2015-11-29 17:12:00

Françesku në Katedralen e Bangui: duajini armiqtë!


Të dielën e parë të Ardhjes Papa Françesku e kremtoi në Katedralen e Banguit, sot kryeqytet shpirtëror i botës, në  Afrikën e largët Qendrore, ku hapi edhe Portën e parë Shenjte të Jubileut të Mëshirës.

 Homelia e rastit u përshkua e tëra nga atmosfera e pritjes së Shëlbuesit Jezus, simbol i shpresës së krishterë.

“Zoti u priu hapave të mi deri tek ju, në këtë tokë, ndërsa Kisha  universale përgatitet të përurojë Vitin Jubilar të Mëshirës. E jam posaçërisht i gëzuar që vizita ime baritore përkon me hapjen, në vendin tuaj, të këtij Viti Jubilar”.

Nga kjo katedrale, nënvizoi më pas Papa,  duke iu drejtuar njerëzve të Kishës, të mbledhur rreth tij, dëshiroj të përshëndes edhe të gjithë Qendrafrikanët e t’u kujtoj se jam këtu, mes jush,  për t’ju ofruar forcën  dhe pushtetin e Zotit, që e shërojnë njeriun, e ngrenë përsëri në këmbë,  e bëjnë të aftë të nisë një jetë të re, “të kalojë në bregun tjetër”.

Kalimi në bregun tjetër

E tema ungjillore  e “kalimit në bregun tjetër”, së bashku me Krishtin, duke iu përgjigjur secili thirrjes së Tij të veçantë, ishte edhe lajtmotiv i homelisë:

“Duhet të jemi të vetëdijshëm se kalimi në bregun tjetër nuk mund të bëhet pa Krishtin, pa u çliruar nga konceptimet e familjes e të gjakut, që na ndajnë, për ta ndërtuar Kishën si Familje e Zotit, e hapur për të gjithë, që kujdeset për të gjithë nevojtarët”.

Nuk është thjesht çështje mjetesh financiare, kujtoi Ati i Shenjtë, mjafton të jetosh në gjirin e  popullit të Zotit, të ndash me të të mira e të vështira, duke e bërë të kuptueshme për të gjithë, shpresën që kemi në shpirt (cfr 1Pt 3,15) e duke qenë dëshmitarë të mëshirës së pakufishme të Zotit.

Jezusi na mëson se Ati qiellor bën të lindë dielli mbi të këqij e të mirë (Mt 5,45). Prej këndej, pasi ta kemi jetuar ne vetë përvojën e faljes,  duhet edhe të falim! E kjo është thirrja jonë themelore: “Ju, pra, duhet të jeni të përkryer, si i përkryer është Ati juaj qiellor”.

Dashuria për armiqtë

Një nga kërkesat themelore të kësaj thirrjeje për përsosuri, është dashuria për armiqtë, që na mëson t’i kundërvihemi hakmarrjes e spirales së raprezaljeve pa fund. Veprimtarët e ungjillëzimit duhet të jenë, para së gjithash, artizanë të faljes, specialistë të pajtimit, ekspertë të mëshirës:

“E vetëm kështu mund t’i ndihmojmë vëllezërit e motrat tona të kalojnë ‘në bregun tjetër’, duke u treguar sekretin e forcës sonë, të shpresës sonë, të gëzimit tonë, që e kanë gurrën në Zotin, sepse Ai është në barkë, me ne”.

Zoti është më i forti, është dashuri

Papa i ftoi besimtarët t’i zbulojnë disa nga karakteristikat e shëlbimit të Zotit, që duhet të jenë pikëmbështetje e të na  prijnë në misionin tonë. Së pari, kujtoi dhuratën e drejtësisë:   

“Këtu, ashtu si gjetiu, shumë burra e gra kanë etje për respekt, drejtësi, barazi, pa shikuar në horizont asnjë shenjë pozitive. Pikërisht për ta vjen Zoti, për t’u bërë dhuratën e drejtësisë. Vjen për t’i fekonduar historitë tona personale e kolektive, shpresat tona të zhgënjyera e dëshirat tona të shterpa”.

Po, shtoi Papa, Zoti është drejtësi! Ja pra, pse ne, të krishterët, jemi të thirrur për të qenë në botë artizanë të paqes së bazuar mbi drejtësinë.

Karakteristika e dytë është se Shëlbimi i Hyjit, që e presim, ka edhe shijen e dashurisë:

“Duke pritur Zotin, ne presim edhe dashurinë. Kudo, edhe, e sidomos, atje ku sundon dhuna, urrejtja, padrejtësia e persekutimi, të krishterët janë të thirrur të japin dëshminë e këtij Zoti, që është dashuri”.

Prej këndej, dëshmia e paganëve për të krishterët e Kishës së lashtë, duhet të jetë përherë e pranishme, si fanar, në horizontin tonë. ‘Shikoni si duhen; si duhen me të vërtetë” (Tertuliani, Apologetico, 39,7).

Shumë të guximshme, Fjalët e Papës në përfundim të homelisë:

“Shëlbimi i kumtuar nga Zoti ka karakterin e pushtetit të pathyeshëm, që ngadhënjen mbi gjithçka. Prandaj, edhe përmes tronditjeve të pashembullta, Jezusi  dëshiron ta tregojë forcën e Tij të madhe, lumninë e Tij të pakrahasueshme (cfr Lk 21,27) dhe pushtetin e dashurisë, të cilën s’ka gjë në botë që mund ta ndalojë. Zoti është më i fortë se të gjithë”.

Edhe kur forcat e së keqes tërbohen, të krishterët duhet t’i përgjigjen thirrjes me kokën lart, gati për t’i bërë ballë kësaj beteje, në të cilën fjalën e fundit do ta ketë gjithnjë Zoti. E kjo fjalë do të jetë fjalë dashurie!”.

Papa e përfundoi homelinë me një thirrje, edhe kjo e papritur:

“Të gjithë atyre, që i përdorin padrejtësisht armët në këtë botë, u bëj një thirrje: ulini këto mjete vdekjeje; në vend të tyre, rrokni armën e dashurisë, të mëshirës, garanci e vërtetë e paqes!”.

E dishepujve të Krishtit, rregulltarë, rregulltare e laikë, u la këtë mandat: “Thirrja juaj është ta mishëroni Zemrën e Zotit ndërmjet bashkëqytetarëve tuaj!”.           








All the contents on this site are copyrighted ©.