2015-11-30 11:54:00

Papa: të krishterë e myslimanë janë vëllezër, t’i jepet fund dhunës!


Të krishterë e myslimanë të bashkohen si vëllezër, për t’i dhënë fund çdo  veprimtarie të dhunshme “që e shpërfytyron Fytyrën e Zotit”. Këtë mesazh i la Papa Françesku bashkësisë myslimane të Bangui, me të cilën u takua në xhaminë e kryeqytetit. Papa uroi që zgjedhjet e ardhshme të dëshmojnë  se vullneti për unitet kombëtar është më i fortë sesa përçarjet e brendshme.

“Jemi vëllezër!”. Frazë revolucionare, nëse kemi parasysh kohët e ngarkuara me urrejtje, me frikë, armiqësi, që burojnë nga dyshimi. “Të krishterë e myslimanë jemi vëllezër”, pohoi Papa pa hijen e frikës, as të dyshimit. Fjalët e Atit të Shenjtë, shqiptuar në gjuhën italiane, përkthyer frazë pas fraze, jehuan fort në xhaminë e Koudokou, në Bangui. Pesë imamë e pritën, pak para këtyre fjalëve, Papën, duke e shoqëruar deri tek podiumi i vendosur në skaj të zonës së caktuar për lutje.

Së bashku t’i themi “jo” urrejtjes

Dyqind vetë dëgjonin fjalë që, në kohë frike e dyshimi, vërtet pak e kush ka guximin t’i thotë kështu, haptas, në një qytet, që për shumë e shumë vjet pati si ligj atë të dhunës, bazuar, tha qartë Françesku, mbi motive fetare. Por jo! Jo kështu! Kush thotë se beson në Zotin - pohoi me forcë Papa - duhet të jetë edhe burrë a grua e paqes:

“Të krishterë e myslimanë jemi vëllezër. Duhet ta shikojmë njëri-tjetrin si të tillë, duhet të sillemi si të tillë (..). Duhet të jemi gjithnjë të bashkuar, për t’i dhënë fund çdo veprimi, që e shpërfytyron Fytyrën e Zotit e që ka për bazë synimin të mbrojë me çdo mjet interesa të veçanta, në dëm të së mirës së përbashkët. Së bashku, t’i themi jo urrejtjes, jo hakmarrjes, jo dhunës, posaçërisht asaj, që kryhet në emër të fesë a të Zotit. Zoti është paqe, Zoti salam!”.

Faleminderit njerëzve të paqes

Françesku e di, e ua kujton të gjithëve, se të krishterë, myslimanë e anëtarë të feve tradicionale jetuan paqësisht për shumë e shumë vjet e se një trashëgimi e tillë harmonie nuk duhet shpërdoruar. I vlerësoi, prandaj, lart   ata liderë të të dyja feve, që shkrijnë gjithë jetën për të rivendosur harmoninë e vëllazërinë ndërmjet të gjithëve:

“Dua t’i siguroj për mirënjohjen e nderimin tim. E mund të kujtojmë edhe një mori gjestesh solidariteti, që bënë të krishterë e myslimanë për bashkatdhetarët e një konfesioni tjetër fetar, duke i mikpritur e duke i mbrojtur gjatë krizës së fundit në vendin tuaj, por edhe në  vise të tjera të botës”.

Zgjedhjet, çast uniteti

Vështrimi i Françeskut u zhvendos, më pas, tek kalimi institucional - zgjedhjet e ardhshme presidenciale - dritë demokracie në fund të tunelit të konfliktit, që gjakosi tepër gjatë Republikën Qendrafrikane. Papa uroi që ky këshillim kombëtar t’i japë vendit drejtues, të cilët dinë t’i bashkojnë qendrafrikanët, duke u bërë, kështu, simbole të unitetit të kombit, jo përfaqësues të ndonjërit nga fraksionet:

“Ju inkurajoj  ta bëni vendin tuaj shtëpi mikpritëse për të gjithë bijtë, pa dallim etnie, përkatësie politike, konfesioni fetar. Republika Qendrafrikane, e vendosur në zemër të Afrikës, falë bashkëpunimit të të gjithë bijve të saj, do të mund t’i japë përsëri një nxitje, në këtë drejtim, mbarë Kontinentit. Ajo mund të ndikojë pozitivisht e të ndihmojë për t’i shuar vatrat e tensionit, ende të pranishme, që i pengojnë afrikanët të gëzojnë zhvillimin e merituar, për të cilin kanë plotësisht të drejtë”. 








All the contents on this site are copyrighted ©.