2015-12-01 16:48:00

Kard. Parolin Konferencës së Parisit, COP21: ka ardhur koha për një marrëveshje globale mbi klimën


Sot është e nevojshme një marrëveshje mbi klimën, me orientim të qartë etik për mbrojtjen e dinjitetit njerëzor, sidomos të më nevojtarëve dhe për mbrojtjen e ambientit. Kjo është thirrja që bëri dje kardinali Pietro Parolin, në Konferencën e Parisit mbi klimën  (COP21). Sekretari i Shtetit të Vatikanit, që udhëheq delegacionin e Selisë së Shenjtë në këtë takim të nivelit të lartë, çoi përshëndetjen dhe inkurajimin e Papa Françeskut drejtuar të gjithë pjesëmarrësve në këtë ngjarje të rëndësishme.

“Në emër të Papa Françeskut, ju drejtoj të gjithëve një përshëndetje të përzemërt, së bashku me inkurajimin e Tij të sinqertë, për të punuar pa humbur kohë, për një rezultat të frytshëm të kësaj Konference mbi klimën".  Kardinali Parolin e filloi me këto fjalë ndërhyrjen e tij në Cop21 të Parisit. Sekretari i Shtetit të Vatikanit përmendi se Papa Françesku, në fjalimin e mbajtur në selinë e OKB-së në Najrobi, është shprehur në favor të një Marrëveshjeje “globale” e “transformuese” mbi klimën, “bazuar mbi parimet e solidaritetit, të drejtësisë, të barazisë e të pjesëmarrjes, e që synon arritjen e tre objektivave të ndërlikuara e të ndërvarura: zvogëlimin e ndryshimeve klimaterike, luftën kundër varfërisë, mbrojtjen e dinjitetit të njeriut”. E kujtoi se për Papën “do të ishte tragjike, sikur interesat e veçanta të mbizotëronin mbi të mirën e përbashkët, e të sillnin manipulimin e informacionit”. Një marrëveshje globale e transformuese, nënvizoi kardinali Parolin, “ duhet t'i ketë themelet të rrënjosura mbi tri shtylla”.

Shtylla parë, tha, “ qëndron në miratimin e një orientimit të qartë etik, që frymëzon motivimet dhe caqet e Marrëveshjes”.

Shtylla e dytë, vijoi, “ka të bëjë me faktin se Marrëveshja duhet jo vetëm t’i gjejë mënyrat për t'u zbatuar, por edhe të japë sinjale të qarta, që orientojnë sjelljet e të gjithë protagonistëve të interesuar, duke u nisur nga qeveritë, por edhe nga autoritetet lokale, bota e sipërmarrësve në fusha të ndryshme, nga komuniteti shkencor e shoqëria civile”.

Shtylla tretë, sipas kardinalit Parolin, “ka të bëjë me vizionin e së ardhmes”. Cop-21 “nuk përfaqëson as momentin e arritjes, as pikënisjen, por një etapë kyçe të një udhe, e cila, sigurisht, nuk  përfundon në vitin 2015”. Një Marrëveshje me një “perspektivë të gjerë të përkohshme, siç është ajo për të cilën e kemi fjalën, – theksoi kardinali – duhet të parashikojë procese verifikimi e followup transparente, efikase e dinamike, në gjendje ta përmirësojë gradualisht ambientin, si edhe  të garantojë një kontroll të përshtatshëm”. Më tutje, tha kardinali Parolin , “duhen shqyrtuar seriozisht edhe modelet e prodhimit e të konsumit të mundshëm, sjelljet e reja dhe stilet e jetesës, në përkim me masat, që janë të domosdoshme për t’u marrë për shpëtimin e mbrojtjen e mjedisit. Zgjidhjet teknike janë të domosdoshme – nënvizoi ai – por nuk janë të mjaftueshme, nëse nuk përforcohet edukimi mbi stilin e një jete të mundshme e të vetëdijshme”.

Ati i Shenjtë, përfundoi kardinali Parolin, uron që Konferenca mbi klimën “të përfundojë me miratimin e një Marrëveshje globale e transformuese, me orientime të qarta etike, me impenjimeve serioze, që kanë në qendër të vëmendjes të mirën e përbashkët të familjes njerëzore".

Sot Dita dytë e punimeve për Cop21, Konferencën e OKB-së mbi klimën në Paris: ndër impenjimet më urgjente të 150 liderëve që kanë folur në Le Bourgert, është nënshkrimi i një marrëveshje mbi kufizimet e ngrohjes së klimës. Vendimtar qe ndërhyrja e Obamës, i cili pranoi përgjegjësitë e SHBA-së për çrregullimet klimaterike dhe premtoi një reduktim të emetuesit të dytë më të madh të gazit [ndotës për ambientin] në SHBA-së deri në 28%. Një konsensus i madh u regjistrua rreth përpjekjeve të përbashkëta për investime për një energji të pastër, ndërsa pati divergjenca rreth fjalimeve të Kinës e Indisë, që kërkuan të mos e ndalin zhvillimin industrial për të kundërshtuar ndryshimet klimaterike.








All the contents on this site are copyrighted ©.