2015-11-29 18:15:00

Françesku hap Portën Shenjte: Bangui, kryeqytet shpirtëror i botës


Papa Françesku hapi Portën Shenjte të Katedrales së Bangui, duke e përshpejtuar ndonjë ditë, për Qendrafrikën, Jubileun e Mëshirës: një turmë në festë e përshëndeti ngjarjen e madhe, pas së cilës u kremtua Mesha, po aq e madhe dhe prekëse. Pak më parë, Papa shqiptoi këto fjalë:

“Sot Bangui bëhet kryeqytet shpirtëror i botës. Viti Shenjt i Mëshirës nis më shpejt se kudo në këtë tokë, që vuan prej vitesh nga lufta e urrejtja, moskuptimi e mungesa e paqes. Por në këtë tokë kaq të vuajtur, shikojmë edhe të gjitha vendet, që po mbartin mbi shpinë kryqin e luftës. Bangui bëhet kryeqytet i lutjes për mëshirën e Atit!".

“Ne të gjithë kërkojmë paqe, mëshirë, pajtim, falje, dashuri. Kërkojmë  paqe  për Bangui-në, për të gjithë Republikën Qendrafrikane, për botën mbarë, për vendet, që vuajnë nën barrën e rëndë të luftës. E të gjithë bashkë kërkojmë dashuri e paqe. Bashkë të gjithë! (turma përsërit “dashuri e paqe” në gjuhën sango). E tani me këtë lutje nisim Vitin Shenjt: këtu, në këtë kryeqytet shpirtëror të botës, sot!”.

Para se të arrinte në Katedrale për hapjen e Portës Shenjte, Papa u ndalua për pak minuta në Spitalin pediatrik të Bangui, ku u dhuroi të sëmurëve të vegjël, bashkë me ledhatimet e paharrueshme papnore, disa kuti me ilaçe, të vëna në dispozicion nga Spitali i Krishtit Fëmijë në Romë.








All the contents on this site are copyrighted ©.