2015-11-28 15:24:00

Delegacioni i Selisë së Shenjtë në Stamboll për festën e shën Andreut Apostull


Në kuadrin tradicional të shkëmbimit të delegacioneve të Selisë së Shenjtë e Patriarkanës së Kostandinopojës, për kremtimin e festave përkatëse të pajtorëve qiellorë të shën Pjetrit e Palit Apostull më 29 qershor në Vatikan, e të shën Andreut Apostull, më 30 nëntor në Stamboll, presidenti i Këshillit Papnor për nxitjen e bashkimit të krishterëve, kardinali Kurt Koch, sivjet udhëheq delegacionin e Selisë së Shenjtë për festën e Patriarkanës ekumenike të Kostandinopojës. Kardinali Koch shoqërohet nga ipeshkvi Brian Farrel, sekretar i dikasterit vatikanas, e nga imzot Andrea Palmieri, zëvendës sekretar. Delegacioni i Selisë së Shenjtë ka marrë pjesë në kremtimet solemne të liturgjisë hyjnore kryesuar nga Bartolomeu në Kishën patriarkale të shën Gjergjit në Fanar, ka pasur një takim me Patrikun dhe bisedime me komisionin sinodal të ngarkuar për marrëdhëniet me Kishën katolike. Kardinali Koch i ka dorëzuar patriarkut ekumenik një mesazh shkruar personalisht nga Papa, të cilën e lexoi në përfundim të liturgjisë hyjnore, shoqëruar me një dhuratë.

“Kemi gjetur Mesinë”: ky është lajmi i jashtëzakonshëm, që Andreu i jep të vëllait më të madh, Pjetrit. Prandaj, shën Andreu, në Kishën bizantine, quhet “protoklit”, që do të thotë  “i thirrur i pari”. E duhet nënvizuar se njësoj si Pjetri e Andreu, edhe Roma e Kostandinopoja kanë ndërmjet tyre marrëdhënie të veçanta, janë Kisha motra. Njeri, që i merr në sy rreziqet, shën Andreu Apostull është dëshmitar i guximshëm i fesë, u çon të tjerëve me entuziazëm Lajmin e Mirë - Ungjillin. Ai është një shembull, që duhet ta ndjekim edhe sot.
Pra, shën Andreu Apostull na mëson ta ndjekim Krishtin me gatishmëri, të flasim me entuziazëm për Të atyre që takojmë, e sidomos, të mbajmë marrëdhënie të vërteta familjare me Të, të vetëdijshëm se vetëm tek Krishti mund të gjejmë kuptimin e fundmë të jetës e të vdekjes.








All the contents on this site are copyrighted ©.