2015-11-26 16:00:00

Papa, klerit të Najrobit: kush e ndjek Jezusin për interes, më mirë të largohet


Mijëra meshtarë, rregulltarë e rregulltare u mblodhën pasdite në fushën sportive të Shkollës së shën Marisë, mbajtur nga etërit spiritanë në Najrobi, për të dëgjuar fjalët inkurajuese të Papës Françesku për klerin e Kenias. Ati i Shenjtë foli pa letër, në spanjisht, pas përshëndetjeve të kreut të Komisionit për klerin dhe rregulltarët në Konferencën Ipeshkvnore Keniote, të një murgeshe e të një meshtari, që përmblodhën veprimtarinë e kongregatave të rregulltarëve, meshkuj e femra, në Kenia. Papa Françesku i bëri jehonë lutjes së shën Palit Apostull në Letrën drejtuar filipianëve: “[Zoti] që në ju e filloi veprën e mirë, e plotësoftë deri në Ditën e Krishtit Jezus” (shih Fil 1,6). Mos hyni nga dritarja, por nga dera, i këshilloi Ati i Shenjtë të gjithnjë njerëzit e Kishës, duke u vënë në dukje cilat janë tundimet, që e bëjnë thirrjen të pavlefshme:

“Zoti na ka zgjedhur të gjithëve, e ka filluar veprën e tij në ditën që e ka hedhur vështrimin e Tij mbi ne, në Pagëzim. E pastaj, në atë ditën tjetër, kur na tha: ‘Nëse do, më ndiq’. Filluam ta ndjekim, por është Ai, që e nisi udhën për ne. Ungjilli flet për dikë që donte ta bënte atë rrugë, por Zoti i tha ‘jo’. Për të ndjekur Jezusin në meshtari apo në jetën e shuguruar duhet hyrë nga dera, nga porta e Jezusit, është Ai që e bën punën. Por ka nga ata, që duan të hyjnë nga dritarja. Ju lutem, nëse ndokush ka ndonjë shok ose shoqe, që ka hyrë nga dritarja, përqafojeni e thuajini: ‘më mirë të largohesh, sepse nuk mund të ndjekësh një rrugë, që nuk e ka filluar Jezusi i pari’”.

 Ndokush, vijoi më tej Papa Françesku, nuk e di pse i ka thirrur Zoti, por duhet të rrinë të qetë, sepse herët a vonë, Zoti do t’ua shpjegojë pse-në. Të tjerë duan ta ndjekin Krishtin për interes. E këtu, Ati i Shenjtë kujtoi nënën e Jakut e të Gjonit, që i kërkoi Jezusit t’u jepte një vend të privilegjuar të bijve, pranë tij, njëri më të djathtë e tjetri, në të majtë:

“Është tundimi për ta ndjekur Jezusin për para, për pushtet… por në gjurmët e Krishtit, nuk ka hapësirë për ambicien personale, për pasurinë, për të qenë njeri i rëndësishëm në këtë botë. Jezusi ndiqet deri në kryq, pastaj është Ai, që merr përsipër të na ringjallë, por ne duhet të shkojmë deri në kryq. …Kisha nuk është ndërmarrje, nuk është organizatë jo qeveritare. Kisha është mister, misteri i vështrimit të Jezusit mbi çdonjërin prej nesh, të cilit i thotë: më ndiq”.

 Pavarësisht nga kjo, nënvizoi Papa Françesku, kur na thërret, Zoti nuk na bën shenjt, mbetemi gjithnjë po ata mëkatarë. “Unë i pari jam mëkatar”, pohoi Bergoglio, i cili dha shembullin e Shën Pjetrit, i cili e mhoi Krishtin tri herë, por qau e u pendua dhe Zoti e bëri Papë:

 “E kush e kupton Jezusin? Është mister. Mos rreshtni kurrë së qari. Kur një meshtari, një rregulltari apo një rregulltareje i thahen lotët, diçka nuk funksionon. Të dërdhësh lot për pabesinë tënde, të qash për dhimbjet e botës, të qash për njerëzit që mënjanohen, për të moshuarit e braktisur, për fëmijët e vrarë, për gjërat që nuk i kuptojmë. Të qajmë kur pyesim ‘pse o Zot’. Askush nuk i ka përgjigjet e të gjitha ‘pse’-ve”.

Papa Françesku përmendi Dostojevskin, që pyeste pse vuajnë fëmijët. Pyetje e përhershme para një vogëlushi të sëmurë, ose para situatave të tjera të vështira në jetë. Përgjigjja e vetme, theksoi Ati i Shenjtë, është Kryqi i Krishtit. Kur një i shuguruar i Zotit nuk e kujton Jezu Krishtin e kryqëzuar, ngriti zërin Papa, mëkaton rëndë e Zoti e përçmon, pasi mëkati i madh i këtij njeriu është indiferenca:

“Nga zemra ju them: mos u distanconi kurrë nga Jezusi, mos rreshtni kurrë së luturi, edhe në çastet e vështira. Nëse ju vjen gjumë, flini edhe para Zotit, por lutuni, mos u largoni nga vendi i lutjes. Nëse i shuguruari e harron lutjen, shpirti i thahet, bëhet i shëmtuar… Po jua lë këtë pyetje: a e reduktoj kohën e gjumit, të radios, të televizionit, për t’u lutur? Apo preferoj këto lloj veprimtarish?”.

Duartrokitje, të qeshura nga batutat e Papës, komente nën zë, shoqëruan fjalët e Atit të Shenjtë, i cili, në fund, u tha të pranishmëve se secili prej tyre “është zgjedhur nga Zoti për t’i shërbyer Popullit të Tij, më të varfërit, të fundmit, fëmijët e të mëshuarit, madje, edhe njerëzit që nuk e kuptojnë se janë mendjemëdhenj, pra, t’i shërbejnë Krishtit. Duhet të shërbeni, i kërkoi Papa klerit afrikan, jo të shërbeheni. E pastaj me të qeshur e me të ngjeshur:

 “Para një viti kemi pasur një takim meshtarësh - kësaj here shpëtojnë murgeshat! Gjatë ushtrimeve shpirtërore, çdo ditë, kishim shpjegimin për të shërbyer në meshë e dikush ankohej: jo, unë nuk dua të shërbej. Ju lutem, mos u shërbeni nga të tjerët në meshë, por shërbeni. …Emocionohem kur përshëndes një meshtar, një rregulltar, një murgeshë, që ka kaluar dhjetra vite në spital, në Amazonë, në ndonjë zonë të vështirë, më prek shpirtin fakti që i kanë shërbyer Jezusit dhe të tjerëve e nuk janë shërbyer prej tyre”.

“Çfarë Pape pa edukatë eh?” qeshi sërish Ati i Shenjtë, në fund të fjalës së tij, kur pas këshillave, vuri në dukje se ishte e nevojshme ta falenderonte Kishën në Kenia për gjithë veprimtarinë e saj:

 “Faleminderit që ndiqni Jezusin, faleminderit sa herë ndjeheni mëkatarë, faleminderit për çdo përkëdhelje që jepni, faleminderit sa herë keni ndihmuar nejrëzit të vdesin në paqe, faleminderit që nxisni shpresën në jetë, faleminderit që ndihmoni, ndreqni, falni çdo ditë. Mos harroni të luteni për mua, sepse kam nevojë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.