Pas arritjes në aeroportin M’poko të Bangui, i pritur nga mijëra njerëz, Françesku
u drejtua, ndërmjet dy radhëve të pafundme qendrafrikanësh në festë, drejt Pallatit
Presidencial, për një vizitë tradicionale tek Kryetarja e Shtetit të Tranzicionit
të Republikës Qendrafrikane, Catherine Samba-Panza.
“Papa është tepër i kënaqur që arriti në Bangui”, tha zëdhënësi i Vatikanit, atë
Federico Lombardi. Pas vizitës, takimi me klasën drejtuese dhe me Trupin Diplomatik,
që nisi me përshëndetjen e Kryetares së Shtetit të Tranzicionit e vijoi me fjalimin
e Françeskut.
Tri, temat kryesore, të prekura nga Ati i Shenjtë: “Shtëpia e përbashkët”; “Faza e re”; “Angazhimi i Kishës”.
Shtëpia e përbashkët
Kujtoi menjëherë shtëpinë e përbashkët të të gjithë afrikanëve, Papa, duke e shikuar Pallatin Presidencial si simbol i saj, për ta shtjelluar, më pas, gjithë fjalën e tij, rreth konceptit të unitetit të vendit.
Në fillim preku edhe një temë të dytë, që u bë fill i kuq i gjithë fjalimit: atë të rolit të Misioneve të ndryshme të organizmave ndërkombëtare, të solidaritetit e të bashkëpunimit ndërmjet popujve e kombeve. Papa i inkurajoi të pranishmit të ecin gjithnjë në udhën e solidaritetit, duke uruar që veprimtaria e tyre, e lidhur me veprimtarinë e Autoriteteve qendrafrikane, ta ndihmojë vendin të përparojë sidomos në udhën e pajtimit, të çarmatimit, të forcimit të paqes, të ndihmës shëndetësore e të kulturës së mbarshtimit sa më të frytshëm, në të gjitha nivelet.
Fazë e re
Më pas uroi që këshillimet e ndryshme ndërkombëtare, pas pak javësh, t’i krijojnë vendit mundësinë për të rifilluar qetësisht një fazë të re të historisë së tij. Fazë, kjo, që Françesku shpreson të jetë nën shenjën e vlerave të unitetit, të dinjitetit e të punës, moto kjo e vetë Republikës Qendrafrikane. Tri shtylla, pra: unitet, dinjitet, punë! Këto shtylla, mbi të cilat duhet të ngrihet Republika, kërkon t’i shikojë gjithnjë më të forta Papa.
Unitet
“Është fjala për të jetuar e për të ndërtuar, duke u nisur nga larmia e mrekullueshme e botës përqark e duke e shmangur tundimin e frikës nga tjetri, nga ajo që nuk është familjare, që nuk i përket grupit tonë etnik, rrugëve tona politike ose konfesionit tonë fetar. Uniteti në larmi është sfidë e vazhdueshme, që kërkon frymë krijuese, vetmohim e respekt për të tjerët”.
Dinjitet
“Gjithçka duhet bërë për të mbrojtur kushtet e jetesës dhe dinjitetin e njeriut”.
E ky angazhim duhet konkretizuar përmes sigurimit të shkollimit dhe të shërbimit shëndetësor, luftës kundër urisë e betejës për t’u garantuar të gjithëve një banesë të përshtatshme. E duhet të zërë vendin e parë në një zhvillim, që e shikon me vëmendje dinjitetin e njeriut.
Punë
Papa kujtoi, më pas, sigurimin e punës për të gjithë:
“Punë, që duhet për përmirësimin e kushteve të jetesës së familjeve, e edhe për përmirësimin e një toke të bekuar me pasuri të begata”.
E duke kujtuar pasuritë, Françesku vuri gishtin edhe mbi përgjegjësitë e aktorëve ndërkombëtarë në Afrikë:
“Dëshiroj në mënyrë të posaçme të tërheq vëmendjen e të gjithëve, qytetarë, drejtues të vendit, partnerë ndërkombëtarë e shoqëri ndërkombëtare, mbi përgjegjësinë e tyre të rëndë në shfrytëzimin e burimeve ambientale, në zgjedhjen e projekteve të zhvillimit që, në një mënyrë a në një tjetër, ndikojnë mbi të gjithë planetin. Puna për ndërtimin e një shoqërie të përparuar, duhet të jetë vepër solidare”.
Angazhimi i Kishës
Në përfundim nënvizoi se historia e ungjillëzimit të kësaj toke dhe historia shoqëroro-politike, vërtetojnë se Kisha u angazhua gjithnjë në mbrojtje të unitetit, dinjitetit, punës:
“Me ipeshkvijtë përsëris gatishmërinë e kësaj Kishe të veçantë për të dhënë gjithnjë më shumë ndihmesën e saj në promovimin e së mirës së përbashkët, posaçërisht përmes kërkimit të paqes e të pajtimit, duke kontribuar, kështu, për zhvillimin e çdo njeriu e të njeriut në tërësi (Enc. Populorum progressio, 14), për të përdorur shprehjen e paraardhësit tim, të Lumit Pali VI i cili, 50 vjet më parë, ishte i pari Papë i kohëve moderne, që shkeli trojet e Afrikës, për ta inkurajuar e për ta përforcuar në udhën e së mirës, Kontinentin, që po jetonte lindjen e një agimi të ri”.
All the contents on this site are copyrighted ©. |