësisht, celula kosovare kufizohej në fjalët e shkruara në grupin e Facebook-ut: “Me ose pa ty – Hilafeti(Kalifati) është rikthy”. Truri i grupit ishte kosovari Samet Imishti, i cili, ndër fotografitë e postuara në internet, kishte vendosur edhe atë të djalit dhjetëvjeçar me kallashnikov. Diçitura: “Ky do të jetë Kalifi i ardhshëm”. Samet Imishti ishte rezident në Chiari të Brescia-s, ku Digos arrestoi edhe të vëllain, Ismailin, të cilin e përjashtoi nga territori. Në shtëpinë e tyre ka mbetur tani një vëlla i tretë, i cili deklaron se kanë ngatërruar person e se ai me vëllezërit ndodhen në Itali që prej 20 vjetësh.

Samet Imishti ishte larguar nga Italia para disa muajsh e dje, u arrestua në Hanin e Elezit, në kufi me Maqedoninë. Gjykata e Brescia-s e pati hedhur poshtë kërkesën për paraburgim, pasi subjekti, siç thuhet në motivacionet e Prokurorit, ishte larguar nga vendi, pa u kthyer më. Tani, Samet Imishti, i arrestuar nga autoritetet kosovare, duhet të përgjigjet për akuzat e “apologjisë së terrorizmit” dhe “nxitje të urrejtjes racore”. Në banesën e tij në Kosovë u gjetën edhe armë: një karabinë ruse dhe një pistoletë sllave e kalibrit shtatë.

U dëbua nga Italia jo vetëm i vëllai i Sametit, por edhe nipi i tij, Mergin Imishti, që ndodhej në Savonë. Ndërkaq, për shqiptarin nga Maqedonia, Arben Suma, rezident në zonën e Vicenza-s, është marrë masa e mbikqyrjes së veçantë për pesë vjet.

Kuestori i Brescia-s, Carmine Esposito, nënvizoi rrezikshmërinë e këtyre aspirantëve xhihadistë. “Kishin lidhje të drejtpërdrejta e të rrënjosura me rrjete xhihadiste aktive në Siri”. Sipas gjasave, Samet Imishti kishte lidhje me terroristin e njohur kosovar, Lavdrim Muhaxheri. Në Facebook-un e Sametit, shpjegon kryeprokurori i Brescia-s, Tommaso Buonanno, shkruhej se terroristët do të vijnë në Vatikan. E komenti për atentatet në Francë: “Parisi në zi kulla pa drita, 158 të vdekur e ky është vetëm fillimi. O të mëshirshëm – u drejtohet kosovari të krishterëve, në prag të Vitit të Mëshirës – do të kuptoni se Islami nuk luftohet. Është e kotë”.

Gjatë hetimit janë kapur edhe mesazhe kundër ish-ambasadores amerikane në Kosovë, Tracy Ann Jacobson. “Hebreja amerikane – shkruan Sameti – thotë se qeveria e re do ta luftojë korrupsionin… Unë, kësaj zonje, i them se derisa të jenë ata në Kosovë, nuk do të ketë drejtësi”. E menjëherë, kërcënimi: “Kjo e pafe meriton dënimin me Sheriat”. Jo më larg se pardje, e përditshmja “Zëri” e Prishtinës, vuri në dukje se 120 xhihaditë janë kthyer nga Iraku e Siria, pasi kanë marrë pjesë në luftimet e Shtetit Islamik, që nga viti 2011.

Ndërkaq, sot ndodhej në Prishtinë, sekretari amerikan i shtetit, John Kerry, i cili foli me autoritetet për demokratizimin e integrimin euroatlantik të Kosovës. Kerry vijoi më pas për Beograd, ku nesër do të marrë pjesë në Konferencën ministrore të OSBE-së.








All the contents on this site are copyrighted ©.