2015-11-30 14:14:00

Papa të rinjve: jini guximtarë në falje, në dashuri, në paqe


Si përfundoi kremtimin e Meshës në Katedralen e Bangui, Papa Françesku nisi Mbrëmësoren e Lutjeve me të rinjtë, kushtuar Mëshirës. Foli pa tekst zyrtar Papa, lirisht, si flet zemra me zemër, duke u përqendruar mbi forcën e faljes, për t’u bërë ndërtues të paqes. E pas këtyre fjalëve, Françesku u dha Sakramentin e Pajtimit disa të rinjve, që patën fatin të rrëfehen me Papën.

Fjalës së Françeskut në Mbrëmësore, i parapriu dëshmia e një të riu, që theksoi dëshirën e rinisë afrikane për t’i lënë pas përçarjet, në emër të një ardhmërie me paqe e begati.

Mëshira është dashuri e një Ati, që fal gjithmonë. E kështu, me një gjest që flet vetë, edhe pse pa fjalë, Papa rrëfeu disa të rinj afrikanë, kur dielli tashmë kishte perënduar. Ishte një çast tejet simbolik, që i papriu Mbrëmësores së Lutjes të të rinjve qendrafrikanë, rini e një bashkësie të plagosur nga dhuna, rini që kërkon falje e paqe. E pikërisht për faljen e guximin për të dashur, për ta ndërtuar paqen, foli edhe Papa  në këtë çast lutjeje, kushtuar mëshirës. Ashtu si në takimin me të rinjtë në Kenia e në Ugandë, Françesku e la mënjanë tekstin e përgatitur, për të hyrë në dialog të lirë me të rinjtë.

Kini guxim të luftoni për të mirën  

Papa e shtjelloi reflektimin, duke u nisur nga figura e drurit të bananes, zgjedhur nga të rinjtë afrikanë si simbol: dru i fortë, rezistent, “simbol i jetës”:

“Është e nevojshme të rezistosh, të kesh guximin e rezistencës, të luftës për të mirën! Kush ikën, nuk e ka guximin të japë jetën”.

E, për të pasur rezistencë, duhet të luteni, i porositi të rinjtë Papa, sepse lutja e mund të keqen e të afron tek Zoti. E duhet edhe të punoni për paqen. Duke kujtuar se paqja nuk është një dokument, që nënshkruhet e mbetet aty, ku u vu firma, Ati i Shenjtë theksoi se për të siguruar paqen, duhet luftuar ditë për ditë!

Kurrë urrejtje, gjithnjë falje, që të fitojë dashuria

Paqja, kujtoi Papa, është punë artizanale, bëhet me duar! Bëhet me jetë! E që një i ri afrikan të bëhet  artizan i paqes, duhet, së pari, të mos urrejë kurrë. Po bëre keq, duhet të kërkojë menjëherë falje. Kurrë urrejtje, gjithnjë falje! Nëse e mund urrejtjen, që të vlon në zemër, je ti fitimtari. Sepse të luftosh kundër urrejtjes, është beteja më e vështirë e jetës, që të bën fitimtar të dashurisë. E përmes dashurisë vjen edhe paqja.

Gjithë fjalën e Françeskut si dhe e porositë dhënë të rinjve, mund t’i përmbledhim në një frazë të vetme, tejet të shkurtër, me vlerë për të gjitha moshat e  për të gjitha viset:

“Besojini Zotit e jini artizanë të paqes!”.

Papa e përfundoi fjalimin duke inkurajuar të rinjtë ta kenë zemrën të gatshme për t’u lutur, për të rezistuar, për të luftuar, për të ndërtuar paqen, pajtimin, harmoninë!








All the contents on this site are copyrighted ©.