2015-11-29 13:22:00

Papa në kampin e refugjatëve: të bëjmë gjithçka për paqen


Në orët e mesditës, Papa Françesku u takua me refugjatët, në Kampin e St.Sauveur (Shën Shëbuesit) të Bangui. Refugjatët, e sidomos fëmijët e tyre, e pritën Atin e Shenjtë në oborrin e kompleksit famullitar. E para, që i uroi mirëseardhjen ishte një grua refugjate. Papa iu përgjigj menjëherë, me dashuri të veçantë, përshëndetjes, duke folur lirisht.

Ju përshëndes të gjithë ju, që jeni këtu, ishin fjalët e para të Françeskut. Ju them se e lexova atë, që kanë shkruar fëmijët: paqe, falje, unitet e shumë e shumë gjëra të tjera… Dashuri, sidomos:

“Ne duhet të punojmë e të lutemi e të bëjmë gjithçka mundemi për paqen. Po paqja pa dashuri, pa miqësi, pa tolerancë, pa falje, nuk është e mundur, nuk është paqe. Secili nga ne duhet të bëjë diçka. Ju uroj, ju e të gjithë qendrafrikanëve, paqe! Një paqe të madhe ndërmjet jush!”

Uroj të mund të jetoni në paqe, secila etni, kulturë, fe, shtresë shoqërore. Por të gjithë në paqe! Të gjithë. Sepse të gjithë jemi vëllezër!

Do të më pëlqente, vijoi Ati i Shenjtë të themi gjithë së bashku:

“Të gjithë jemi vëllezër!”.

Edhe një herë! E pikërisht pse jemi vëllezër e duam paqen. E unë po ju jap bekimin e Zotit. Zoti ju bekoftë, në emër të Atit e të Birit e të Shpirtit Shenjt:

“E lutuni për mua. Lutuni për mua, dëgjuat?”.








All the contents on this site are copyrighted ©.