2015-11-27 17:51:00

Tomas Merton: "Koha e Ardhjes"


Koha e Ardhjes!

Mrekullojini, o qiej, me blunë tuaj këto netë dimri,

e jini plot kthjelltësi!

 

Më shpejt fluturoni në terrin e zjarrtë, ju meteorë të heshtur;

tretini shkëndijat në hapësirë.

Ti hënë mos ec kaq shpejt kah perëndimi,

se t’erdhi koha.

 

Katër shtigjet e bardha shkojnë heshtas

drejt katër anëve të gjithësisë së qindisur me yje.

Flokë kohe bien si manë në skajet e tokës dimërore.

Ne jemi më të përvujtë se shkambijtë,

më të shtruar se shkrepat.

 

Mahnitini me pastrinë tuaj këto netë të Pritjes së Madhe,

o sfera të shenjta,

pezull mbi rrymën e vrullshme të ujit nën dhe.

 

Një copë jete ndalet në kujtesë,

rri e pushon një ças te kashta e artë;

mendjet janë më të qeta se grigjët

në kullosë, e shuhet gjama e motit.

 

Oh! Flokojeni, qiell, terrin tuaj e dritën tuaj

e cirkat prej qielli të bien

e të thyhen mbi pullaze.

e ti, shtegto, si Virgjëra e fisme

kah perëndimi madhështor i planeteve,

o hëna e bardhë e plotë, e heshtur si Betlehemi.

Tomas Merton

Marrë nga ‘Natale in poesia’, Antologia dal IV al XX secolo, Novara, 2006. fq 140

 








All the contents on this site are copyrighted ©.