2015-11-30 18:19:00

Në xhami, Papa lutet pa këpucë, pastaj, me hoxhën në papamobil


Përfundoi sot udhëtimi i parë apostolik i Papës Françesku në Afrikë. Ati i Shenjtë shkoi në Kenia, në Ugandë dhe në Republikën e Afrikës Qendrore. Dy, takimet e sotme me qendërafrikanët: ai në xhaminë e Koudoukou, me bashkësinë myslimane dhe ai i meshës në kompleksin sportiv Barthélémy Boganda të Banguit. Më pas, ceremonia e lamtumirës dhe nisja nga aeroporti i Banguit për në Romë, ku Papa mbërriti në orën 18.33 në aeroportin e Ciampino-s.

Kur mbërriti në xhami, komenton gazeta vatikanase “L’Osservatore Romano”, Ati i Shenjtë u prit nga pesë hoxhë. “Pas shkëmbimit të dhuratave, hoqi këpucët e kaloi ndërmjet besimtarëve myslimanë, duke u ndalur për dy minuta në lutje”. E në kronikën e nënshkruar nga Maurizio Fontana jepen një sërë detajesh nga paraditja e Papës, të cilat nuk njiheshin për shkak të mungesës së videove zyrtare.

Pasi doli nga xhamia, “Papa deshi të shtojë një etapë tjetër, të paparashikuar në program, duke u ndalur në shkollën e Koudoukou, ku strehohen shumë të shpërngulur të lagjes. Me një gjest domethënës – shkruhet në gazetën vatikanase – Ati i Shenjtë bëri një xhiro me papamobil në kampin sportiv të institutit, duke pasur përkrah hoxhën e xhamisë: dëshmi e mëtejshme e afërsisë, e kujdesit dhe e bashkimit. Pastaj, u drejtua për nga stadiumi Barthélémy Boganda, për meshën përfundimtare të udhëtimit”.

Pavarësisht nga frika për sigurinë e Papës në etapën qendërafrikane, komenton “L’Osservatore Romano”, shtegtimi përfundoi “pa probleme”, në aeroportin e Banguit, në orën 12.30, “falë edhe punës diskrete të Xhandarmërisë dhe të Rojeve Zvicerane, si gjatë përgatitjes, ashtu edhe gjatë zhvillimit të vizitës”.








All the contents on this site are copyrighted ©.