2015-12-01 15:32:00

Bisedë e Papës në avion: Vatileaks, luftrat dhe fundamentalizmi


“Zoti e bekoftë Afrikën!” Me këtë tweet, Papa iu kthye sot udhëtimit apostolik në kontinentin e zi, ku përshkoi tri vende: Kenian, Ugandën dhe Republikën e Afrikës Qendrore. Shtegtimi i 11-të apostolik i Atit të Shenjtë përfundoi mbrëmë, në orën 18.33, kur mbërriti në aeroportin e Ciampinos, për të shkuar fill më pas në Bazilikën e Shën Marisë së Madhe, siç bën zakonisht. Është e 28-ta herë që Papa Françesku përsërit këtë gjest, tashmë tradicional, me të cilin ia beson dhe e falenderon Zojën, “Salus Populi Romani” për udhëtimet e tij.

“U befasova nga Afrika”

         Në avion, gjatë kthimit, konferenca e zakonshme e shtypit me gazetarët. Për rreth një orë, Ati i Shenjtë iu përgjigj pyetjeve mbi vizitën në Afrikë, por edhe mbi procesin Vatileaks 2 e mbi çështjet kryesore ndërkombëtare. Foli për dialogun e mundshëm me Islamin, për fundamentalizmin e pranishëm në të gjitha fetë, për Konferencën mbi klimën, që vijon në Paris dhe konfirmoi udhëtimin e tij të ardhshëm në Meksikë. Ky vend është pra, me siguri, në listën e shtegtimeve të Atit të Shenjtë, por edhe premtimi, që u pati bërë tre patriarkëve të Armenisë, nuk e lë indiferent Papën. Gjithsesi, Françesku përqendrohet në Afrikën e sapovizituar, kur flet me gazetarët. Ajo i ka lënë kujtime të pashlyeshme në zemër, duke filluar nga turma, gjithnjë e gëzuar e festive, që e ndoqi Papën me hapa vallëzimi. “Aftësi për të festuar edhe me barkun bosh”, komentoi Ati i Shenjtë:

         “Për mua Afrika qe syrprizë. E mendova: ‘Zoti na befason, por edhe Afrika na befason!”… Në të tria kombet, pashë se kishin ndjenjën e fortë të mikpritjes, sepse ishin të lumtur për këtë vizitë. Pastaj, çdo vend ka identitetin e vet: Kenia është pak më moderne, e zhvilluar; Uganda ka identitetin e martirëve… guximin të japin jetën për një ideal; ndërsa Republika e Afrikës Qendrore ka dëshirën për paqe, për pajtim, për falje”.

         Duke folur për të rinjtë e për familjet e varfëra e pa të drejta, Papa tha se ndjeu dhimbje të madhe, e përshkroi Afrikën si viktimë, madje ‘martire’ e shfrytëzimit nga “idhujtaria” e Zotit para, qendër e sistemit të sotëm ekonomik. Kush thotë se nga Afrika vijnë të gjitha të këqiat e të gjitha luftrat, denoncoi Ati i Shenjtë, nuk e kupton mirë ç’i bëjnë njerëzimit disa forma zhvillimi.

Parandalimi i Sidës

         Edhe Sida është problem i jashtëzakonshëm në Afrikë e një gazetar e pyet Papën Françesku nëse Kisha mund të ndryshojë linjën e saj për të dhënë më shumë mundësi parandalimi të kësaj sëmundjeje:

         “Plaga më e madhe është padrejtësia shoqërore, padrejtësia ambientale, padrejtësitë që thashë më sipër e që vijnë nga shfrytëzimi, nga ushqimi i keq. Nuk më pëlqen të ulem në reflektime kaq rast për rast, kur njerëzit vdesin për mungesën e ujit, të ushqimit e të shtëpisë…”

         Kur t’i kemi zgjidhur këto probleme, nënvizoi Papa, atëherë do të ndalemi edhe në çështje të veçanta.

Edhe katolikët kanë fajet e tyre

         Pyetjet e gazetarëve u përqendruan në aktualitetin ndërkombëtar. Fundamentalizmi, që veproi në Paris, për Papën Françesku është sëmundje e të gjitha feve, duke filluar nga katolicizmi:

         “Ne katolikët kemi disa – madje jo disa, shumë – që mendojnë se kanë në dorë të vërtetën absolute dhe s’bëjnë tjetër veçse hedhin baltë mbi të tjerët me shpifje, me fyerje e bëjnë keq: bëjnë keq. E këtë e them se është Kisha ime: edhe ne [jemi pjesë e kësaj], të gjithë! E duhet ta luftojmë [këtë ves]”.

         Por nuk mund të zhduket një fe vetëm sepse ka grupe fundamentalistësh, reflektoi Françesku. Më fenë myslimane, përsëriti Papa disa herë, dialogu dhe miqësia janë përvoja të mundshme, pasi vlerat e saj janë të shumta. Përsa i përket konfliktit aktual ndërmjet Rusisë e Turqisë, Ati i Shenjtë theksoi se të gjitha luftrat janë “mëkat kundër njerëzimit”, janë “punë armësh” e OKB-ja duhet të bëjë më tepër për të kapërcyer rrezikun e mbizotërimit të një vendi të vetëm.

Konferenca për klimën në Paris

         Plot shpresë është vështrimi i Papës mbi konferencën e Parisit për ndryshimet e klimës. Ati i Shenjtë e sheh me besim zgjidhjen e problemit ambiental, pavarësisht se pranoi që sa është bërë deri tani, është pak dhe se gjendja keqësohet përditë:

         “Jemi në limitin e fundit! Jemi në kufirin e vetëvrasjes, për ta thënë me një fjalë të fuqishme. E unë jam i sigurtë se gati të gjithë ata, që ndodhen në Paris, në COP21, janë të vetëdijshëm për këtë e duan të bëjnë diçka… uroj të jetë kështu, lutem për këtë”.

Vatileaks 2

         Dy pyetje për luftën kundër korrupsionit dhe për procesin, që po zhvillohet në Vatikan. “Do ta vazhdoj, së bashku me kardinajtë, veprën e spastrimit”, ishin fjalët e Papës Françesku, i cili vlerësoi dhe inkurajoi rolin denoncues, që pati shtypi, me kusht që të jetë “profesional” dhe lajmet “të mos manipulohen”. E nëse ndonjë gazetar gabon, të kërkojë falje, nënvizoi Ati i Shenjtë:

         “Shtypi profesional duhet të thotë gjithçka, pa rënë në tre mëkatet më të zakonshme: çinformimi – pra, të thuash gjysmën, por jo gjysmën tjetër, – shpifja – shtypi jo profesional, që nuk ka profesionalitet, hedh baltë mbi tjetrin e s’pyet a është e vërtetë, – si edhe fyerja”.

Benedikti XVI, i pari që denoncoi “fëlliqësitë” brenda Kishës

         Papa Françesku kujtoi Benediktin XVI, i pari që denoncoi “fëlliqësitë” brenda Kishës. Ne e zgjodhëm pikërisht për lirinë e tij në thënien e gjërave haptas. Natyrisht, pranoi Ati i Shenjtë, ka qenë gabim hyrja në Komisionin vatikanas COSEA të imzot Baldas dhe të zonjës Chaouqui, sot në bankën e të akuzuarve:

         “Gjykatësit do të na thonë të vërtetën mbi synimet e mbi mënyrën si i kanë bërë punët… Për mua, nuk ishte befasi, nuk ma prishi gjumin, sepse kjo vuri në dukje punën që kemi filluar me Komisionin e Kardinajve – C9 – në kërkim të korrupsionit e të gjërave, që nuk shkojnë”.

         Papa do të dëshironte që çështja të mbyllej brenda 8 dhjetorit, por, tha vetë, “nuk mendoj se është e mundur”. Avokatët duhet të organizojnë mirë mbrojtjen.








All the contents on this site are copyrighted ©.