2015-11-29 17:03:00

Fjalimi i Ismail Qemalit mbajtur më 28 nëntor 1912 në Vlorë


Fjalimi i Ismail Qemalit i mbajtur me 28 nëntor 1912 në Mitingun e Madh në Vlorë me rastin e ngritjes së flamuritOh! Sa të lumtur që e ndiej vehten sot, që shoh, këtu në Vlorë, kaqë burra Shqipëtarë të mbledhur tok, tuke pritur me kureshti e padurim përfundimin e kësaj mbledhjeje historike, për fatin e Atdheut tonë të dashur. Plot me gaz e me lot ndër sy, nga mallëngjimi, pra, po dal këtu para jush që t’ju gëzoj me sihariqin e madh, se sot, edhe këtë minutë, Kongresi çpalli mëvehtësinë e Shqipërisë, tuke lajm-ëruar gjithë botën mbarë për këtë punë e duke më ngarkuar mua kryesin’ e qeveris së përkohshme të Shqipërisë së lirë.
Porsi ëndër më duket ky ndryshim i madh i vendit t’onë, që hoqi e voi të zezat e të lirit pesëqind vjet me radhë ndënë sundimin turk, por që tani në kohët e fundit, ishte gati të jepte shpirtin përgjithënjë, të shuhej e të çfarrosej krejtësisht nga faqia e dheut, këjo Shqipëri, që, dikur, shkëlqente nga trimërija e pashoqe e bijve të saj; kjo Shqipëri, që kur i kërcënohej rreziku Europës nga pushtimet e Turqisë, ndënë kryetrimin e pavdekur të saj, Skënderbejnë, u bë porta e hekurtë kundra sulmeve më të tërbuara të sulltanëve më t’egër që ka pas Turqija. Mirëpo, desh Zoti, që me punën, me trimërinë dhe guximin e pashoq të Shqipëtarëvet, sot e tutje të marrin fund mjerimet dhe vuajtjet e Atdheut t’onë, sepse, këtu e kështu, jemi të LIRË të PAVARUR dhe MËVEHTE, prandaj: qeshni e gëzoni! Për t’ia arrijtur kësaj dite të bardhë e të madhe, na ka ndihmuar gjaku i dëshmorëvet dhe puna e vlefshme e patriotëve t’anë dhe e të gjithë shokëve që muarrnë pjesë në këtë mbledhje dhe e të gjithë juve, që tani po ju gufon zemëra nga gazi i madh që ndieni; mirëpo mbledhja si më plak që jam, m’a ngarkoi mua Ngritjen e shënjtë të shënjës t’onë Kombëtare, të flamurit t’onë të ëndërruar e të dashur (nxjerr Flamurin, të cilin e ka të vendosur në një shtizë hekuri, natyrisht të vogël, dhe të pshehur nën pallto dhe passi e mba një sekondë në dorë e ngul në shtyllat e ballkonit. Amatorët, posa e shohin Flamurin thërrasin me gëzim e me zë të lartë: Rroftë Flamuri, Rroftë Shqipërija e Lirë).
Ja, pra, ky është Flamuri Ynë i kuq e me shqiponjën dykrenare të zezë në mest. Dhe tani, të gjithë bashkë, si një trup i tërë dhe i pandarë, le të punojmë për t’a mburuar, për t’a përparuar e për t’a qytetëruar si i ka hije Atdhenë t’onë të Lirë.
Tuke përfunduar, s’më mbetet gjë, veçse t’i drejtoj një lutje Zotit të Madh, që, bashkë me bekimet e Tij që i lipij të na japë për të qenë të denjë të kësaj dite, të pranojë që këtej e tutje të jem unë dëshmori më i parë i Atdheut, ashtu siç pata nderin dhe fatin që të jem i pari ta puth e ta bëj të valvitet i Lirë. Flamuri i ynë, n’atdhenë t’onë të lirë.
Rroftë Flamuri!
Rroftë Shqipërija!


Dora e Zotit
Kush ka patur fatin të ndodhet atje e ta shikojë këtë sqenë të përmallshme, s’ mund ta harrojë kurrë. Na u duk sikur Dora e Zotit e këputi zinxhirin e skllavërisë; sikur u çel menjëherë rruga e një jete të re e të lumtur për popullin t’onë; sikur duallëm nga terri në dritën e bekuar të diellit; zemrat na u mbushën me gaz e me shpresë. Qysh të mos lindeshin këto ndjenja duke parë sqenën e prekëshme të vëllazërimit: Myftiu i Dibrës Vehbiu q’u përfaqua me Ipeshkun e Durrësit Don Nikollë Kaçorin; orthodoksi beratas Bab Dud Karbunara mjekër-gjati që puthi në ballë katolikun shkodran Luigj Gurakuqin, bashkëpunëtori e dora e djathtë e Ismail Qemalit; Isa Buletini i Kosovës, me famë trimërie e në shumë kryengritje kundër Turqvet, që i puthi dorën Ismail Qemalit, beut të Vlorës; Murad Toptani nga Tirana, që ngriti flamurin në mes të Mbledhjes dhe këndonte Këngën e Flamurit, së bashku me përfaqësonjësit korçarë të Kolonisë së Bukureshtit q’e kishin prurë atë këngë nga Vllahia! Kush kishte parë ndonjëherë një pamje të tillë në Shqipëri? A mundej të mos mallëngjeheshim? A s’ishte për të derdhur lotë gëzimi? Një urim e një lutje pëshpëritte çdo buzë shqiptari: Falja, o Zot, tërë popullit tonë këtë vëllazërim për gjithmonë, që të munt të krijojë një jetë shtetërore të lirë e të lumtur.

Nga kujtimet e Dhimitër Beratit – “Ata që shpallën pavarësinë Kombëtare”, fq 203

Flamuri në Shkodër

Kundërshtimi ndermjet të muhametanve të Shkodres e të katolikve kje shkaktue nga flamuri e nga germat e shkrimit të gjuhës.
Fanatikt e vjeter qi nuk ndijshin tjeter ngrehje veç se krenín e perfitimet e veta nuk deshtne të rrzohej flamuri i Turkís me u shndrrue me flamurin e Shqypnís e kjo kje grindia e parë. Nuk dona flamurin me sorrë!... britshin rrugave disa, të frymzuem nga pleqt e vjeter. Dona flamurin e Shqypnis me Shqypen e Skanderbeut, britshin Krishtiant në tjetren anë.
Kje perba nji klub me djelm të ri shkodranë e malcorë ku muerne pjesë edhe nji parti muhametane të rijsh qi ndijshin në shpirtë ngrehjen e kombësís e kerkoshin lirín e pamvarsín. Klubi ishte per flamurin e Shqypnís edhe në derë të klubit perhillej flamuri i kuq me shqypen e zezë në mjedis. Në tjetren anë në prefekturë e në kështjell të Shkoders valonte gjithnji flamuri i Turkís me hanë e hyll.

Dom Ndoc Nika, “Kujtime të një jetës së kalueme”, Plejad, 2003

Mvetësia e Shqipëniës

E’andërrueme nga vjershëtorët dhe e dëshrueme nga zemrat e djeguna të disa pakë atdhetarëve, që vuanin e dirgjeshin nëpër burgjet e errëta e që qanin e rënkonin nëpër shkretinat e largëta të ndjekur e të dëbuar nga Atdheu i dashun, mveshtësia e Shqipënisë na dukej të gjithëve si një dëshirë e paarrijtshme, si një dhuratë tepër e çmuarshme për varfërinë tonë, si një pemë e ambël e shijshme, të cilën Perëndia ua kishte ndaluar shqipëtarëvet të mjerë.
Megjithë dëshirën e nxehtë, megjithë adhurimin e thellë që kombi i ynë ka ndie kurdoherë për lirinë vehtore, robënia e gjatë e sgjedha e dredhimet e Turqisë, që për aq shumë kohë kishin rënduar mbi qafën e shqiptarëve, kishin shutitun edhe, ndë mos shuar, idhenë e Bashkimit e të Mvehtësisë në zemrat e tyne.
Po edhe ata, që përpiqeshin e që punonin, edhe ata që vuanin e që luftonin nuk e shihnin tepër t’afërme, nuk e prisnin shpejt për së shpejti ditën e bardhë të mvehtësisë s’Atdheut. Dëshirën e tyne të flaktë e ruanin dhe e ushqenin në thelbin e zemrave të veta andërrën e tyne të lulëzuar e fshihnin në thellësinë e kujtimevet të veta, po nuk kishin tepër shpresë se do t’a arrinin ata vetë idealin e shenjtë, të cilit i kishin falun e kushtuar fuqinë, mendjen, qetsinë e trupit e gjanë e jetën e vet.
Kështu punonin e përpiqeshin atdhearët tanë: mundimet e të vishtirat, që pësonin, i hiqnin e i vuanin për bijtë e nipat e tyne, e me gjakun e vlefshëm, që derthnin pa pushim e pa kursim, e dinin mirë se nuk do të vaditnin e nuk do t’ushqenin një lule, me erën e të cilës, do të knaqeshin e do të dëfrenin. Mirëpo, në jetën e kombevet si edhe në jetën e njerëzve ndodhnin hera-herë disa rasa të papandehuna që trazojnë rrjedhën e punëvet e pjellin disa ngjarje, që as nuk i prisnin e nuk i shpresonin. Ashtu na ngjau edhe neve motin që shkoi, mot i mbushun me brengë e me pësime, po që, ndë mest të trazimevet e të ligavet të panjohura, na solli edhe një të mirë të pashpresuar e të paçmuarshme, domethanë, Lirinë, Bashkimin, Mvehtësinë e Adheut.
E mësyeme e e rrahun në të gjitha anët, e mundunë e e shtypun në të gjitha luftat, Turqia po hiqte frymën e fundit në Evropë. Shqipnia që, po m’ato ditë kishte dalë nga një kryengritje e rreptë dhe e përgjakshme, ndodhej e lodhun dhe e papërgatitun e gjendej në rrezik të madh. Viset e saja u shkelën, pothuaj të gjitha nga të huajt e bijtë e saj, të mahnitun nga rrufeja e zjarrtë, që shkrepi e u zbras mbi kokën e tyne, nuk dinin se nga t’ia mbanin. Po Perëndia nuk e kishte thanë që të shuhej fare plangu jetik i Burrit e i Skënderbeut, që të shdukej ng faqja e botës kombi shqiptar i vjetër e po m’atëherë, kur anmiqtë tanë na kishin dënuar me vdekje e po përgatiteshin ta ndanin copa- copa Atdhethin t’onë të shtrenjtë, ata, që ushqenin në zemrat e tyre idealin e mvehtësitë, rrokën flamurin të kuq e të zi në dorë e, pa vështruar të liga e rrezike, u mblodhën këtu në Vlonë, ku delegatët e ardhun prej të gjitha viseve tona nxorrën Shqipërinë më vehte, të Lirë e të Bashkuar.
Nuk është sot dita të përmendim nëpër sa të liga ka shkuar Shqipënia në këtë mot të gjatë e sa ka vuar e po vuan akoma; dua vetëm të shtonj se, në këtë ditë fatëbardhë, që do të mbetet e paharrueshme në kujtimet e shenjta të kombit tonë, lipset që zemrat e të gjithë shqiptarëve të lidhen, të bashkohen, të bahen një.
Duke kujtuar e duke kremtuar ditën e sotshme duhet të përsëritim prapë besën që u dhamë shoqishoqit vitin që shkoi; e duke sjellun përpara sysh rreziket e tmerrshme që i vareshin Atdheut përmbi krye, e shpëtimin tonë të çuditshëm, ta forcojmë dashuninë e vëllazëninë e t’i japim dorën njëni-tjetrit për të mbajtun, për të rritun, për të shtuar Mvehtësinë e Shqipërisë sonë të dashun.
Ta dijmë mirë se çarjet, zihjet, anmiqësitë tona na turpërojnë përpara Evropës, e cila vitin që shkoi nxitoi duke njohun menjeherë Mvehtësinë tonë; u shtojnë rreziket vëllezënvet tanë të mjerë, që ditë më tjatrë po presin të lirohen nga zgjedha greke e të bashkohen me ne, e ma tepër u thyejnë zemrën atyne fatzesve, që patën rrezikun e madh të mbeten jashtë Shqipnisë së Lirë.
Të betohemi pra edhe njëherë mbi Lirinë e Atdheut, mbi varret e dëshmorëvet tanë, t’i bajmë therorë përpara altarit të Atdheut armiqësinë e cmirat e zilitë e poshtme e të lidhemi e të bashkohemi të gjithë me një ment e me një zemrë, që të përpiqemi e të punojmë bashkë si vllezër që jemi, për të shëruar plagët e Shqipënisë e për të fshirë lotët e atyne që qajnë e rënkojnë mbi brenget e viseve të veta që u ndanë nga trupi i Atdheut të përbashkët.

Fjalimi i Luigj Gurakuqit në kryevjetorin e Pavarësisë: Marrë nga Gazeta”Përlindja e Shqipëniës”, Nr. 26, 15/28 Vjesht’ e III, 1913.


Fjala e Imzot Mirditës ne rivarrimin e eshtrave të Dom Nikollë Kaçorrit‏
Në Meshën e dritës, Durrës, shkurt 2011

(2Sel 3,6-15; Ps 137; Mt 22,15-22)
Mbi lumenjtë e Babilonisë,
Atje rrinim e vajtonim,
E nëpër mend shkonim Sionin.
Atje, shpërngulësit tanë na kërkonin këngë:
“Na këndoni këngët e Sionit!”
Po si mund t’i këndojmë
këngët e Zotit në dhe të huaj?

Të nderuar Zonja dhe zotërinj,
Të dashur vëllezër e motra,
Psalmi 137 përshkruan me nota melankonie të thellë gjendjen e hebrenjve larg tokës së tyre të pushtuar e të shkretuar nga babilonezët para 2500 vjetësh. “Si mund t’i këndojmë këngët e Zotit në dhe të huaj?”, thotë psalmisti. Historia biblike e shpërnguljes së hebrenjve është paradigmë e një populli që kërkon një atdhe ku të jetë i lirë, sepse vetëm në liri mund të këndohen këngët e Zotit.
Sot kemi para nesh mbetjet mortore të një burri të madh të kombit tonë, që gjatë tërë jetës ka kërkuar një atdhe të lirë dhe ka vdekur në dhe të huaj. Imzot Nikollë Kaçorri qëndron në themelet e shtetit shqiptar në të gjitha kuptimet e fjalës themel. Së pari, sepse ka pasur bindjen e thellë se shqiptarët nuk mund të prisnin më për t’u çliruar nga sundimi i gjatë osman, dhe kjo bindje e ka shtyrë të angazhohet për të përgatitur mendërisht, kulturalisht dhe politikisht popullin shqiptar për shpalljen e pavarësisë. Së dyti, sepse priti në Durrës delegacionin që ishte nisur nga Trieste për të shpallur “Shqipninë e mos varme” dhe, pasi u vu re se shpallja e pavarësisë në Durrës vihej në rrezik për shkak të pasigurisë së atij qyteti të kërcënuar nga pretendimet serbe dhe greke, bëri të mundur sigurinë e udhëtimit të këtij delegacioni drejt Vlorës. Së treti, sepse në Vlorë jo vetëm se hodhi firmën përkrah Ismail Qemalit dhe ishte ndër pesë personat që valëvitën për herë të parë flamurin e Shqipërisë së pavarur, por u bë edhe zëvëndëskryeministri i parë i shtetit të ri shqiptar. Ai qëndron në themelet e shtetit shqiptar jo vetëm sepse është njëri ndër gurët e mëdhenj të këtij themeli, por sepse më shumë se të gjithë protagonistët e tjerë ka mbetur i fshehur dhe i mbuluar me heshtje nga historia shqiptare si gjatë periudhës komuniste, ashtu edhe gjatë këtyre njëzet vjetëve. Themelet janë të padukshme për vetë funksionin e tyre të mbajtjes së godinës që mbështet mbi të, por, nëse njerëzit që banojnë në atë godinë lejojnë të përjashtohen nga themelet gurë të tillë të mëdhenj, rrezikojnë të banojnë në një godinë të lëkundshme. Përballë kthimit në Shqipëri të eshtrave të Imzot Nikollë Kaçorrit, më lind vetvetishëm dhe fuqishëm dëshira dhe urimi që në Shqipëri të fillojë të bëhet me vërtetësi, dashuri dhe korrektesë shkencore hetimi i historisë sonë të hershme dhe të vonë, me motivin e vetëm, që kujtesa historike kombëtare të bëhet një thesar i çmueshëm nga i cili të mund të nxjerrim mësime për të tashmen dhe të ardhmen e vendit tonë. Njohja e turbullt e historisë së shkuar, pa llogaritur pastaj shtrembërimin me apo pa dashje të saj, rëndon si një perde e errët në horizontin e shpirtit të kombit, prandaj është detyrë jo vetëm e historianëve, por e çdo shqiptari, të japë ndihmesën e vet për ta shthurur fije për fije këtë perde.
Këtë ndihmesë e kanë dhënë të gjithë ata që janë kujdesur për kthimin në atdhe të eshtrave të Imzot Kaçorrit, prandaj atyre u drejtoj me gëzim dhe kënaqësi mirënjohjen time më të thellë.
Le të kthehemi edhe një herë tek psalmisti i sotëm. “Si t’i këndojmë këngët e Hyjit në tokë të huaj?” Përvoja e tokës së huaj ka qenë përvoja e gati gjithë jetës së Imzot Kaçorrit. Ai lindi në një fshat të Lurës në atë periudhë të historisë kur toka e shqiptarëve ishte si të ishte e huaj, sepse gjendej nën zotërimin e Portës së Lartë të Stambollit. Pas studimeve teologjike bazë në Shkodër, që do ta përgatisnin për meshtari, njohu të tjera toka të huaja, sepse kaloi disa vite studimi në Zvicër, për t’u kthyer në Shqipëri me prerjen mendore të njeriut europian, për t’iu kushtuar bashkësive katolike të kurbinit dhe të Durrësit. Përkushtimi baritor përfshinte realitetin njerëzor në tërë përmasat e tij, prandaj famullitari i Durrësit jo vetëm që nuk la pas dore lëngatën në të cilën gendej popullsia shqiptare nën sundimin turk, por u vendos në krye të lëvizjes për pavarësi. Pas shpalljes së pavarësisë, gëzoi vetëm për dy vjet shijen aq të dëshiruar të tokës së vet, sepse barbaria e lëvizjes së Haxhi Qamilit jo vetëm që e rrëzoi qeverinë ku ai ishte zëvëndëskryeministër, por i dogji shtëpinë në Durrës, duke kthyer në pluhur e hi njërën ndër bibliotekat më të pasura të Shqipërisë së asaj kohe, që ai kishte mbledhur me pasion. Pas rrëzimit të qeverisë së Ismali Qemalit, largohet nga Shqipëria për në Austri dhe atje vdes pas pesë vjetësh, për t’u lënë në harresë.
Harresa, megjithatë, nuk rëndon mbi të, por mi historinë tonë. Nëse Psalmisti nuk i këndonte dot këngët e Zotit mbi lumenjtë e Babilonisë, sepse e digjte malli për Jeruzalemin, sikurse malli digjte edhe Imzot Kaçorrin për Shqipërinë kur gjendej pranë brigjeve të lumit Danub në Vjenë, famullitari i Durrësit mund t’i këndonte këngët e Zotit edhe në dhe të huaj, sepse kishte bërë gjithçka që kishte qenë e mundur për dheun e vet.
Në Ungjillin e sotëm kemi dëgjuar tregimin e takimit të Jezusit me farisenjtë, që duan të dinë prej tij a duhet t’i paguhet taksa Çezarit apo jo. Para se të japë përgjigjen, Jezusi kërkon një monedhë dhe, duke parë mbi të shëmbëllimin e Çezarit, thotë fjalinë e famshme: “Jepni Çezarit çfarë i takon Çezarit dhe Zotit çfarë i takon Zotit!”.
I gjithë angazhimi politik i Imzot Bumçit nuk ka qenë tjetër, përveçse përpjekje e sinqertë për t’i dhënë Çezarit çfarë i takon Çezarit. Sa herë që mendojmë për politikën, na krijohet ideja se në politikë hyhet për të fituar, ose, edhe më keq, për të përfituar. Fatkeqësisht, historia e shtetit tonë, që, pas pak më shumë se një viti, mbush njëqind vjeç, është e mbushur me shembuj të një politike të ushtruar e të kuptuar si pushtet dhe përfitim. Fatkeqësisht, jo vetëm forcat e Haxhi Qamilit dhe jo vetëm egërsia e diktaturës komuniste, por edhe tranzicioni i stërgjatur njëzetvjeçar nuk na kanë dhënë një shembull bindës të politikës së kuptuar si shërbim ndaj shoqërisë. Ungjilli që sapo kemi dëgjuar na kujton se në politikë hyhet jo për të marrë, por për të dhënë: “Jepni Çezarit çfarë i takon Çezarit!” Imzot Kaçorri, i mbrujtur me fjalën e Ungjillit, është angazhuar në politikën e Shqipërisë jo për të marrë, por për të dhënë, dhe me të vërtetë ka dhënë gjithçka, deri edhe famën e emrit të vet. Nga ana tjetër, duhet të angazhohemi ta nxjerrim në pah këtë famë, që të jetë model jo vetëm për politikanët shqiptarë, por edhe për qytetarët që kërkojnë frymëzim për vizionin e tyre politik.
Duke u kthyer tek Ungjilli i sotëm, në gjestin e Jezusit, që kërkon të shohë shëmbëllimin e Çezarit në monedhën e perandorisë, duhet të lexojmë edhe diçka më shumë. Nëse në monedhë gjendet shëmbëllimi i Çezarit, brenda njeriut gjendet shëmbëllimi i Hyjit. Libri i Zanafillës, kur tregon krijimin e njeriut, na bën me dije se Zoti tha: “Ta bëjmë njeriun në shëmbëllimin tonë”. Brenda njeriut, brenda çdo njeriu, Jezusi shikon shëmbëllimin e Hyjit, prandaj ai ka ardhur për t’i kthyer njerëzit tek Hyji. Këtu gjejmë edhe përmasën tjetër të Zëvëndëskryeministrit të parë të Shqipërisë së pavarur. Ai ishte njeri i Zotit, prandaj, sikurse ka jetuar politikën si mundësinë për t’i dhënë Çezarit çfarë i takon Çezarit, pra si shërbim dhe jo si pushtet, poashtu ka jetuar edhe besimin se thirrejn më të lartë të njeriut për t’iu kushtuar tërësisht Zotit. Madje në këtë thirrje të Zotit, për të realizuar brenda nesh ngjashmërinë me të, qëndron edhe çelësi i thirrjes sonë për t’u angazhuar në jetën sociale dhe politike.
Është pikërisht forca e kësaj thirrjeje që na nxjerr nga përtacia jonë dhe na angazhon për të mirën e të gjithëve, sikurse na porosit shën Pali në leximin e dytë të kësaj liturgjie nga Letra e Dytë drejtuar Selanikasve: “Po ju porosisim, o vëllezër, në emrin e Zotit Jezu Krisht, të largohemi nga çdo vëlla që jeton në përtaci dhe jo sipas traditës që morët prej nesh” (2Sel 3,6). E më tej përsëri: “Po dëgjojmë se disa nga ju jetojnë në përtaci, nuk bëjnë asnjë punë dhe merretn me gjëra të kota. Këta i porisisim dhe i lusim në emër të Zotit Jezu Krisht që t’i shtrohen punës për të nxjerrë bukën e gojës” (2Sel 3,11-12). Gjatë tërë jetës së tij Imzot Kaçorri ka punuar pa u lodhur për të mirën e vendit të vet, prandaj sot, fjalët e Apostullit Palë duket sikur na i thotë edhe ai neve, duke na lënë një shembull të mirë të jetës së krishterë: “Ju e dini se si duhet të ndiqni shembullin tonë, sepse ne nuk jetuam në përtaci kur ishim mes jush e as nuk kemi ngrënë falas nga ndonjëri prej jush, por jemi lodhur e munduar duke punuar ditë e natë për të mos iu bërë barrë ndokujt” (2Sel 3,7-8).
Deri më sot historia e Shqipërisë nuk e ka shpërblyer Imzot Kaçorrin për kontributin e pamasë që ai i ka dhënë vendit tonë, por ky fakt nuk na shqetëson ne që jemi mbledhur këtu në emrin e besimit, sepse e dimë se shpërblimi vjen prej Zotit, prandaj lutemi që Zoti të shpërblejë me lavdinë qiellore të gjitha vuajtjet.








All the contents on this site are copyrighted ©.